Në darkën e fundvitit me gazetarë e përfaqësues të mediave, në një format të veçantë që provohet për herë të parë tek ne. Bashkëngjitur dhe fjala e mbajtur për rastin:
Do ta hap me një hyrje të paparashikuar, sepse ishin pak të shqetësuar organizatorët pasi kishin marrë disa sinjale që ato letrat në çdo tavolinë, që në fakt u zgjodhën për të treguar tavolinat në vend të numrave, nuk janë kuptuar.
Janë tituj gazetash dhe nuk kanë asnjë qëllim. Përshembull, nuk është e qëllimshme që Genc Dulaku është tek “Shkëndija” sepse nuk ka lidhje me asnjë shkëndijë, ose që Armand Shkullaku është tek “Rrufeja”, ka rënë rrufeja aty ku s’duhet, ose që Bled Manja është tek “Djersa e Bujkut”, s’ka të bëj me origjinën, apo që Martin Leka është tek “Opinga”, janë pa lidhje. Ndoshta, e vetmja lidhje është që Tur Çani është tek “Gjurmuesi” ndërsa unë jam tek “Brezi i Ri”, kjo e fundit servilizëm i stafit të kryeministrisë.
Është privilegj i madh, realisht, që të kesh një detyre si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo, me njerëz që të kanë quajtur “rrezik diktatorial”, “lider frikacak”, madje edhe pa moral; të festosh me njerëz që janë munduar tërë vitin që ti tregojnë popullit anën e errët, anën e fshehtë, anën e dyshimtë të përpjekjeve të tua dhe atyre që të rrethojnë dhe të gëzosh me njerëz të cilët punojnë përditë që të mos të lënë t’i gëzohesh një suksesi. Por, lejomëni ta ndaj me ju të gjithë kënaqësinë se askush prej jush nuk mungon këtu, se është në burg. Kush mungon, nuk ka dashur të jetë këtu dhe prapë nuk ka për ta gjetur asgjë, nëse nuk kapet duke vjedhur energjinë, natyrisht.
Sinqerisht e kam ndjerë mungesën e Fahri Balliut sot. Ishte i ftuar si gjithë të tjerët, por nejse, rëndësi ka që të jetë në rregull me dritat dhe për çdo gjë tjetër të bëjë çfarë të dojë.
Jam i sigurt që nuk jam vetëm unë i lumtur që jam me ju, me të gjithë ju, edhe të gjithë ju jeni të lumtur që jeni me mua. Ndryshimi mes nesh është që unë nuk kam frikë ta pohoj që jam i lumtur, ju keni frikë ta thoni se jeni të lumtur që jeni me mua.
Sigurisht që ky është një format i kopjuar edhe pse unë ngurroj ta krahasoj me origjinalin. Në mbrëmjen vjetore të Presidentit Obama me trupën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, se të paktën në këtë drejtim, unë nuk jam Barack Obama dhe ju nuk jeni gazetarët e Shtëpisë së Bardhë, ata janë dhe më të vështirë se ju dhe ju pëlqen vetja edhe më shumë se ç’ju pëlqen ju dhe këtë ma ka thënë Baraku, ose Zoti president siç i thërras unë kur flasim.
“Dava njerëzish pa karakter si puna jote dhe si puna e Obamës”, - mendon Andi Bushati, me siguri. Kurse Mero jam i bindur se do të shkruajë “ Sandri, jo më në paradhomë, por edhe në krye të vendit”. Pune legenësh ne socialistët Sandër, s’jemi burra që ta heqim shikimin. Por të paktën e kemi edhe një si puna jonë në kullën tënde, kemi Fevziun. Ti me siguri mendove kur thashë unë kemi një si puna jonë, Arian Çanin, por Ariani ha bukë veç, nuk konkurrohet në diametër.
Nejse, e harrova Obamën. As që diskutohet që takimi me Presidentin e Amerikës është gjithmonë një moment i jashtëzakonshëm për liderin e një vendi tjetër, aq më tepër e një vendi si i yni që e çmon aq shumë influencën e Amerikës mbi këtë botë. Po edhe vetë Obama do të ishte i detyruar të pranonte se, që të dy këtë vit kemi qenë shumë të vegjël përpara një burri tjetër, Shenjtërisë së Tij Papa Francesku.
