English

Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Rama - Martin Schultz, në Bruksel

Kryeministri Rama, në ditën e dytë të vizitës së tij, në Bruksel iu adresua me një fjalë Samitit “Axhenda BE-Ballkani Perëndimor 2015-2020” që organizohet nga “Miqtë e Europës.

Kryeministri theksoi në fjalën e tij se mënyra më e mirë për trajtimin e problemeve që hasen sot në BE është gjenerimi i një Europe strategjike, dhe se Europa duhet të mirëpresë bashkimin me Ballkanin, duke mbështetur e përshpejtuar proceset integruese të vendeve përkatëse. “Bashkimi është gjithnjë e më shumë taktik dhe gjithnjë e më pak strategjik. Unë mendoj që mënyra më e mirë për të trajtuar problemet që hasim sot, nuk është performanca e një Europe taktike por krijimi i një Europe strategjike. Ajo që shikoni sot si një histori të madhe suksesi në Ballkan mund të shndërrohet në një makth të vërtetë nëse Europa nuk do të kuptojë se është koha që të bashkohet me Ballkanin. Sigurisht që ne nuk mund t’i shmangim detyrat por në të njëjtën kohe nuk mund të ushqejmë shpresat dhe ëndrrat e njerëzve për Europën me kapitujt e integrimit. Njerëzit nuk do të jenë të gatshëm vërtet për të vijuar vit pas viti duke dëgjuar se ia dolëm me sukses në kapitullin 23, tani kemi kapitullin 24 dhe vitin tjetër kemi kapitullin 36.

Kryeministri ftoi institucionet e BE për të bashkëpunuar paralelisht, në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Unionin Europian, pasi nevoja për afrim mes Evropës dhe Ballkanit është e ndërsjellë.

“Ne duhet të bëjmë diçka, unë besoj fort se sot më shumë se kurrë Europa ka nevojë për Ballkanin po aq shumë sa Ballkani ka nevojë për Europën. Sot më shumë se kurrë është thelbësore për Europën që të zgjerohet në drejtim të Ballkanit, sepse unë mund ta kuptoj lodhjen e zgjerimit por dhe Europa duhet të kuptojë lodhjen e durimit. Lodhja e durimit në Ballkan nënkupton diçka shumë të nxehtë”.

Ndrësa Europarlamentari Kukan shprehu angazhimin për të punuar bashkarisht në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit, duke theksuar se këto vende duhet të mbajnë mirë parasysh 3 fushat kryesore që janë, sundimi i ligjit, sistemi gjyqësor dhe ekonomia. “Pikë së pari, të dyja palët mund të përforcohen vetëm kur të mund të japin rezultate, vendet në rajon dhe ne në Bashkimin Europian. Ne nuk mund të zmbrapsemi nga angazhimi ynë. Ne duhet të jemi shumë serioze dhe Ballkani Perëndimor ka 3 fusha që janë më të rëndësishmet: sundimi i ligjit, sistemi gjyqësor dhe ekonomia.”

Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Rama me Presidentin e PE, Martin Schultz:

Presidenti i PE, Martin Schultz:

“Zonja dhe zotërinj, mirëmbrëma!

Dua të falënderoj Edi Ramën për vizitën. Ne patëm një bashkëbisedim më të gjatë se ç’ishte parashikuar. Duhet t’ju them se diskutimi ynë ishte vërtet mbresëlënës, si dhe shpjegimet e Kryeministrit për situatën politike në rajon, marrëdhënien midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, këndvështrimet e Kryeministrit shqiptar rreth Bashkimit Europian, rreth rolit që mund ose që duhet të luajë Parlamenti Europian. Gjithashtu, diskutuam gjerë dhe për situatën e brendshme në vend, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet me vendet fqinje, si edhe folëm për situatën ndërkombëtare në mbarë botën dhe për rolin e Bashkimit Europian në ketë aspekt. Edi Rama dhe unë jemi miq prej shumë kohësh dhe e njohim njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë, ndaj dhe takimi ishte shumë miqësor dhe i hapur. Unë dua të nënvizoj këtu se ne ramë dakord për shumicën e pikave në axhendë. Bashkimi Europian duhet ta mbajë derën e hapur për fqinjët, ky është pozicioni ynë i përbashkët. Ndaj dhe unë e pranova ftesën e Kryeministrit që të vizitoj Shqipërinë, në cilësinë e Presidentit të Parlamentit Europian. Unë do e vizitoj Shqipërinë shumë shpjet dhe dua t’Ju falënderoj z. Kryeministër për ftesën. Për momentin, është e nevojshme që liderët europianë t’i japin fqinjëve sinjalin që dialogu ynë vazhdon në bazë të një besimi reciprok dhe me një bashkëpunim sa më frytdhënës për të ardhmen. Shumë faleminderit, edhe një herë, për vizitën tuaj dhe për dialogun konstruktiv që patëm.



