English

1 janar 2015. Ndryshime në pagat minimale dhe maksimale

Tashmë viti 2015 do të vijë edhe me ndryshime në pagat si atë minimale dhe atë maksimale. Nga 1 janari 2015 do të ketë vetëm një pagë të unifikuar minimale, mbi të cilën do të llogaritet edhe paga maksimale, teksa do të hyjnë në fuqi ndryshimet e bëra pak muaj më parë në ligjin për sigurimet shoqërore. Ky ndryshim ligji do të sjellë automatikisht një rritje të pagës minimale për të vetëpunësuarit, të çdo kategorie qoftë.

Aktualisht paga minimale e deklaruar është 19,406 lekë, teksa ajo do të barazohet me pagën minimale në shkallë vendi për të punësuarit dhe punëdhënësit, që është aktualisht 22 mijë lekë. Ndryshime në deklarimet e kontributeve do të ketë edhe vlera e pagës maksimale. Paga maksimale, e cila do të llogaritet si pesëfishi i pagës minimale të unifikuar, pra 22 mijë lekë, dhe jo më si pesëfishi i pagës minimale për të vetëpunësuarit me verën 19,406 lekë. Si rrjedhojë paga maksimale nga 1 janari do të jetë 110 mijë lekë, nga 97,030 lekë, që është aktualisht. Rritja e e deklarimit të pagës maksimale do të jetë në masën 13.3 për qind. Këto ndryshime vijnë në bazë të ligjit Nr. 104/2014, PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR, shkruan "Shekulli".

Aktualisht kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi deri në datën 31.12.2014. Ligji specifikon se pas datës 1 janar 2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi. Ndryshimet e bëra në ligjin e kontributeve pritet të sjellin në buxhetin e shtetit 1/3 e të ardhurave që janë aktualisht nga deklarimi i pagave.

KOMENTE