English

PD: Rama la në errësirë natën e vitit të ri 147 komuna e 15 bashki

Drejtuesja e Departamentit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Zana Guxholli denoncoi mungesën masive të energjisë në pjesën më të madhe të vendit dhe bllokimin e mjaft komunave.

Rreth 76 % e familjeve shqiptare do paguajnë energjinë 24 % më shtrenjtë nga data 1 janar.

Po jo vetëm kaq. Shqiptarët, jo vetëm do ta paguajnë më shtrenjtë por hajde ta gjejnë këtë energji edhe me çmime të rritura.

Ja si po e mban Rama premtimin: tha në fushatë energjinë do ta ul dhe e uli me matematikën e tij donkishotjane nga 7,7 e bëri plot 9,5 lekë. (Pa TVSH. Në faturën që do të paguajnë shqiptarët e kanë 11,4 l/kwh) Kush e ha këtë iluzion matematik që 9,5 është më e vogël se 7,7 ? Që t’i trullosë fare shqiptarët e mos kenë kohë të mendohen kthen dhe ndërprerjen e energjisë, metodë mesjetare e zhdukur që në 2006. Vetë OSHEE-ja e Ramës e pranon në deklaratat e saj që e bën këtë ndërpreje energjie për të balancuar sistemin.

Shqipëria dhe shqiptarët kaluan festat e fundvitit në errësirë dhe me ndërprerje disa ditore dhe shumëorëshe. Bashki, komuna e fshatra të tëra në të ftohtit e dhjetorit nuk patën energji për t’u ndriçuar e jo më për te pergatitur, gatuar e festuar kete vit te ri. 147 komuna dhe 15 bashki kanë patur ndërprerje në datën 31 dhjetor dhe 1 janar.

Ndërprerje të vazhdueshme ne ditet e nderrimit te vitit ka patur ne te gjitha rrethet e vendit për ditë të tëra.

Në rrethet Gramsh, Vlorë, Mallakastër, Fier, Shkodër, Tepelënë, Mat, Korçë, Berat, Lezhë, Devoll, Dibër, Has-Krumë, Kukës, Tropojë, Përmet, Kurbin, Durrës, Librazhd, Lushnjë, qytete, fshatra e komuna pa energji për ditë të tëra, 2 deri 7 ditë veç ka patur ndërprerje të vazhdueshme.

Rrethi Lezhë: Bashkia Lezhë në lagje të tëra në datë 30, 31 e 1 janar, për orë të tëra në Lagjen Gurra, Shtraus,Lalm i ri,Frutore,Stacioni i Trenit, SMT, Kodër Marlekaj. Komuna Shënkoll me datë 31 dhe 01 të gjitha fshatrat Rrilë, Shënkoll, Barbulloje, Tale 1, Tale 2 kanë patur shkëputje energjie deri 3 orë.

Në Rrethin e Lushnjës: Lagja Karbunare qytet dy javë dritat me ndërprerje, po ashtu Komuna Hyzgjokaj çdo ditë në datat 28,29,30,31 deri në orën 19.00 pa energji. Komuna të tjera të kësaj zone me ndërprerje kanë qënë me ndërpreje energjie nga ora 23.00 e dt.31 deri ne orën 08.00 të mëngjesit. Komuna Fiershegan dt.29, 30, 31 nga ora 16.00-19.00 etj, etj.

Rrethi Berat: Ne komunat Otllak dhe Lapardha 15 fshatra ishin më shume se 18 orë pa drita.. Komunat Kutalli dhe Cukalat 10 fshatra kanë patur kufizim për mbi 12 orë gjatë datës 31. Komunat,Terpan dhe Vertop ne 6 fshatra kanë patur kufizime për rreth 6 orë në datën 31.

Durrësi: Komuna Rrashbull ka patur ndërprerje të tejzgjatura të energjisë elektrike në fshatrat Romanat, Manskuri, Bozanxhie, Arapaj, Shkallnur, Rrashbull. Në këto fshatra ka patur dhe ka ndërprerje të energjisë nga 2-8 ore ne ditë.

Kështu me rradhë nuk mbaron vargu i fshatrave, komunave, qyteteve nën regjimin e ndërprerjeve ogurzeza, dhuratë tjetër e vitit të ri që kryeministri Rama po u bën qytetarëve te tij.