Kryeministri Edi Rama:

“Shumë faleminderit!

Ishte kënaqësi e madhe që bashkë me kolegët patëm mundësinë të kishim këtë shkëmbim intensiv dhe të hapur pikëpamjesh dhe rreth asaj ç’ka duhet bërë nga të dyja anët, si edhe për rëndësinë e madhe që Parlamenti Europian ka për rajonin tonë dhe për popujt tanë. Jam shumë i lumtur që dëgjova se më në fund do vini në Shqipëri. Kryetari ynë i Parlamentit e ka bërë ftesën me shkrim dhe unë shpresoj se kjo është koha e duhur, që si Kryetar i sapozgjedhur i Parlamentit Europian, të vini dhe t’i adresoni fjalën Tuaj parlamentit dhe popullit tonë. Përsa i përket pjesës tjetër, jam absolutisht i bindur se Shqipëria do të vazhdojë të ndërtojë një shembull në të gjitha drejtimet, tek shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, dhe mbi të gjitha, do të thosha modernizim në të gjitha drejtimet. Kam besuar gjithnjë se procesi i integrimit është një instrument unik për modernizmin ndaj dhe ne duam ta përdorim atë gjerësisht. Për ta mbyllur dua të nënvizoj se ne do donim të intensifikonim marrëdhëniet tona me Parlamentin Europian edhe në kuadrin e ekspertizës dhe në kuadrin e shkëmbimit në nivel deputetësh, për qëllime të ndryshme, sepse ne kemi marrë ndihmë nga ky parlament dhe do të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë për të përmirësuar jetën tonë parlamentare.”



Z. Schulz, doja t’Ju pyesja, se sa larg është Shqipëria nga hapja e bisedimeve për anëtarësim për pranim në BE dhe sa i rëndësishëm është për 5 prioritetet e integrimit bojkoti i opozitës? Ndërsa, do doja të pyesja dhe z. Rama – duke pasur parasysh se një shqetësim madhor i opozitës është dekriminalizimi i Parlamentit – a ishte ky shqetësim pjesë e diskutimit tuaj me z. Schulz dhe a kërkuat një ekspertizë ligjore nga Parlamenti Europian në lidhje me këtë çështje? Faleminderit!

Presidenti i PE, Martin Schultz: “Ashtu siç thashë në fillim të deklaratës time, ne duhet t’i mbajmë fqinjët tanë sa më afër, të jetë e mundur, Bashkimit Europian. Konkretisht për Shqipërinë, rruga e Shqipërisë për në BE është që sa më shpejt të hapë kapitujt në kuadër të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Përsa i përket parlamentit, kemi diskutuar bashkë në lidhje me bojkotin e Edi Ramës në Parlament dhe unë e kam thënë se parlamentarët zgjidhen që të shkojnë në parlament dhe votuesit nuk i zgjedhin që të rrinë jashtë tij, sepse kjo është detyra e parlamentarëve, edhe nëse nuk janë dakord me rregulloren, procedurat, strukturën. Si Kryetar i këtij Parlamenti unë kam të bëjë përditë me persona që marrin pjesë në të edhe pse nuk janë dakord me mazhorancën, me rregulloren, rezolutat ose çfarëdo qoftë. Vendi i një parlamentari është në parlament dhe jo jashtë tij. Këtë i kam thënë dhe Edi Ramës kur ishte në opozitë dhe e ftova që të kthehej në parlament, gjë që ai e bëri. Kështu që, unë nuk kam ndryshuar mendim në lidhje me këtë. Këshilla ime si parlamentar i zgjedhur është që të gjithë parlamentarët të punojnë në parlament.”

Kryeministri Edi Rama: “Faleminderit për pyetjen! Nuk kemi diskutuar në detaje. Sigurisht, diskutimi ynë u fokusua në të ardhmen dhe në nivelet e ndryshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, midis rajonit tonë dhe Bashkimit Europian. Dua ta falënderoj nga zemra Presidentin për angazhimin e plotë që të mbështesë dhe ndihmojë rajonin si i tërë, në mënyrë që të mos humbasë shpresën, por që të vazhdojë të punojë fort që t’i afrohet BE-së. Në lidhje me opozitën, e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në anglisht, por dua të nënvizoj se ne po presim që ajo të kthehet në parlament, kemi përmbushur të gjitha ato që ata i pretendonin si kërkesa legjitime. Në të njëjtën kohë jemi të hapur për çdo gjë që ata do duan të propozojnë, menjëherë do ulemi të bisedojmë me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë, por pa u bërë e njëjta parti, sepse ky natyrisht nuk është një opsion.

KOMENTE