Kuvendi u mblodh dje në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, në fushën e drejtësisë etj.
Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, deputeti Robert Bitri vlerësoi nismën e paraqitur, duke deklaruar se ndryshimet i japin fund problemit të ndërlikuar të kalimit të pronësisë së tokave bujqësore.
“Ky ligj rirregullon disa aspekte të tij, duke mbajtur parasysh përshtatjen me zhvillimin shoqëror aktual dhe atë ligjor. Plotësimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi, do të bëhet nëse plotësohen kriteret. Projektligji i propozuar nuk ka efekte financiare shtesë, për buxhetin e shtetit dhe është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Si i tillë, duke miratuar këtë ligj që hap dritën e zgjidhjes së problemit aq të ndërlikuar ,si ajo e kalimit të pronësisë së tokave bujqësor, edhe në emër të LSI-së, deklaroj mbështetjen me votë të këtij ligji”, tha z. Bitri. Projektligji u miratua me 84 vota pro. Me kaq vota u miratua dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” të ndryshuar”.
Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho tha se qëllimi dhe objekti parësor i projektligjit është forcimi i disiplinës ushtarake, të rendit ushtarak dhe të autoritetit të komandimit-kontrollit në Forcat e Armatosura për sigurimin e përmbushjes së misionit të tyre kushtetues.
“Ju sjell në vëmendje se ndryshimet kryesore që do të sjellë ky projektligj janë: Detajimi i rrethit të subjekteve që kanë autoritetin e dhënies së masave disiplinore ndaj ushtarakëve; shtimi i shkeljeve disiplinore; kategorizimi i masave disiplinore; dhënia e masave disiplinore nga autoritetet civile. Për herë të parë janë futur dhe konceptet e rrethanave lehtësuese dhe rënduese si dhe pezullimi disiplinor, koncepte këto të huazuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, tha z. Braho.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se përmes këtij projektligji forcohet integriteti i burrave dhe grave me uniformë.
“Projektligji për disiplinën ushtarake është përpjekje për të forcuar disiplinën bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve aleate. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i normave dhe rregullave të sjelljes dhe etikës së forcave të armatosura. Përmes këtij projektligji nuk po rrisim apo forcojmë dënimin për ushtarakët, por po forcojmë integritetin e burrave dhe grave me uniformë. Ndër shkeljet e reja disiplinore të parashikuara, përmendim shkeljet me karakter politik, në mbajtjen dhe përdorimin e informacionit, apo ngacmimet seksuale, një shkelje që gjendet e shkruar në të gjitha ligjet e vendeve anëtare të NATO-s”, deklaroi znj. Kodheli. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 83 vota pro.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) e Shtabit të Komandës Supreme Aleate për transformimin në plotësim të protokollit të Parisit” u miratua me 85 vota pro.
Seanca vijoi me diskutimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378,datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, sqaroi se ndryshimet në ligj parashikojnë vendosjen e një sistemi të pikëzimit të lejeve të drejtimit, që do të sjellë përgjegjësi më të madhe nga ana e drejtuesve të automjeteve.
“Kodi ka vendosur si kërkesë të domosdoshme përdorimin e ndenjëseve të posaçme për fëmijët. Nga dita që Kodi hyn në fuqi, fëmijët duhet të trajtohen në mënyrë të posaçme për sa kohë do të qëndrojnë në automjet. Ministri sqaroi se tashmë do të ketë penalitete për të gjithë ata që vendosin reklama në rrugët kombëtare, ndërhyjnë në infrastrukturën rrugore duke krijuar hyrje të paligjshme".
Z. Haxhinasto sqaroi se për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve nga distributorët ligjorë të automjeteve, ky shërbim realizohet nga një kontratë koncensionare nga kompania SGS.
Në emër të grupit socialist, Deputeti Namik Kopliku paraqiti disa nga risitë e kësaj nisme ligjore. “Do të doja të vija në dukje se jemi në dekadën e sigurisë rrugore e përcaktuar si e tillë nga OKB, si dhe vazhdimisht komisioni i BE-së, shpall nismat për një hapësirë mbarë evropiane të sigurisë rrugore. Këto ndryshime kanë të bëjnë me tre pika. Së pari rritja e masave për sigurinë rrugore, aspekti i dytë ka të bëjë me kategorizimin e mjeteve të transportit. Është edhe një aspekt i tretë i këtij projektligji që është aspekti i penaliteteve ligjore”, tha z. Kopliku.
Ndërsa në emër të LSI-së, z. Petrit Vasili tha se të gjitha masat e propozuara vijnë në kohën e duhur dhe sigurisht që edhe sensi i tyre i përputhshmërisë më legjislacionin e ngjashëm evropian është një pozitivet i cili duhet nënvizuar.
