Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, Ministra të kabinetit qeveritar, deputet, ambasador dhe diplomat të huaj, si edhe përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare.
Në këtë ceremoni, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës, i dha zotit Meta çmimin me motivacionin “Lideri i Forcës Politike në mbështetje permanente ndaj sipërmarrjes private”.
Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, tha se duhet bërë edhe shumë për sipërmarrjen shqiptare pasi vitet që kanë kaluar kanë qenë vite krize për ekonominë shqiptare, por edhe për vendet e rajonit dhe eurozonës. “Për çmimin falënderoj Dhomën e Tregtisë. Nuk mendoj se kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por besoj se mund të bëjmë shumë më tepër të gjithë sëbashku. Kanë qenë vite të vështira për sipërmarrjen dhe për ekonominë e vendit sikur jemi të ndërgjegjshëm që kanë qenë vite të vështira për vendet e rajonit, të eurozonës, nga të cilat ne jemi shumë të varur. Ndaj unë besoj që me dialog, me mirëkuptim, me bashkëpunim, padyshim që mund të bëjmë shumë më tepër”,- tha Kryetari i Kuvend.
Në vij të fjalës së tij, z. Meta theksoi se: “Ajo që unë do të doja, është që këtë çmim do ta mbajë në zyrën time të Kryetari të Kuvendit. Do t’ia tregoj edhe zotit Angjeli, sekretarit të Komisionit të Ekonomisë dhe të gjithëve që do të vijnë herë pas here për t’i kujtuar që ne si Kuvend duhet të bëjmë akoma më shumë për të dëgjuar zërin e sipërmarrjes shqiptare.”
ceremonia vKryetari i Kuvendit vuri në dukje edhe rëndësinë që ka sipërmarrja shqiptare, së bashku me politikën, në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian duke pohuar se nuk duhen bërë gabimet e së shkuarës, qoftë nga politika, ashtu edhe nga sipërmarrja. “Dhe njëkohësisht do të doja t’ju ftoja të gjithëve për të qenë më të vëmendshëm sa i takon së ardhmes edhe në drejtim të procesin të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besoj se nuk duhet të bëjmë më ato gabime që janë bërë në të shkuarën, edhe ne si institucione, por edhe biznesi me indiferencën e tij, pra duhet që edhe sipërmarrja të jetë më aktive në mënyrë që Shqipëria të ketë kapacitetet e duhura për të negociuar dhe për të mbrojtur në maksimum interesat e saj dhe interesat e sipërmarrjes shqiptare për të ardhmen”.
Në mbyllje të fjalës së tij, z. Meta i uroi një vit të mbarë për sipërmarrjen shqiptare, duke shtuar se nga suksesi i tyre janë të varur me dhjetra mijëra qytetar që janë të punësuar në këtë sektor. “Dhe me këtë rast ju uroj të gjithëve një vit të lumtur, sepse kur jeni ju të lumtur, janë të lumtur me mijëra, dhjetra mijëra njerëz të cilët ju i keni në punë, të cilët e kanë fatin e tyre, të familjeve të tyre me suksesin e sipërmarrjeve të tuaja. Pra 2015 qoftë një vit i mbarë për sipërmarrjen shqiptare. Suksese dhe mbarësi të gjithëve”, përfundoi Kryetari i Kuvendit.
Ndër të tjera, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta i dha çmimin kompanisë “Klik Ekspo Grup”, përfaqësuesi i së cilës e cilësoi si një nderim që këtë çmimin e mori nga Kryetari i Kuvendit.