English

Basha, merr mbështetjen e drejtuesve të lartë të CDU-së për përpjekjet e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me ftesë të kancelares Angela Merkel, mori pjesë në kongresin e 27-të CDU-së që u zhvillua në Këln. Në këtë kongres, kancelarja Merkel u rikonfirmua për të tretën herë në krye të CDU. Të ftuar në kongresin e CDU ishin liderë të partive të qendrës dhe qendrës së djathtë të BE, drejtues të PPE dhe të institucioneve të BE.

Ndërsa e ka uruar për rizgjedhjen kancelaren Merkel, z.Basha e konsideroi atë shembull frymëzimi për çdo lider që synim të punës dhe aktivitetit politik ka zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Z.Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që kancelarja Merkel i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe europian dhe në procesin e liberalizimit të vizave, ku qëndrimi i Gjermanisë ishte vendimtar për Shqipërinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë mbështetjen e drejtuesve të lartë të CDU-së për përpjekjet e PD në mbrojtje të standardeve demokratike të arritura në Shqipëri.

Në takimet që kryetari i Partisë Demokratike ka pasur me drejtues të lartë të CDU, Partisë Popullore Europiane dhe të institucioneve të BE është shprehur shqetësimi për gjendjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Bashkëbiseduesit theksuan se cënimi i pavarësisë së institucioneve, moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe sjellja në kundërshtim të hapur me normat e shtetit ligjor janë të papranueshme për vendet demokratike dhe veçanërisht për vende që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Ata shprehën mospajtimin e tyre të plotë për infiltrimin në administratë dhe në Kuvend të personave të inkriminuar, të cilët përdorën dhunën dhe kërcënimet për të sulmuar opozitën në parlament, me skenarë të orkestruar.

Z.Basha theksoi se pavarësisht krizës së rëndë parlamentare dhe të demokracisë në vend si rezultat i veprimeve të dyshes Rama-Meta, Partia Demokratike është angazhuar fuqishëm për të gjetur rrugët e rikthimit të kushtetuetshmërisë dhe normalizimit të jetës parlamentare.

Në këtë kuadër edhe në Këln bashkëbiseduesit diskutuan mbi propozimet e Partisë Demokratike për një marrëveshje politike shumicë - opozitë që do i jepte fund shkeljes së Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimit të instrumenteve të mbikqyrjes parlamentare si dhe do të adresonte çështjen e mprehtë të mekanizmit që promovon krimin deri në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se pavarësisht përpjekjeve të opozitës, për fat të keq, dyshja Rama-Meta ka refuzuar deri tani cdo angazhim në këtë drejtim, duke pretenduar herë se nuk ka dijeni për cështjet e ngritura nga opozita e herë se kushtet e opozitës tashmë qenkan plotësuar.

Kjo mungesë reflektimi nga drejtuesit e shumicës është një tregues i mungesës së deritanishme të vullnetit politik nga kryeministri Rama për të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë situatë të krijuar në vend.

Nga ana tjetër, kreu i opozitës vlerësoi dhe mirëpriti angazhimin e përfaqësuesve politikë të së djathtës dhe të majtës në Parlamentin Europian, të cilët duke vlerësuar me shqetësim situatën politike në Shqipëri kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në adresimin e krizës parlamentare në vend.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes PD dhe CDU ishte temë e rëndësishme e takimeve të z.Basha me drejtues të lartë të kristian – demokratëve gjermanë. Kryetari i PD dhe drejtues të CDU dhe Fondacionit Konrad Adenauer kanë diskutuar mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në integrimin europian të Shqipërisë. Projekte konkrete në drejtim të trajnimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Partisë Demokratike si dhe hartimit të një programi në funksion të alternativës fituese për Partinë Demokratike janë prioritetet e bashkëpunimit mes dy partive simotra PD dhe CDU.

KOMENTE