“Bleta e Artë” është çmimi i ideuar për të promovuar suksesin e sipërmarrjes gjatë një viti. Dje, në një mbrëmje gala, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe me mbështetjen e disa shoqatave të biznesit, u ndanë “Bletët e Arta” për sipërmarrjet me performancën më të mirë në vitin 2014 në sektorë të ndryshëm.
Ministri i Ekonomisë Ahmetaj si organizator i këtij eventi u shpreh se ky çmim nisi si një risi për të theksuar një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Qeverisë dhe sipërmarrjen. “Jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se vetëm duke bashkëpunuar në mënyrë proaktive, ne mund të bëjmë realitet diferencën për qytetarin shqiptar, diferencën për ekonominë shqiptare. Ky besim është forcuar veçanërisht vitin që po mbyllet.”
Gjatë kësaj mbrëmjeje u dorëzuan çmimet për sipërmarrësin e vitit në industrinë fason, në fushën e inovacionit, të turizmit, të gruas sipërmarrëse, punëdhënësi më i mirë etj..
Kryeministri Rama dorëzoi “Bletën e Artë” për administratoren më të mirë publike, apo siç e quajti Kryeministri “shërbëtorja më e mirë publike”, çmim që shkoi për Drejtoren e Përgjithshme të Tatime, Brisida Shehaj. Një çmim, të cilin Kryeministri e konsideroi “një gjetje e bukur për të inkurajuar shembujt e mirë të administrimit dhe të shembujve të mirësjelljes në raport me sipërmarrjen.”
Ky event, që e nisi rrugëtimin një vit më parë si “Sipërmarrësi më i mirë i vitit”, synon të kthehet në një traditë të vlerësimit të arritjeve të biznesit vendas.
Qeveria shqiptare do të shkarkojë nga puna çdo punonjës të administratës që pengon zhvillimin e biznesit.
Në deklaratën e tij kryeministri Rama ka theksuar qartë se: “Ky është parimi që ne kemi vendosur me të gjithë agjencitë që i shërbejnë sipërmarrjes. Kur një sipërmnarrës ankohet për një inspektor, sipërmarrësi ka gjithmonë të drejtë. Mbi këtë bazë inspektori nuk meriton as të dëgjohet por duhet të largohet”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, duke folur në këtë ceremoni premtoi se 2015 do jetë viti i luftës ndaj informalitetit.
“ Ndaj me ju një iniciativë të re të qeverisë shqiptare, viti tjetër do të jetë viti i luftës kundër informalitetit. Një projekt i përbashkët midis qeverisë dhe sipërmarrjes shqiptare. Për këtë kemi marrë përsipër që në fillim të vitit të bashkojmë Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit dhe Qëndrën Kombëtare të Liçensimit. Në vazhdim do të unifikojmë shërbime për biznesin që administrata të jetë efiçente dhe që sipërmarrja të harxhojë gjithmonë dhemë pak kohë”.