“Çdo ndryshim në këtë Kod, qoftë përforcimi i masave ligjore, të sistemit të gjobave, të dënimeve për cenimet e rrugës, të cilësisë së rrugës, të tabelave dhe të gjithë sinjalistikës duhet parë i lidhur në mënyrë të vazhdueshme vetëm me një fenomen, pra që çdo masë e marrë ndikon në kursimin e jetëve njerëzore ose të aksidenteve të shumta që ndodhin, të cilat shkaktojnë në rastin më të keq marrjen e jetës, në një rast tjetër, që do ta quanim më të mesëm, në prishjen e cilësisë së jetës dhe në një rast të tretë në krijimin e një problematike të madhe financiare në përballimin e këtyre rasteve nga pikëpamja private, por edhe në pikëpamjen e sistemit publik, i cili shpenzon shuma të jashtëzakonshme për t’i përballuar këto problematika kaq të komplikuara”, tha z. Vasili. Ndryshimet në Kodin Rrugor morën 84 vota pro.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në seancën e djeshme plenare edhe masën e shpërblimit për disa kategori të caktuara për festat e fundvitit.
“Ashtu sikundër meritojnë vëmendje njerëzit në nevojë, ashtu meritojnë stimuj njerëz të spikatur të kësaj shoqërie. Kemi vendosur të shpërblejmë për Vit të Ri, personat me aftësi të kufizuar, familjet në ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë. Të gjithë bashkë këta janë grupi më vulnerabël që këtë shumë mund ta përballojnë edhe për heqjen e fashës së energjisë. Për pensionistët kryefamiljarë, të vetmuar ose në çift, për familjet me ndihmë ekonomike dhe PAK do të jepet shpërblim prej 3 mijë lekësh ose 30 dollarë. Do të marrin 2 mijë lekë ose 20 dollarë të gjithë pensionistët e tjerë. Veteranët e luftës dhe të përndjekurit e regjimit komunist, mbi moshën 65 vjeç, do të marrin 5 mijë lekë ose 50 dollarë. Do të shpërblejmë për vit të ri të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe familjet e ushtarakëve me misione jashtë Shqipërisë me 10 mijë lekë ose 100 dollarë. Do të shpërblejmë mësuesit e 10-të shkollave të rankuara të parat në MASH, me 40 mijë lekë ose 400 dollarë. Do të shpërblejmë të gjithë nxënësit e shkëlqyer të Republikës, që nga pjesa e dytë e ciklit 9-vjeçar dhe ciklin e mesëm me 5 mijë lekë ose 50 dollarë. Gjithashtu dhe studentët e ekselencës me 5 mijë lekë ose 50 dollarë. Nderkohë 3 shërbimet më të mira shëndetësore shpërblehen me 40 mijë Lekë ose 400 dollarë. Njësia policore e Tiranës 40 mijë lekë ose 400 dollarë. Stafi i Parkut Kombëtar të Divjakës shpërblehet me 40 mijë lekë/person ose 400 dollarë”, theksoi z. Rama.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, komentoi ndryshimet që lidhen me penalizmin e të gjithë atyre që ndërtojë pa leje duke cenuar territorin.
“Të tilla ndryshime motivohen nga domosdoshmëria e ndërhyrjes edhe në nivel të legjislacionit penal në kushtet e përballjes me një situatë alarmante ndërtimesh pa leje në territor, situatë që pengon haptazi zhvillimin e territorit. Zhvillimi i territorit nuk është një çështje e thjeshtë që mund të anashkalohet. Ai përfaqëson një rëndësi kombëtare, përsa kohë vlera e krijuar përvetësohet nga e gjithë shoqëria. Është shteti ai që përmes masave dhe instrumenteve të duhura duhet të garantojë që ky zhvillim të jetë i drejtë. Në momentin aktual kuptohet që ne na duhet që të fuqizojmë instrumente të tilla me qëllim ndaljen e degradimit të mëtejshëm të territorit dhe sa është e mundur rikthimin e tij në identitet”, tha znj. Felaj. Ndryshimet në Kodin Penal morën 84 vota pro dhe 1 kundër.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar””, relatori Armando Subashi tha se propozimet në komisionet parlamentare nga aktorë dhe faktorë të ndryshëm, qoftë brenda vendit, por edhe nga partnerët ndërkombëtare, tregojnë më së miri nevojën e madhe që ka për ndryshime në legjislacion dhe se sa emergjente është reforma në drejtësi.
