English

PD: Edi Rama mashtroi shqiptarët me rritjen e energjisë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani denoncoi rritjen e çmimit të energjisë dhe mosreflektimin e kryeministrit që theu premtimin ndaj qytetarëve e bashkë me të edhe legjitimitetin e tij.

Dje, 5 ditë para Vitit të Ri, Edi Rama vendosi një rekord të zi me rritjen prej 25 për qind të çmimit të energjisë elektrike për 75 përqind të shqiptarëve.

Pasi fali apo ndau 600 milionë euro detyrime të njohura CEZ-it, pasi vendosi administratorë hajdutë të pashembullt në këtë sektor, debitorë e persona nën hetim për korrupsion ose me precedentë penalë dhe pasi thelloi këtë gropë të madhe në pasurinë e përbashkët të shqiptarëve, Edi Rama kërkon t’u marrë qytetarëve edhe qindarkën e fundit.

Në këtë kurs të çmendur, të shkatërrimit, Edi Rama jo vetëm nuk ndalet, por vendos që në vend të akti ndihme në këtë fundvit të vështirë për qytetarët e vendit, të dërgojë mandatin e kobshëm të rritjes së çmimit të energjisë.

Shqipëria ka mbërritur në këtë pikë si pasojë direkte e politikës së rritjes së taksave, rritjes së shpenzimeve qeveritare, mungesës së investimeve dhe arrogancës e paligjshmërisë qeveritare.

Në 22 nëntor, në një marshim proteste të paparë në dy dekadat e fundit, qindra mijëra shqiptarë e thanë fjalën e tyre. Ata i kërkuan Edi Ramës të mos e rrisë çmimin e energjisë.

Por kryeminstri nuk reflektoi. Ai mori këtë vendim shkatërrues për xhepat e shqiptarëve pasi u fsheh për muaj të tërë, pasi mohoi se çmimi do të rritej, duke deklaruar deri pak ditë më parë se opozita gënjente dhe çmimi nuk do të rritej.

Edi Rama mashtroi shqiptarët duke thyer premtimin se do të ulte çmimin e energjisë.

Edi Rama mashtroi përsëri kur u tha shqiptarëve se çmimi i energjisë nuk do të rritej.

Edi Rama e rriti çmimin e energjisë elektrike dhe theu kontratën me qytetarët e bashkë me të edhe legjitimitetin e tij.

Durimi i shqiptarëve ka një kufi. Ka ardhur koha ti tregojmë sharlatanëve vendin, si kudo në botën e qytetëruar.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë rritjen me 25 për qind të çmimit të energjisë. Përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi.

KOMENTE