Partia Demokratike në Durrës denoncon dhënien në administrim të sheshit më të madh të qytetit për parkim një kompanie pa konkurs dhe në mënyrë korruptive për klientët e pushtetit. Tenderi për dhënien në administrim për parkim është nesër 22 dhjetor 2014, por prej një muaji kompania private ka nisur administrimin e sheshit “26 nëntori 1912”.
Sheshi më i madh në qytetin e Durrësit “26 nëntori 1912”, i është dhënë një subjekti privat në përdorim për mbledhjen e tarifës së parkimit pa konkurs dhe tender. Bashkia Durrës ka shpallur tenderin për në datën 22 dhjetor 2014 për të shpallur fituesin, por prej një muaji një subjekt privat ka nisur punën duke përdorur sheshin.
Partia Demokratike e degës së Durrësit dhe deputeti Oerd Bylykbashi e cilësuan këtë një skandal të rëndë ligjor dhe i kërkuan Prokurorisë të nisë hetimet për këtë shkelje të ligjit dhe përdorim të pasurisë publike. Sipas kryetarit të PD-së së Durrësit Osman Stafa, kryebashkiaku Vangjush Dako ka paracaktuar fituesin e garës.
“Në realitet ky shesh ka një muaj që është bërë dhuratë si për festat e fundvitit miqve të Vangjush Dakos. Partia Demokratike mbështet çdo iniciativë ligjore, iniciativën e lirë dhe biznesin privat, por denoncon me gojën plot kryebashkiakun i cili merr vendime në kundërshtim me ligjin. Abuzon në emër të ligjit dhe pasurisë publike. I kujtojmë Prokurorisë që ka dosje të arkivuara për z Dako dhe të fillojë ti shkundë ato dosje. Të mos veprohet me dy standarde”, tha Stafa.
Deputeti Bylykbashki tha se ky veprim përbën vepër penale dhe jo vetëm përgjegjësi politike.
“Kjo është e papranueshme. Nëse kemi një garë të hapur që e ka afatin nesër, çdo veprim që është deri më tani është shkelje ligji dhe ka jo vetëm përgjegjësi politike e publike por edhe penale. Në fakt kjo është prova se si ky pushtet po shpërndan pasurinë publike, po shpërndan paranë publike tek klientët të tij nepërmjet tenderash fallso”, tha Bylykbashi.