S’besoj se ka dhe këtu, mes kaq shumë kokash më vete që janë mbledhur këtu në këtë sallë, ndonjë që ta mohojë dot madhështinë e mesazhit që Papa i dha botës, duke e vizituar Shqipërinë, si vendin e vizitës së tij të parë në Europë. Mbase, dhe them mbase për të qenë brenda, Fatos Lubonja do të ishte i vetmi që nuk do të binte dakord as për këtë. Po ta kishte thënë dikush tjetër edhe mund të mos ta kundërshtonte, por kur është fjala për mua, ai nuk ia lejon vetes për asnjë sekondë uljen e vigjilencës. Megjithatë vizita e Papës na bëri të gjithëve që të ndihemi mirë si rrallëherë. Shumë nga ju këtu, në mos të gjithë keni qejf të përsërisni që unë jam arrogant, por në krah të Papës, edhe më arroganti i arrogantëve ndihet shumë i vogël, edhe pse nuk jap dot një garanci për paraardhësin tim, në këtë aspekt.
Ndërsa sa për Obamën ai ra pre e magjisë Papale, në pikën që ndryshoi historinë e marrëdhënieve lashtësisht inekzistente mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, një ndër ngjarjet më të mëdha për botën këtë vit.
Po ta kisha kuptuar më parë këtë dhunti të Papa Francceskut për tu bërë urë mes dy liderësh në konflikt, do ta kisha ftuar që të rrinte mes meje dhe Vucic në konferencën e famshme për shtyp. Edhe pse askush nuk e thotë dot me siguri se kjo nuk do të ishte marrë si një “provokacia” më vete në Pallatin e Serbisë. Jo gabova për këtë, në fakt, mund të na sigurojë Baton Haxhiu, kosovari, që serbët e konsiderojnë ekspertin më të besueshëm për punë Shqipnije, ndërsa shqiptarët si ekspertin më të informumë për punë Serbije.
E pyetën njëherë kryeministrin Britanik, Harold Macmillan, se çfarë e mbante më shumë nën presion. “Ngjarjet or çun ngjarjet” “Events, boy events”, -ishte përgjigjja e tij për gazetarin. Unë në fakt se kam marrë vesh asnjëherë se çfarë kishte parasysh Macmillan, deri sa u bëra kryeministër. Madje rreth një 1 vit, pasi isha bërë kryeministër, kur po shihja ndeshjen e vitit në televizor, në fakt më qëlloi të isha matanë oqeanit dhe kur droni me simbolet shqiptare u shfaq mbi stadiumin e Beogradit, pastaj plasi një përleshje prej prag lufte dhe im vëlla u përfshi si i akuzuari kryesor për organizimin e një hataje të re ballkanike, e cila sa hap e mbyll sytë përfshiu mbarë rruzullin tokësor si të kishte rënë kometa mbi tokë, jo një pëlhurë mbi një fushë futbolli, - kuptova më në fund ku e kishte fjalën Harold Macmillan.
Ishte një ngjarje, o çuna dhe o goca, që nuk ua tregoj dot sa larg më dukej toka nga këmbët. Ngjarjet pra ngjarjet, që ndodhin kur nuk i pret fare dhe të ngrenë peshë me një fuqi që s’ke fuqi as të habitesh. E meqë ulja e Papës në tokën tonë ishte momenti më kryelartë i këtij viti për mua dhe për të gjithë shqiptarët, ajo e dronit ishte qëndrimi im më i gjatë pezull në ajër.
Edhe pa atë lloj çudie ballkanike, ndërtimi i një marrëdhënieje të re me një armik të vjetër, një prej prioriteteve të mia strategjike në fakt, është një punë e vështirë. Por shtuar dronit, tmerrues për armikun, dhe vëllai hero kombëtar i shpallur në kërkim nga armiku, përballë një date aq të afërt takimi, pas 68 vjetësh armiqësie, pa kontakte mes kryeministrave dhe pengesat duken aq të mëdha sa dhe Babaramo të ngjan si ciklop. Lavdi Zotit, që Olsi jo vetëm që s’kishte lidhje me dronin, por as më ngjan mua në prirjen për të menduar në lidhje me gjurmën që duhet të lërë në histori dhe pse është shumë më tepër tifoz kuq e zi se sa unë, dhe i refuzoi aty për aty të dyja; edhe autorësinë e organizimit të përleshjes më të fundit shqiptaro-serbe, edhe futjen në histori përmes marrjes së autorësisë. Siç e mbani mend, droni e mori me vete edhe datën e përcaktuar dhe takimi im me Vuçiç u shty. Mbase kush e bëri kometë atë pëlhurë e kishte atë qëllim ose atëherë në qoftë se nuk e kishte, ka patur fantazinë e Nikoll Lesit, fantazi pa cak. Por unë jam vërtetë i kënaqur që nuk u lëkunda asnjë çast nga vendimi për të shkuar në Serbi dhe megjithë presionin e jashtëzakonshëm nga këtej dhe andej, vizita ndodhi dhe takimi u krye.
