English

Bashkia e Tiranës promovoi librin e inxhinierit Orhan Sakiqi, “Infrastruktura e Tiranës, vështrim në vite”

Në kuadër të 400 vjetorit të Tiranës qendër urbane, Bashkia e Tiranës promovoi librin e inxhinierit Orhan Sakiqi, “Infrastruktura e Tiranës, vështrim në vite”. Një libër përmes të cilit risillen në vëmendje edhe një herë infrastruktura dhe pjesa inxhinierike që shërbyen në ndërtimin dhe rikonstruksionin e Tiranës së sotme.

E pranishme në këtë aktivitet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi theksoi se -“libri përveçse një vlere qytetare që të gjithëve ne na kishte munguar deri tani, ky libër është një mesazh i mirë edhe për brezat, është një lidhje mes brezave”.

Autori Orhan Sakiqi, teksa falënderoi Bashkinë për promovimin, tha se libri vlen si gjurmë që sado e vogël, mbetet në memorien e këtij qyteti.

“Sinqerisht, ju falënderoj. Në këto ditë festash është shumë bukur t’u shtosh edhe një aktivitet si ky. Në kuadrin e 400 vjetorit të Tiranës, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me disa nga bashkëpunëtorët e saj të mirë, të këtij qyteti të mrekullueshëm, për t’i sjellë qytetit çdo gjë të bukur që ka pasur në ato vite dhe çdo gjë të bukur që ka në këto vite por edhe duke revokuar të kaluarën, për të ndërtuar një të ardhme të mirë, kemi sjellë para audiencave të ndryshme botime shumë interesante. Në emër të kryetarit të Bashkisë, z. Basha që “muza iu shtoftë, shëndeti ju priftë dhe të keni sa më shumë gjëra të kësaj natyre!”. Do të inkurajoja këdo që ndien se ka ekspertizën, dëshirën e duhur të na lërë në memorien e këtij qyteti vepra të kësaj natyre. Nuk e kemi luksin të kemi shumë por ata që kemi, të kemi mundësi të mburremi me ta, ndaj uroj që ky promovim të shkojë shumë mirë”-përfundoi nënkryetarja Xhindi.

Libri “Infrastruktura e Tiranës” i konceptuar në dy pjesë, sjell shkrime që janë shkruar për Tiranën, kryesisht për infrastrukturën, por edhe vështrime mbi disa rrugë kryesore, përshtypje nga vizita në delegacione, mbi disa ndërtesa si projektues konstruktor, tre recenca librash, për historikun e Tiranës së vjetër, si dhe trajtat urbanistike të qytetit. Ka edhe shkrime për qendrën, zonat e degraduara urbane, për ngërçin urbanistik, për furnizimin me ujë, për stadiumin e ri, parkun e madh. Në pjesën e dytë, autori sjell trajtesa mbi infrastrukturën e Shqipërisë. Kryesisht ato janë për Korridorin e Tetë, Rrugën e Kombit, Rrugën e Arbrit, Urën e Zogut mbi lumin Mat.

KOMENTE