Pak ditë para Krishtlindjeve, Kryeministri Rama ishte dje në Korçë për të inspektuar kantieret së “Rilindjes së Qyteteve” të ngritura në të gjithë qytetin. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo dhe Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.
Gjatë inspektimeve të punimeve në parkun “Rinia” të qytetit, Kryeministri Rama vizitoi xhaminë 500 vjeçare të qytetit të Korçës, një nga më të vjetrat edhe në Ballkan, të rikonstruktuar së fundmi.
Kryeministri u shpreh se kjo vepër arkitekturore e jashtëzakonshme meriton vëmendje të madhe. Ndërsa Zëvendëskryeministri Peleshi shpjegoi se në bashkëpunim me Myftininë e Korçës po përgatitet një projekt rindërtimi, i cili do ta risjellë atë në të njëjtën arkitekturë të mëparshme. “Ne kemi folur edhe me Myftiun, edhe me Kryetarin e Bashkisë që të ndërtojmë edhe kullën e Sahatit këtu, siç ka qenë para 500 vjetësh. Kemi fotografi të vjetra. Kryetari është duke bërë një projekt në bashkëpunim me Myftininë për ta rindërtuar,” - u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi.
Më pas, Kryeministri Rama vijoi inspektimin e tij në kantierin e hapur për rikonstruksionin e pazarit të vjetër të Korçës, i cili përfaqëson edhe vlerën kulturore më të rëndësishme të qytetit.
Kryetari i bashkisë Sotiraq Filo, duke falënderuar për fondin e akorduar nga qeveria tha se fatkeqësisht kjo zonë karakteristike e qytetit ka qenë e lënë pas dore nga qeveria e kaluar. “Pazari ka qenë krejtësisht i lënë pas dore pavarësisht se ka qenë vlera kulturore më e rëndësishme në qytet. Gjej rastin t’ju falënderoj për fondin e akorduat 2,6 milionë dollarë nga qeveria. Do të mundësojmë ndërhyrjen në pjesën më të madhe,” - u shpreh Kryetari i Bashkisë Filo.
Kryeministri Rama, u shpreh se nuk ka vend më të bukur se ky qytet për të kaluar festat e fundvitit dhe se çdokush që do të ketë fatin të jetë aty, në këtë periudhë të vitit, do të jetë njëkohësisht dëshmitar i një transformimi të jashtëzakonshëm të qytetit.
“Korça ka vite që është vendi më i bukur për të kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por besoj se kush do të ketë fatin të gjejë një vend për të kaluar natën e Krishtlindjeve në Korçë, do të ketë dhe mundësinë të prekë nga afër për herë të parë një transformim fantastik përmes një projekti jashtëzakonisht ambicioz dhe jashtëzakonisht inovativ dhe emancipues të bashkisë së Korçës, që ne e kemi mbështetur fuqimisht dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht dhe në të ardhmen. Kemi marrë një zotim që në 4 vjet do të bëjmë për Korçën ç’nuk është bërë në 20 vjet të mara së bashku, por se siç na thonë edhe kritikët tanë po i bëjmë gjërat më shpejt se ç’duhet. Besoj se të gjithë ata që e kanë sharë Kullën e re të Korçës, duhet të vinë dhe të vinë e ta përdorin si një vend për ta shëruar shpirtin e tyre nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike,” u shpreh Kryeministri Rama.