Ndërsa borxhi rritet në mase të madhe dhe për energjine, (150 milionë euro u moren nga Banka Botërore) kjo e fundit bëhet si një mall i rrallë luksi, që jo vetëm nuk përballohet nga xhepat e shqiptarëve por dhe nuk mund ta ketë kushdo e kurdo.

Bllokuar e ngrirë në të ftohtë dhe pa energji ndodhen:

Ne rrethin e Devollit në erresire totale për 20 orë. Në Bilisht vetëm në 50% të tij pas 20 orësh u mundësua ndriçimi i pjesshëm.

Në Pogradec akset e tensionit të mesëm nuk kanë qenë në punë e fshatrat e Gorës (Osnat, Nice,etj.) ju ka munguar energjia; probleme në rrjetat e tensionit te ulet ka ne fshatra te ndryshem si Zall Torrë, Llengë, Stropckë etj.

Ne Librazhd me shumë se 21 fshatra kaluan erresiren e fundvitit me ndërpreje ose pa energji.

Rrethi Mirditë në datën 31 dhjetor dhe me 1 Janar per arsye të motit të keq dhe defekteve, në shumë zona nuk ka patur fare ose me shkëputje energji elektrike. Komuna Kthellë, rreth katër ditë pa drita.

Dhe këtu, nuk mbaron lista e komunave e fshatrave lënë në erresirë.

Keqmenaxhimi i sistemit, ka larguar nag puna elektriçistët dhe specialistët e zonave duke i zëvëndësuar ata me militantë partie të qytetit. Askush nuk ju del dot për zot difekteve nëpër fshatra e komuna.

Ironia e fatit të përcaktuar nga qeveria, bën që edhe ku prodhohet energjia të sundojë erresira

Në komunën Temal, ne Koman, megjithëse vendi kryesor për prodhimin e energjisë elektrike, furnizimi ka qënë me shkëputje.

Po ashtu dhe zona në Komunën Fierzë, të Tropojës, fshati Degë është pa energji që nga dt.27.12.14.

Ndërprerja e energjisë ka dhe bishta të tjera prapa. Shumë familje kanë raportuar djegie dhe prishje të pajisjeve elektroshtëpiake që nuk e kanë të lehtë t’i zëvëndësojnë në këtë varfëri që ka pllakosur. Dëme janë shkaktuar dhe në pompa ujësjellësash si në fshatrat Gjadër, Grash e Dajç.

Biznesi, përtej taksave të larta, të rritura edhe më në 2015-ën, gjithashtu ka pësuar humbje e dëmë të mëdha nga mungesa dhe ndërpreja e energjisë në këto javë të vitit që iku dhe këtij në vazhdim.

Në këtë situatë të rëndë terri e varfërie, tenderat për energji elektrike, janë një biznes i majmë klientelist i kësaj qeverie.

Energjia e kontraktuar nga OSHEE, ka qenë deri në 30 për qind më e shtrenjtë se niveli I bursës. Ndarja e 12 milionë eurove për importin e energjisë për mbulimin e humbjeve solli surpriza në tenderat e OSHEE, me kompani te re, licensuar në shtator 2014 qe merr 13 % të tregut. ( Antix shpk vendim 82, dt 16.09.2014)

Shqipëria në terr dhe borxh për energjinë, kryeministri Rama fal 600 milionë euro të njohura CEZ-it por nuk fal kamatavonesat e qytetarëve, burgos kryefamiljarët për shuma qesharake, i poshtëron dhe çon në dëshpërim deri në vetëvrasje. Arreston në mënyrë masive 11 kryefamiljare, që nuk kanë të paguajnë energjinë e për vit të ri, nuk kanë si gëzojnë familjen.

Qeveria që rrit taksat, ul rrogat, ul investimet, nuk ofron mundësi punësimi por burgimi, duhet të garantojë, furnizimin me energji për të gjithë, e të mbrojë konsumatorin nga varfëria.

Aq më tepër nuk mund të dhurojë në fund viti, rritje çmimi energjie, mungesë të saj, burgun e errësirën totale në ndërrimin e viteve.

Shqiptarët dinë të bëjnë hesapin dhe do ta ndalin vrapin e çmundur të erresirës së kësaj qeverie, me protestë ku të dëgjohet zëri i tyre. Ata do t’i thonë Ramës; ndal.

KOMENTE