Deklarata e Ministres Nikolla për rezulatet e provimit kombëtar të mësuesve
Sot, është një tjetër ditë e transparencës së cilësisë së burimeve njerëzore në arsim. Është publikimi dhe rankimi i rezultateve të 5217 mësuesve që u testuan në 6 dhjetor në çdo Drejtori Arsimore Rajonale në vend.
Vlerësimi përfundoi para aftit të parashikuar falë punës profesionale dhe cilësore të 120 vlerësuesve në 25 profile të ndryshme. Menjëherë pas përfundimit të vlerësimeve, nuk presim asnjë çast, por po publikojmë të gjitha rezultatet në faqen zyrtare të MAS dhe “Mësues për Shqipërinë”.
Është hera e parë që kemi një renditje sipas pikëve përkatëse në nivel kombëtar dhe rajonal, sipas çdo profili, për çdo mësues që kërkon të bëhet pjesë e sistemit arsimor.
Siç u angazhuam, ne sot i japim përgjigje një situate në kushtet e një emergjence kombëtare në arsim, ku 1 (një) në 4 (katër) nxënës (jo të një klase), merrnin mësim të paktën në një lëndë, nga mësues që nuk kishin fare lidhje me ekspertizën e lëndës që jepnin.
Kjo është përmasa reale e transparencës dhe e zbatimit të ligjit, pasi transparenca në çdo shoqëri demokratike nuk e dobëson ligjin, por përkundrazi i jep jetë atij. E bën zgjedhjen nga komisionet e shkollave të drejtë dhe të ndershme, ndërkohë që i mundëson qartësinë dhe informacionin e duhur komunitetit sesi përzgjidhen mësuesit e shkollës së tyre.
Po sigurisht, kjo është edhe përgjigja e fortë dhe e prerë e Qeverisë shqiptare ndaj korrupsionit në arsim, korrupsionit të vjetër e atij të ri.
Të dashur mësues!
Nuk do të ketë më radhë pas dyerve të Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, jo më rendje me zarfe korrupsioni pas drejtuesve në arsim, jo më politikanë, deputetë apo kryetarë bashkish e komunash që emërojnë e çemërojnë mësues.
Sepse emergjencës kombëtare në arsim, ku 1984 mësues u gjendën pa arsimin përkatës dhe 2064 mësues jashtë profilit, si dëshmi e shkeljes së ligjit në mënyrën më të pashembullt nga ata që sot na tregojnë ligjin, ne ju përgjigjëm me një sistem të ri merite dhe transparence që lë jashtë korrupsionin në emërimet në arsim.
Këta mësues do të shkojnë që në janar sipas meritës, dhe vetëm asaj, pranë shkollave për të shpëtuar 177 mijë nxënës e për të kthyer funksionimin e shkollave në shinat e ligjit. Këta mësues do të jenë të komanduar, e do të mund të bëhen definitivë vetëm pasi të jenë certifikuar nga komisionet e vlerësimit.
Është e thjeshtë, e qartë si drita e diellit. Ju përgjigjëm emergjencës kombëtare me një sistem të shëndetshëm, larg aferave korruptive.
Do të çojmë në shkolla mësuesit me arsim përkatës e brenda profilit të tyre, por edhe sipas meritës. Kaq e thjesht është kjo situatë!
Ndërsa skeptikëve dhe keqdashësve i themi se përgjigjen ne e japim me punë e me rezultate edhe në ditët në vijim, por së pari shpëtuam fëmijët dhe i kthyem autoritetin mësuesit dhe ligjit.
Emërimet politikë dhe korruptive nuk janë produkt as i konkurrencës, as i një testimi të sekretuar e miradministruar e as i transparencës. Kush ngatërrohet, kërkon të mbrojë zullumin më të madh që i është bërë jetës së fëmijëve tanë në të shkuarën.
Janë skualifikuar 14 mësues që kishin shënuar emrin mbi test. Kjo është transparenca jonë!
Ndërkohë për të gjithë mësuesit kandidat në këtë testim, rezultatet e provimit janë shpallur në faqen e web-it të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.arsimi.gov.al si dhe faqes së portalit “Mësues për Shqipërinë” në adresën http://mesues.arsimi.gov.al/
MAS dhe komisionet e vlerësimit presin ankimimet deri më datë 22 dhjetor për të bërë verifikim serioz të çdo vlerësimi që mund të ketë kontestim. Ankimimet bëhen pranë çdo DAR/ZA përkatëse.
Lejomëni gjithashtu të përcjell një falënderim të madh për të gjithë hartuesit e këtij procesi, specialistët e IZHA, AKP dhe ISHA, mësuesit që besuan dhe morën pjesë tek ky proces, administratorët e provimit dhe vlerësuesit e testit për punën cilësore dhe profesionale treguar gjatë gjithë këtij procesi që shënjoi një standard të ri, larg aferave korruptive dhe pranë meritës.
Faleminderit dhe suksese mësuesve!
REZULTATET E TESTIMIT TË RENDITURA PËR ÇDO DAR SIPAS PROFILEVE
http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/apu/REZULTATI-PROFIL-ME-RENDITJEN.pdf