Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti Drejtorin për Cështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi në një takim ku shprehu shqetësimin e thellë për rrënimin nga mazhoranca në një vit e gjysëm të standardeve demokratike të arritura në 24 vite.
Kryetari Basha e informoi z. Yazdgerdi për asgjësimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe sulmet fizike me skenarë të mirëorganizuar nga kryeministri, me anë të deputetëve me të shkuar kriminale, të cilët gjenden enkas në kuvend për të kërcënuar fjalën e lirë.
Basha i bëri të ditur zyrtarit amerikan se në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca refuzoi tre kërkesa radhazi të opozitës për të ngritur komision hetimor për shitblerjen e votave në Korcë, vjedhjen e miliona të dhënave të serverit të tatimeve, si dhe për të hetuar mekanizmin e emërimeve kriminale.
Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu përfaqësuesit të Departamentit Amerikan të Shtetit alarmin për kapjen e institucioneve të pavarura nga dyshja Rama-Meta dhe rritjen e presionit ndaj gjykatave. Pushteti absolut oligarkik dhe shteti arbitrar, e jo demokracia dhe shteti ligjor është realiteti që po instalon në vend kjo dyshe, tha Basha.
Basha u ndal tek dhunimet masive të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, dhunimin e banesës, veprimet në kundërshtim me ligjin dhe urdhrat e vendimet e gjykatave dhe shoqërimet e paligjshme në polici deri të fëmijëve të mitur, si dhe natyrën thellësisht selektive dhe arbitrare të fushatave të ndërmarra nga ekzekutivi. Në takim kryetari i opozites vuri në pah faktin se media dhe shoqëria civile janë nën trysninë e vazhdueshme të qeverisë.
Basha theksoi se opozita kërkon prej muajsh normalizimin e jetës parlamentare përmes funksionimit të Parlamentit sipas rregullores e Kushtetutës dhe cmontimit të mekanizmit që promovon të inkriminuarit nga administrata deri në Parlament.
Duke i bërë të ditur zyrtarit të lartë amerikan se rrënimi i standarteve demokratike po rrezikon bashkëjetesën demokratike në vend, kryetari i opozitës shprehu bindjen se monitorimi dhe asistenca e partnerëve tanë strategjikë do të kontribojnë në rikthimin e stabilitetit politik të vendit.
Basha rikthesoi qëndrimin e Partisë Demokratike se harta territoriale e miratuar nga shumica ka për synim kapjen e zgjedhjeve në tavolinë dhe deformimin e vullnetit dhe të drejtës së qytetarëve për një qeverisje sa më afër tyre.
Për këto arsye kjo hartë e interesave politike dhe pazareve të dyshes Rama-Meta është e papranueshme nga opozita.