English

Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës me qëndër moderne shërbimi

Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës, nga një vatër e rrënuar pune, sot në një qendër shërbimi moderne, pas përfundimit të projektit të rikonstruksionit të saj, kontribut i qeverisë turke për Policinë e Shtetit. Ky Shërbim u vizitua sot nga Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ambasadori turk në Shqipëri dhe Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi.

Një qendër dinjitoze pune e shërbimi e vlerësoi Kryeministri pasi vizitoi ambientet e saj, ndërsa falënderoi qeverinë turke për mbështetjen që vazhdon të ofrojë për Policinë e Shtetit. Një falënderim publik, Kryeministri i drejtoi edhe ministrit të Brendshëm për modernizimin e Policisë së Shtetit, modernizim që Kryeministri e konsideroi jo vetëm struktural, por edhe logjistik.

“Unë jam i kënaqur që sot, këtë vatër që ishte rrezik zjarri në vete e kemi kthyer në një qendër dinjitoze zjarrfikësesh dhe këtyre njerëzve që në kushtet shumë të vështira pa asnjë lloj mbështetje logjistike dhe pa asnjë lloj qendre për të zhvilluar normalisht punën e tyre të përditshme u kemi kthyer jo vetëm kushtet e nevojshme, por dinjitetin e nevojshëm, falë një partneriteti që vazhdon me qeverinë turke, e cila në mënyrë konstante ka shprehur vullnetin për të mbështetur rilindjen e Policisë së Shtetit. Ky është një ndër projektet e përbashkëta që sot përfundon, ndërkohë që të tjera projekte janë në diskutim apo në proces më të avancuar diskutimi. Nga ana tjetër dua të përgëzoj publikisht ministrin e Brendshëm që paralelisht me punën e përditshme dhe të vështirë në krye të një beteje pa asnjë kompromis me krimin dhe të gjitha format e shfaqjes së tij vazhdon të udhëheqë një proces modernizimi dhe transformimi rrënjësor jo vetëm struktural, por dhe logjistik për Policinë e Shtetit,” – u shpreh Kryeministri.

Krijimi i kushteve moderne në repartin zjarrfikës, sipas Ministrit të Brendshëm Tahiri, do të rrisë edhe standardin e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Krijimi i kushteve moderne për repartin zjarrfikës në qarkun Tiranë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit ndaj qytetarëve, por i jep edhe dinjitet këtij shërbimi për vetë punonjësit këtu, por edhe për qytetarët e qarkut Tiranë. Kjo shënon edhe një pikë kulmore të vëmendjes së qeverisë lidhur me strukturën e repartit zjarrfikës, për të krijuar një standard të ri në raport me qytetarin, në raport me ngjarjet emergjente që kanë të bëjnë me zjarrfikëset, por edhe në raport me shërbimin ndaj këtyre ngjarjeve dhe mbi të gjitha ndaj qytetarëve,” – u shpreh Tahiri.

Edhe për Prefektin e Tiranës Sadi Vorpsi, cilësia e shërbimit nuk mund të ofrohet pa realizuar kushtet më minimale të punës për punonjësit zjarrfikës. Ne sot, tha ia, po i kthejmë faqen këtij shërbimi.

KOMENTE