English

Miratohet projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë midis Shqipërisë dhe BNRZH

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike”.

Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Ilir Bejtja tha se kredia me vlerë 112 milionë euro, do të shërbejë që sistemi të funksionojë dhe të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit të qytetarëve me energji elektrike.
“Komponentët janë: 30 milion euro për furnizimin me energji që do i jepen KESH-it, për të përballuar të papriturat e motit. Komponenti i dytë do të shkojë për 30 mijë matësa dhe rehabilitimin e nënstacioneve. OSHEE-së do i jepen 83 milion dollarë. Komponenti i tretë lidhet me përmirësimin e matjes për OST-së me vlerë 20 milionë dollarë. Komponenti i katërt lidhet me menaxhimin e përgjithshëm 6.7 milion dollarë. Projekti është shumë i rëndësishëm për sistemin. Vjen në një moment kritik dhe zgjat 5 vjet, për periudhën 2015-2019. Në total kredia zgjat 22 vjet. Norma e interesit është praktikisht e ulët, 1.2 % në vit”, theksoi z. Ilir Bejtja.
Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë u shpreh se për përmirësimin e të gjithë rrjetit të shpërndarjes së energjisë nevojiten 1 miliardë dollarë.
Deputeti Gjovalin Kadeli kërkoi informacione nga zv. Ministri Bejtja për investimet e parashikuara në Qarkun e Lezhës, dhe veçanërisht për nënstacionin elektrik në qytetin e Lezhës që rrezikohet nga përmbytjet sa herë ka reshje shiu.
Z. Ilir Bejtja tha se për vitin 2015, është parashikuar dhe investimi në këtë nënstacion që do t’i japë fund problemit të furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të Lezhës.

KOMENTE