English

Shërbime pa pagesë e pa asnjë kosto shtesë edhe në spitalet jopublike

Pacientët që vuajnë nga sëmundje të zemrës kanë nisur tashmë të përfitojnë shërbime shëndetësore pa pagesë edhe në spitalet jopublike. Pas fillimit të zbatimit të paketës së kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë për shtetasit rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç, ka nisur kështu rrugëtimin edhe zbatimi në terren i angazhimit tjetër themelor të Programit Qeverisës për sistemin e kujdesit shëndetësor në vend.

Gjatë vizitës që zhvilluan s në Spitalin jopublik Evropian të Tiranës, i cili ka lidhur tashmë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kudjesit Shëndetësor (FSDKSH), Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Deputetja e PS-së e njëkohësisht Nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Dr. Klodiana Spahiu, të shoqëruar nga Drejtori i Fondit, z. Astrit Beci, patën mundësinë të ndiqnin nga afër rezultatet e ekzaminimit pa pagesë të koronarografisë së një prej pacientëve që përfitojnë nga shërbimet e kësaj pakete.

Prej pak ditësh, kemi filluar zbatimin në terren të një marrëdhënieje shumë më të ngushtë bashkëpunimi me institucionet shëndetësore jopublike, - tha midis të tjerash Ministri Beqaj, duke i’u referuar paketave të ndërhyrjeve të kardiologjisë që u miratuan nga Qeveria në muajin qershor. “Është bërë një punë e mirë nga Fondi (FSDKSH) dhe shërbimet universitare, për t’i standartizuar dhe për t’i kostuar këto shërbime,” – tha më tej ai, duke bërë me dije se janë lidhur tashmë kontratat me 5 spitale jo-publike në Tiranë, “për të ofruar këtë shërbim shumë të nevojshëm për sëmundjet kardiake, për shëndetësinë tonë”.

Ndërkohë, në fjalën e saj, Dr. Spahiu shprehu falënderimin për punën e ministrisë së shëndetësisë, Fondit dhe mjekëve specialistë për punën lidhur me hartimin dhe kostifikimin në kohë rekord të këtyre paketave. “Duke qenë kardiologe, e kuptoj mirë rëndësinë e madhe që ka realizimi i kësaj pakete, nevojat e mëdha që kanë qytetarët për këtë ekzaminim,” - tha ajo, duke theksuar se sëmundjet kardiovaskulare janë edhe sëmundjet me prevalencë dhe vdekshmëri më të lartë, prandaj edhe realizimi i këtyre paketave ka qenë prioritetet i punës së Qeverisë.

Janë 150 pacientë gjithsej, që do të përfitojnë shërbime të kardiologjisë pa pagesë në spitalet jopublike, të cilët do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në pesë spitalet që kanë lidhur kontratë me FSDKSH-në. Kështu, nga lista e pritjes me rreth 500 pacientë në shërbimin e Kardiologjisë për plotësimin e nevojave kryesisht të koronarografive me një kohë mesatare pritjeje 4-, apo 5-mujore, rreth 100 prej tyre do të mbulohen gjatë këtij viti nga shërbimi i Kardiologjisë pranë QSUT-së, dhe rreth 150 të tjerë po të dalin nga kjo listë pritjeje me shërbime të realizuara, duke mundësuar kështu që brenda vitit kalendarik, të përgjysmohet lista e pritjes së këtij shërbimi.

Me sa u informova dje dhe sot, - tha më tej kreu i shëndetësisë, duke shtuar se janë 10 pacientë nga lista e pritjes, janë referuar nga Fondi për në këtë spital, siç janë referuar edhe në spitalet e tjera. Është një hap i parë, besoj se do ta zgjerojmë dhe gjatë vitit tjetër do ta shtrimë së pari në këto paketa që kemi, por besoj, edhe për ta zgjeruar me paketa të tjera. Duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve të pranishëm për listën e pritjes së pacientëve për këto shërbime, z. Beqaj u shpreh se presim që të paktën të përgjysmohet kjo listë pritjeje, “por besoj, se do ta ngushtojmë edhe më shumë falë bashkëpunimit që fillon tani dhe do të konsolidohet më tepër edhe vitin e ardhshëm,” – tha ai.

KOMENTE