“Ne jemi dëshmitarë që Parlamenti ka kthyer disa dekrete të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe ky kthim s’ka pasur të bëjë me cilësitë konkrete të kandidatëve dhe me plotësimin e kritereve të tyre, por ka pasur të bëjë kryesisht me një detyrim ligjor, që Presidenti ka pasur për të bërë konsultime të nevojshme në përputhje me ligjin, me kryetarët e grupeve parlamentare. Ato dekrete për mënyrën se si janë nxjerrë, kanë treguar se realisht ky proces nuk është kryer siç duhet nga Presidenti. Ndaj sot e shoh me vend që të falënderoj kolegët e mi të cilët kanë bërë këto propozime dhe nëpërmjet këtyre kërkojnë që ta precizojnë këtë proces, ta bëjnë më të qartë dhe më detyrues e pikërisht procesin e konsultimeve midis Presidentit nga njëra anë dhe kryetarë të grupeve parlamentare nga ana tjetër përpara se të vijmë tek finalizimi i procesit që është nxjerra e dekretit”, tha z. Subashi.
Ky projektligj u miratua me 84 vota pro dhe 1 kundër.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito tha se ka ardhur koha që të pranohet se administrata shtetërore, shërbimi civil, nuk është më një plaçkë lufte që shpërndahet pas fitores, por është një e mirë e përbashkët në shërbim të gjithë qytetarëve.
“Çdo kandidat shpreh në radhë të parë vullnetin për të qenë pjesë e administratës së shtetit dhe si i tillë ndihet i aftë për të përmbushur këto kritere. Kriteret e përzgjedhjes propozohen nga institucionet në funksion të nevojave të tyre. Por standardet nuk janë në duart e arbitraritetit të drejtuesve të çdo institucioneve. Modernizimin e administratës ne do ta vazhdojmë. U kemi dhënë të rinjve sinjalin e duhur. Shërbimi civil nuk do të jetë më një vend, ku kalohet rehatshëm. Ashtu sikurse konsoliduam hyrjen në shërbimin civil, ashtu do të garantojmë përmes këtyre amendimeve që sjellim sot në ligj, që shërbimi civil është ai që duhet të jetë, fytyra e re e shtetit shqiptar”, tha znj. Harito.
Ndërsa relatorja Vasilika Hysi paraqiti disa nga risitë që sjell projektligji. “Rregullohen më mirë marrëdhëniet midis Këshillit drejtues të Shkollës së Administratës Publike me Departamentin e Administratës Publike. Është një risi shumë e mirë për të gjithë ata që kanë konkurruar në konkurse dhe kanë fituar 70 pikë, por që nuk kanë pasur mundësi të punësohen, për shkak të mungesës së vendeve të punës, që në rast se krijohen vende të lira në mënyrë të përkohshme, ata do të kenë mundësi që të punësohen. Përfundimi i marrëdhënies në shërbimin civil për shkak të ristrukturimit ose mbylljes nuk lejohet, me përjashtim të rastit kur ka shkurtim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë dhe transferimi i këtyre nëpunësve në të njëjtën kategori është i pamundur. Rritet numri i pagave të dëmshpërblimit deri në 12 paga në rastet e largimit të nëpunësit civil si pasojë e ristrukturimit ose mbylljes së institucionit. E treta, vendoset si garanci tjetër për këtë kategori nëpunësit që brenda dy viteve pas përfundimit të marrëdhënies së shërbimit civil, ata të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele ose të ngritjes në detyrë ose të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse”, tha znj. Hysi.
Ky projektligj u miratua me 84 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar” mori 84 vota pro.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo - territoriale të njësive të qeverisjen vendore në Republikën e Shqipërisë”, që mori 85 vota pro, propozuesi i ndryshimit Vangjel Tavo tha se, me anë të kësaj kërkese, drejtuar Kryetarit të Parlamentit, z. Ilir Meta, Kryeministrit të vendit z. Edi Rama, ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore z. Blendi Çuçi dhe deputetëve të qarkut Gjirokastër, përfaqësuesit e pushtetit vendor në zonën e minoritetit grek kërkojnë që fshati Jorgucat të jetë qendër e bashkisë së re të Dropullit, e krijuar me hartën e re të ndarjes administrative- territoriale. “Nëse për dikë kjo kërkesë mund të konsiderohet si e tepruar apo pa vend, dëshiroj të them që është plotësisht e argumentuar në një sërë aspektesh dhe në funksion të plotë të komunitetit. Kjo pasi, nëse do kthehemi pas në histori do të shohim se Jorgucati ka qenë Qendër Administrative dhe në periudhën para çlirimit, sidomos në periudhën e mbretit Zog, por edhe në periudhën e monizmit ka qenë zonë që kryheshin një sërë shërbimesh administrative dhe sociale”, tha z. Tavo.
Kuvendi miratoi me 81 vota pro dhe 2 abstenim projektvendimin “Për lirimin e z. Adrian Civici si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa me 84 vota pro, u miratuan dy projektvendimet e tjera, më konkretisht ai për “Për miratimin e strukturës,organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” si dhe projektvendimin “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9643,datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” të ndryshuar.