English

Basha: S'ka Shqipëri Europiane me parlament të inkriminuar që nuk zbaton Kushtetutën

Prononcim për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike:

- Nuk mund të ketë Shqipëri Europiane me parlament të inkriminuar që nuk zbaton Kushtetutën

- Basha përshëndet angazhimin e partnerëve europianë për zgjidhjen e krizës politike dhe i kërkon dyshes Rama-Meta të reflektojnë: “Topi është në fushën e tyre”

Opozita shqiptare është më e vendosur dhe më e qartë se kurrë për të mbrojtur interesin suprem të shqiptarëve që është demokracia dhe shteti ligjor. Jam i lumtur t’iu raportoj edhe me zë atë që ju raportova dje ju dhe publikut mbarë me njoftimin për shtyp pas vizitës në kongresin e kristiandemokratëve Gjermanë me ftesë të Kancelares Merkel, se shkalla e ndërgjegjësimit të institucioneve europiane, të vendimmarrësve kryesorë të politikës europiane dhe vendeve anëtare, është më e lartë se kurrë sa i përket domosdoshmërisë për të mbështetur kauzën e drejtë të opozitës, që është vendosja dhe rivendosja e kushtetueshmërisë, shtetit ligjor, e sundimit të ligjit, pikë së pari në aulën e demokracisë, në tempullin e demokracisë, që është Kuvendi i Shqipërisë.

Përparimi me një nga 5 kriteret kyçe për Shqipërinë në Europë, lufta kundër krimit, nuk mund të nisë pa treguar besueshmërinë në radhë të parë të isntitucionit kryesor të demokracisë në vend, parlamenti, bashkë me të qeveria, se jo vetëm ka vullnet të luftojë krimin, por ka vullnet ta luftojë krimin brenda radhëve të saj. Angazhimi konkret që ka ndërmarrë, Partia Popullore Europiane, bashkë me partitë simotra, ashtu edhe socialistët europianë, është i mirëpritur nga Partia Demokratike dhe aleatët tanë.

Jemi ne që për më shumë se katër muaj e gjysëm, kemi kërkuar me zë të lartë dhe pareshtur dekriminalizimin e parlamentit, respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rikthimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe garancitë e faktorit ndërkombëtar konkretisht të institucioneve europiane për këtë proces.

Sot jemi më afër se kurrë arritjes së këtyre parimeve, të këtyre standardeve të cilat nuk janë për opozitën, nuk janë për asnjë parti politike, por janë për Shqipërinë Europiane e cila mund dhe do të jetë e tillë vetëm me një Parlament ku nuk ka vend për krimin dhe një parlament i cili është i pari që respekton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo do të thotë se Partia Demokratike ia ka dalë që së bashku me aleatët të bëjë ndërgjegjësimin maksimal të faktorit ndërkombëtar sikundër ka bërë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë për rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset demokracisë në Shqipëri për shkak të katandisjes së Parlamentit në dhunuesin numër një të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimit të fjalës së lirë përmes repartit të personave me të kaluar kriminale në këtë Parlament.

Kjo do të thotë që Partia Demokratike është e gatshme të hedhë hapin tjetër të saj, së bashku me aleatët, pra opozita shqiptare është e gatshme, dhe jo vetëm është e gatshme, por është propozuesja e daljes nga kjo situatë.

Nuk jemi ne dhe nuk kemi qenë ne për asnjë çast pengesa, por pengesa kanë qenë ata që thoshin fillimisht se nuk e dimë se çfarë kërkon opozita, pastaj thonin ia kemi plotësuar kërkesat opozitës, por që shpresoj sot, të përballur me solidaritetin midis së majtës dhe së djathtës europiane, për të ndalur praktikat e keqqeverisjes parlamentare dhe asgjesimit të mbikqyrjes parlamentare, përmes shkeljes së Kushtetutës dhe angazhimit të muskulit kriminal në Parlament, do të reflektojnë, shpresoj të reflektojnë, u bëj thirrje të reflektojnë. Topi është qartësisht në fushën e tyre.

KOMENTE