English

INSTAT: Anketa Tremujore e Forcave të Punës. 78 mijë persona të punësuar këtë vit

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2014, sipas Anketës së Forcave të
Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.043.058 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 219.585 persona.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2014 në Shqipëri:
 Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,4 %.
 Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,4 %.
 63,4 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.
 Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 52,3 %.
 Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013 shkalla e punësimit është rritur me 3,7 pikë përqindje, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 4,8 pikë përqindje, dhe shkalla e papunësisë është rritur lehtë me 0,2 pikë përqindje (grupmosha 15-64 vjeç).
 Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014, shkalla e punësimit është rritur me 1,8 pikë përqindje, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 2,1 pikë përqindje dhe shkalla e papunësisë ka rënie të lehtë prej 0,2 pikë përqindje (grupmosha 15-64 vjeç)

Gjatë tremujorit të tretë 2014, totali i të punësuarëve është rritur 8,18 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Në sektorin e bujqësisë numri i të punësuarve është rritur me 9,65 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Të punësuarit në sektorin e industrisë kanë pësuar jnë rritje vjetore me rreth 9,7 %, nga ku 22 % është rritja e punësimit në sektorin e industrisë përpunuese. Në sektorin e shërbimeve të punësuarit janë rritur me rreth 6 %.

Punësimi
Në tremujorin e tretë të vitit 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç
është 63,4 %. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 53 % dhe për meshkujt 74,2 %. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 2,1 pikë përqindje. Ky tregues është rritur si për femrat ashtu dhe për meshkujt përkatësisht me 2,9 pikë
përqindje dhe 1 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të tretë 2014, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29vjeç është 45,1 %. Shkalla e punësimit të të rinjve është 30,5 %.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 30-64 vjeç është 73,2 %. Shkalla e punësimit për këtë grupmoshë është 64,1 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2014, 43,1 % e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë, dhe 23,4 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë;
riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme).
Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv;
social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 16,1 % të punësimit total. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 8,5 % të të punësuarve gjithsej.

Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë 2014 është: 7,8 % në industrinë përpunuese; 6,2 % në ndërtim; 2,3 % në bujqësi.
Gjatë tremujorit të tretë 2014, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42 %. Të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 26,2 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 31,8 % të punësimit total.

Shkalla e punësimit (grupmosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë (65,7 %), pasuar nga ata me arsim të mesëm profesional (65 %). Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë, dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes.
Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht 65 % dhe 46,4 %.
Një në pesë të punësuar të grupmoshës 15-64 vjeç me arsim 8/9 vjeçar janë të punësuar me pagë, afërsisht gjysma janë punëtorë pa pagesë të familjes, dhe një e treta e tyre janë të vetëpunësuar.
Pesha që zënë të punësuarit me pagë rritet me rritjen e nivelit arsimor. Nga të punësuarit me arsim të lartë 87,7 % janë të punësuar me pagë dhe vetëm 4,6 % janë të punësuar si punëtorë pa pagesë të familjes. Tek të punësuarit me arsim të mesëm profesional dhe me arsim të mesëm të përgjithshëm
përqindjet që zënë të punësuarit me pagë janë përkatësisht 46,7 % dhe 49,1 %.

Papunësia
Gjatë tremujorit të tretë 2014 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 219.585 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17,4 %. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,6 % dhe 14,5 %. Krahasuar me tremujorin e dytë 2014, vihet re se shkalla e papunësisë si për meshkujt dhe për femrat ka pësuar një rënie të lehtë prej 0,2 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 24,3 % ose 6,9 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 18,1 %. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e
papunësisë është përkatësisht 13 % dhe 14 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2014 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,4 %. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u ul me 1,1 pikë përqindje.
Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e tretë 2014 shkalla e papunësisë është 12,4 %.
Përsa i përket mënyrave të kërkimit për punë, 87,3 % e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës (52 %) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 60,2 % të punëkërkuesve të papunë.

Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të tretë 2014 numri i personave të moshës 15-64 vjeç jashtë tregut të punës dhe që nuk po kërkojnë punë ose nuk janë të disponueshëm për të punuar (ndryshe popullsia ekonomikisht joaktive) është 730.137.
Popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht jo-aktive përbën 36,6 % të popullsisë në moshë pune. Gjatë tremujorit të tretë 2014, 20,6 % e popullsisë ekonomikisht jo aktive e moshës 15-64 vjeç është duke përmbushur detyrat shtëpiake.
Nga ATFP rezulton se 11,4 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç janë në pension ndërsa 9,4 % janë në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të tretë 2014, 12,5 % e personave ekonomikisht jo-aktivë të moshës 15-64 vjeç janë të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 63,7 % të të rinjve ekonomikisht jo aktivë.
Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo aktivë, 9,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar ndërsa në popullsinë më të rritur, të moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 15,9 % të popullsisë ekonomikisht jo aktive të kësaj grupmoshe.

KOMENTE