English

Balla: procesi i implementimit të Ligjit të Nëpunësit Civil, monitorohet 24 orë, nga Komisioni Europian

Taulant Balla: Së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e deputetëve që e shoqëron, zhvillua një takim të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e Grupit të Partive Popullore Europiane, Manfred Weber, të cilin e informuam mbi reformat e thella dhe të gjera që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare.

Në takim u ndanë disa vlerësime lidhur me përmbushjen e kërkesave të paraqitura nga Partia Demokratike si kushte për vazhdimësinë e bojkotit.
Pas takimit si Nënkryetar i Grupit të PS njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Integrimit në Kuvendpata një prononcim për mediat:
E informuam zotin Weber që prej javësh, tashmë, kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ngritjen e dy komisioneve hetimore. Madje, presim që opozita të marrë drejtimin sikurse i takon përmes ligjit të komisioneve hetimore dhe të zërë vendet në këto komisione hetimore. E informuam, gjithashtu, për sa i përket çështjes së hapësirës që i jepet opozitës në Parlamentin e Shqipërisë. Kemi bërë një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit ku tashmë opozita mund të flasë sa herë të dojë dhe kur të dojë.
Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin Weber që të ruajmë një kanal komunikimi të përhershëm me opozitën, pasi ne duam që e njëjta frymë komunikimi që ekziston këtu, në Parlamentin Europian, ndërmjet grupit S&D dhe grupit të Partive Popullore Europiane të ekzistojë në Shqipëri, sepse duam që bashkëpunimi me opozitën, për sa i përket marrëdhënieve me Parlamentin Europian, marrëdhënien me Komisionin ta kemi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Në bazë të kësaj, a mund të themi pas kësaj që një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës të mund të gjendet së shpejti?

Fakti që edhe nga bashkëbiseduesi ynë, që është kryetari i EPP-së, u pranua që të gjitha kërkesat e opozitës ne i kemi realizuar, mbetet në vlerësimin e vetë Partisë Demokratike që në funksion të tyre të ushtrojë rolin e vetë kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë.

Zoti Balla, një nga kërkesat e opozitës është edhe dekriminalizmi i parlamentit. U hap kjo çështje në diskutim?

Opozita ka shtruar si shqetësim të vetin incidentin e ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë në 10 korrik 2014. E informuam zoti Weber se për këtë rast ne kemi nxitur institucionet e drejtësisë të bëjnë detyrën ë tyre. Informuam për procedurat e ndjekura, për stadin e hetimeve dhe të procedimit gjyqësor. Sikurse, ne e kemi thënë që prej ditës së parë që dënojmë çdo formë dhunë në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa i përket çështjes së dekriminalizimit, të paktën, Partia Socialiste këtu është forca e vetme politike që përpara se depoziton listën e kandidatëve, për secilin prej kandidatëve i kërkon një lloj deklarimi që vjen nga institucionet e Prokurorisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të vërtetuar nëse më parë kanë pasur përshkrime kriminale në veprimtarinë e tyre. Këtë gjë ne e kemi bërë prej ditës tonë të parë dhe jemi të qetë për sa i përket pastërtisë së figurës së atyre që kandidojnë në emër të Partisë Socialiste.

Për sa i takon takimit ndërparlamentar?

Kjo ka qenë një çështje më shumë procedurale. Kuvendit të Shqipërisë i është propozuar një datë, ndërkohë që vetë Kuvendi i Shqipërisë, ne, kishim propozuar një datë tjetër. Ju duhet të kuptoni se dhe vetë PE nuk është në një kohë të përshtatshme për të zhvilluar takime të këtij karakteri. Por, le të shpresojmë që edhe data 18 të shërbejë si edhe një datë që të mund ta përdorin deputetët e opozitës për t’u rikthyer në Parlament.

Lidhur me numrin e të shkarkuara nga administrata publike?

Të paktën në këtë çështje institucionet europiane janë të mirinformuara, sepse i gjithë procesi i implementimit të Ligjit të Nëpunësit Civil, ndiqet, monitorohet përditë, 24 orë, nga Komisioni Europian. Çdo lëvizje e vetme në sistemin e administratës publike raportohet këtu në Bruksel. Të gjithë e dinë që shifrat që raporton opozita janë tërësisht të pavërteta.

KOMENTE