Akulli u thye edhe pse kur pashë fytyrën e kolegut Vuçiç, kur unë shqiptova emrin e ndaluar, që nuk mund të mos e shqiptoja, Kosovën, pata frikë se theva më shumë se sa akull. Por në herën e dytë, pak ditë më parë, vura re se në fakt akulli i thyer kishte nisur të shkrihej dhe një rrjedhë e re dhe pse e ndrojtur, ka nisur të lëvizë gjërat në drejtimin e duhur mes Shqipërisë dhe Serbisë. Madje, hera e dytë zgjati përtej parashikimit dhe ne ngecëm në Beograd, pasi na zbritën nga avioni, ku sapo kishim lidhur edhe rripat e sigurimit, për të fluturuar drejt Podgoricës. Na thanë: mjegull. E ndryshe nga Barack Obama dhe nga çdo kryeministër i rajonit, ju e dini Kryeministri i Shqipërisë nuk ka as Air Force 1, as një avion të zakonshëm qeveritar. Kam përshtypjen se Saliu me zëdhënësin e vet, Sandrin, e kishin lënë për mandatin e tretë ta hapnin dhe një rrugë ajrore për të fluturuar me avionin qeveritar, pasi fluturuan nja tetë vjet në rrugët imagjinare të Shqipërisë. Por ne mbetem delegacioni i vetëm në Serbi dhe sapo menduam se ky mund të ishte një kurth i kurdisur për tu hakmarrë, për herën e parë na telefonoi personalisht kryeministri serb, i cili na ofroi mikpritjen në vilën e famshme qeveritare të Titos. E mua mu kujtua në atë moment, një episod i jashtëzakonshëm i Enver Hoxhës, të cilat ne i përdornim mes nesh për gallatë me broçkullat e shokut Enver. Në ato kujtime Enver Hoxha thoshte: “Kur shkova në Beograd, Titoja na ftoi për një shëtitje me varkë. Unë pranova, megjithëse nuk dija not. E teksa Titua, - thotë, më shihte me sytë e tij tinzarë, qeni i Titos bënte sikur flinte.” Konspiracion total. Sidoqoftë ne nuk na u desh të ktheheshim në Beograd sepse u gjet një rrugë ajrore për tu kthyer në shtëpi. Tani Artur Çani fillon investigimin si u kthyem ne në shtëpi.
Nëse herën e parë rruga e kthimit për në trojet shqiptare ishte seriozisht epike, herën e dytë ishte thjesht normale, sepse jo vetëm që nuk pamë asnjeri rrugës, por askujt prej nesh nuk i ngjante vetja përveçse si pasagjerë të lodhur të natës, cka e qetëson përfundimisht edhe Mustafa Nanon, që fill pas herës së parë lëshoi një kushtrim “Ruajuni nga Edi Rama”.
Por qoftë ardhja e Papës, qoftë vajtja në Serbi do të mbeten dy ngjarje të mëdha brenda kornizës së vitit. Ndërsa dy takimet me Kancelaren Merkel, ai bilateral dhe ai në kuadrin e Samitit për Ballkanin, janë vetëm dy hallkat e parë të një zinxhiri, të një marrëdhënieje të re me Gjermaninë që vitin e ardhshëm do të shtrihen më tutje me ardhjen e Kancelares gjermane në Tiranë.
Dikush nga ju shkruajti, nuk më kujtohet, diçka në lidhje me darkën private që ne patëm me Kancelaren pas Samitit. Në fakt ne qeshëm shumë dhe shumë më shumë sesa ç’kishte dalë në gazetë, sepse helbete nuk ishte kryesia e PS ku ka prej kohësh një lidhje legale energjie me gazetën Panorama, prej ku dalin, jo vetëm ato që thuhen, por edhe ato që mendoheshin se duheshin thënë. Më kanë thënë që Irfani ka marrë një kredi të re dhe i ka paguar të gjitha faturat e energjisë, unë e përgëzoj për qytetarinë, ngushëllime bankave.
