Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim dypalësh me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në atë kulturës dhe arsimit.
Kryeministri Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.
Kryeministri Li Keqiang i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me Kryeministrin shqiptar.
Në emër të Qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore.
Kryeministri kinez lajmëroi zhvillimin e takimit të katërt mes krerëve të qeverive të 16 vendeve europiane dhe kreut të Qeverisë kineze, takim që do të mbahet vitin e ardhshëm në Kinë.
Kryeministri Rama ftoi Kryeministrin Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt e të përshtatshëm.