English

Veli Rada, aktori dhe humoristi i njohur ndahet nga jeta në moshën 72 vjeçare

Është shuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 72-vjeçare aktori i mirënjohur Veli Rada, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë dhe për më shumë se një muaj ndodhej në gjendje të rënduar.

Homazhet në nderim të tij u bënë sot në sallën e Teatrit të Metropolit në Tiranë në orën 13:00. Familjarë, të afërm, miq e kolegë e përcollën më pas drejt banesës së fundit aty ku do të prehet përgjithmonë.

Rada ishte aktor profesionist i Estradës së Tiranës, ndërsa ka komentuar edhe ndeshjet sportive tek Radio Tirana. Ai ka studiuar në Institutin e Lartë të Lartëve në vitet 1972-1975 në degën e aktrimit dhe menjëherë pas studimeve, u bë anëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, ku vazhdoi të punojë për 35 vjet. Veli Rada është nderuar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtëri i Madh”, ndërsa në vitin 2013 është nderuar nga bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e Kryeqytetit”.
Politikanë të ndryshëm, artistë dhe miq të tij kanë derguar mesazhe ngushëllimi.

Mesazhi i Presidentit Nishani

“Të nderuar familjarë të artistit të shquar të skenës dhe ekranit Veli Rada!

Sot në mëngjes mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur dhe aktorit të nderuar të humorit shqiptar, zotit Veli Rada.

Ky lajm, ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e humorit që ai krijoi, më ka prekur jashtëzakonisht thellë. E konsideroj vërtet një humbje të madhe për kulturën tonë shqiptare dhe veçanërisht për gjininë e humorit që Veliu ushtroi vazhdimisht në Shqipëri. E gjithë shoqëria shqiptare ndjen një dhimbje për këtë ndarje, sepse nuk do ta kenë më mes tyre për së gjalli në skenat e humorit dhe ekranet e televizorëve duke interpretuar skeçe dhe pjesë të tjera humoristike, nëpërmjet të cilave jo vetëm që i bënte njerëzit për të qeshur duke u falur momente argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me mençuri mjaft plagë të shoqërisë shqiptare.

Veli Rada do kujtohet përherë, se e vuri jetën e tij të thjeshtë në shërbim të humorit dhe të transmetimit të sportit të bukur të futbollit shqiptar, duke mbetur një qytetar i mirë, sportdashës shembullor dhe aktor vullnetplotë dhe optimist.

Veli Rada që në hapat e para të debutimit në Estradën e Tiranës para katër dekadash arriti të spikasë si një nga talentet më premtuese në fushën e aktrimit të trupës së saj. Me kalimin e viteve dhe sidomos me ardhjen e pluralizmit dhe masivizimin e humorit, do të ishin vitet e demokracisë ato që do e bënin atë një personalitet të arenës mbarëkombëtare shqiptare, me interpretimet tij virtuoze në sallat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, etj., ku fitoi simpatinë e gjerë të krejt publikut artdashës të të gjitha trojeve shqiptare. Në rreth 40 vite ai na ka dhuruar një fond rolesh aktoreske që do mbeten përjetësisht në kujtesën tonë.

Duke ndarë në këto çaste me ju dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj që do mbetet përherë i paharruar.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

Me nderimin e pakufishëm për të dashurin tuaj.

Me respekt!

Bujar Nishani“

KOMENTE