Ndërkohë s’dua që sot të paktën, ti dali fjala Enkel Demit, që thotë se fjalimet e mija janë tmerrësisht të gjata dhe jo vetëm janë bosh, por janë aq bosh sa të vjen gjynah për Shqipërinë që ka një kryeministër si puna ime dhe për mobilierinë që i mungon një arredator i aftë si puna ime. E ngatërrova pak në fakt, se më duket këtë të fundit e ka thënë Mesila, por siç do të thoshte Ylli Rakipi, ç’bëri si Keli si Mesila, njësoj është. Nejse, shkurt unë s’dua që ti bëhet qefi as Kelit as Mesilës dhe dua të flas shkurt, edhe pse ne “komunistët” jo vetëm që se mbajmë fjalën, por s’dimë të flasim shkurt.
E vërteta është se nuk dua ta zgjas, por nuk dua ti mbetet hatri njeriu përveç Çim Pekës, që edhe po se përmenda nuk mund ti mbetet më shumë ngaqë unë nuk i shkoj tek ai divani i psikanalizës politike. Ndërkohë që Ylli Rakipi më porositi sot nja njëqind herë, të lutem mos e harro yllin e vërtetë se na more në qafë. Në fakt si ta harroj Konsullin e Meksikës, i vetmi i huaj në këtë mjedis të larmishëm mediatik shqiptar. Kurse Batoni kishte tjetër hall: Shiqo më përmend mu o Vetonin, jo të dy bashkë.
Top Channel-it s’po i përmend asnjëri sepse jemi në një fazë kur Top Channel është i kompleksuar se qeverisin socialistët, socialistët janë të shqetësuar pse Top Channel i gjuan Qeverisë më shumë se Bashkisë. Ndërsa Filipi, ishte në fillim, por mbeti në fund, si ëmbëlsira që nuk dëshiron ta hajë asnjeri, por që të gjithë e shijojnë kur e hanë të tjerët.
Të tjerëve, këtu si fillim, dhe pastaj të gjithë atyre që ja u zura emrin në gojë, ju uroj nga zemra Gëzuar një Vit të Ri më të mirë se sa ky që iku. Ka dhe fushatë vitin tjetër, kështu që do të ketë dhe reklama. Ky vit do të jetë më i begatë, sidomos për këta të televizioneve.
Tani dua të kaloj tek reformat e Qeverisë, pasi ju njoha me zhvillimet kryesore të politikes së jashtme. Jo mos kini merak se do ta mbyll. Kjo ishte pjesë e shakasë, por do ta mbyll me shumë pak seriozitet dhe dua t’ju them se teksa luftojmë dhe na luftojnë, nuk kemi pse të harrojmë të qeshim. Aq më tepër që ky është një vend shumë i vogël, për të mos u gjendur përsëri, e përsëri e përsëri përballë njëri-tjetrit.
Më kujtohet njëherë një socialist i vjetër që i ankohej një socialisti tjetër pak më i ri, por jo shumë, që i thoshte: Po si më la mua ky Nanua, i mori të gjithë dhe unë mbeta. Po s’të la Nanua, - i tha, - le veten, se nuk e kuptove që kjo punë është si autobus urban, ikën autobusi dhe vjen prapë. Boll të rrish të presësh në stacion. Ti ike dhe humbe autobusin. Ndërkohë me shumë këtu u bëmë gjatë në këtë karusel, rrotullohemi duke u ngjitur e duke zbritur, besoj që nuk na falet të plakemi pa e kuptuar se jo vetëm sa të përkohshëm jemi në këtë botë, por dhe sa shumë më tepër janë gjerat për tu bërë, përfshi edhe ato për të qeshur, sesa ato që kemi bërë, fatkeqësisht duke e marrë veten shumë shpesh më seriozisht se ç’duhet.
Fjalia e fundit është një rrëfim që sigurisht e bëj me kënaqësi këtu, se këtu nuk e beson asnjeri, që kjo periudhë mua më ka ndihmuar shumë më tepër se sa më parë, për të kuptuar dhe për të ndjerë më shumë atë që thashë tani në fund: që jemi të përkohshëm dhe mbi të gjitha që sa më shumë ta marrim veten me seriozitet, aq më pak kemi mundësi të bëjmë gjëra mirësish serioze.
Shumë faleminderit të gjithëve!