English

Pensioni social. Çfarë është, kush e përfiton dhe si do të merret?

Duke filluar nga data 1 janar 2015, masa e pensionit të plotë social të jetë 6 750 lekë në muaj dhe do të marrë nga buxheti i ISSH-së 372 milionë. Kjo u bë e ditur dje në vendimet e Këshillit të Ministrave, ku të moshuarit mbi 70 vjeç dhe kanë qenë në Shqipëri të paktën në 5 vitet e fundit, do të mbështeten nga shteti me një masë pensioni e cila kap shifrën e 6 750 lekë. Në këtë shifër nuk është e përfshirë kompensimi prej 650 lekësh për energjinë elektrike si edhe kompensimi për bukën dhe karburantet. Ne vendimin e qeverisë thuhej se:

“Përfiton të drejtën për të kërkuar trajtimin financiar me pension social shtetasi shqiptar i cili ka plotësuar moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për pension dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social”. Masa mujore e pensionit të plotë social do të jetë e barabartë me shumën e pensionit të pjesshëm të pleqërisë të datës 31 dhjetor 2014, përllogaritur për 15 vite vjetërsi pune të siguruara kundrejt pagës minimale, shtuar me kompensimet për rritjen e çmimeve dhe për pensionistët me të ardhura minimale. Pensionit social i shtohet kompensimi i shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, si dhe kompensimi nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm.

Çfarë duhet bërë për të marrë pensionin special

I moshuari që plotëson kriteret për trajtimin financiar me pension social, transmeton "shekulli",paraqet kërkesën për përfitim dhe dokumentacionin e parashikuar, pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka vendbanimin. Agjencia lokale e sigurimeve shoqërore shqyrton dokumentacionin e deklaruar dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse konfirmimin e të dhënave. Pas konfirmimit, dërgon dosjen me dokumentacionin përkatës në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. Pensionet sociale caktohen dhe dërgohen për pagesë nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Vendimi i caktimit të pensionit social nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari i degës së përfitimeve, kryetari i degës se financës dhe drejtori i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore. Afatet e caktimit dhe të pagesës së pensionit social janë të njëjta dhe ndjekin të njëjtat rregulla si dhe për pensionet e pleqërisë.

Kur hiqet e drejta e pensioni social

Në rastet kur kërkuesi ka të ardhura individuale nga burime të tjera më të larta se masa e pensionit social e përcaktuar për vitin përkatës, pensioni social nuk caktohet. Dokumentet mbahen në dosjen e çelur për këtë qëllim, në të cilën bashkëlidhet edhe njoftimi zyrtar me arsyet dhe argumentet e moscaktimit të këtij përfitimi. Vendimi për caktimin e masës së pensionit social dhe gjithë dokumentacioni në të cilin është bazuar llogaritja e pensionit, regjistrohen në regjistrin e posaçëm për pensionet sociale dhe arkivohen në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore.

Dokumentacioni

Për të përfituar pensionin social, i moshuari, së bashku me kërkesën personale, duhet të paraqesë një sërë dokumentesh. Bashkangjitur tyre duhet edhe deklarata për gjendjen e të ardhurave dhe dokumentacioni i paraqitur nga kërkuesi verifikohet dhe dokumentohet nëse është i saktë dhe, pas këtij procesi, caktohet masa mujore e pensionit social. Një herë në vit përfituesi i pensionit social paraqet deklaratën e re për gjendjen e tij socialekonomike, e cila, pasi verifikohet nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, shërben si dokument për vazhdimin e përfitimit, rillogaritjen ose ndërprerjen e tij. Përfituesi i pensionit është i detyruar të njoftojë agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore ku ka dorëzuar kërkesën, sa herë që ndryshojnë të ardhurat dhe, mbi këtë bazë, drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore rillogarit masën e pensionit. - Fotokopjen e kartës së identitetit; - Certifikatën familjare; - Deklaratën për gjendjen e tij social-ekonomike; - Vërtetimin nga zyra e gjendjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha kur paraqet kërkesën për pension; - Vërtetimin e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, që nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni; - Vërtetimin nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike sipas kuptimit të saj, përcaktuar në pikën 20, të nenit 4, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”; - Certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; - Vërtetim nga zyrat rajonale të SHSSHsë (nëse personi merr ndihmë ekonomike në përbërje të familjes së tij që përfiton ndihmë ekonomike); - Aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, apo certifikatën e pronësisë mbi tokën; - Deklaratë nëse është ose jo aksionar apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike ose pasuri të patundshme, të dhëna për qëllime të nxjerrjes së të ardhurave.

Koeficientët e pensioneve, indeksi për secilin vit

Këshilli i Ministrave publikoi koeficientët e indeksimit të pagave, mbi të cilat janë paguar kontributet për sigurimet shoqërore të detyrueshme, për llogaritjen fillestare të pensioneve, me datë fillimi 1janar 2015. Në vitin 2015 dhe në vazhdim, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet, pas indeksimit të tyre vit pas viti, me koeficientët vjetorë të përcaktuar, nuk mund të jenë më të larta se trefishi i pagës minimale të indeksuar, të vitit përkatës, për pagat nga viti 1994 deri në 31.12.200. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve. Ato aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga 1.1.2015 e në vazhdim dhe përballohen brenda buxheteve vjetore, të miratuara për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Koeficientët e indeksimit të pagave, të përcaktuar në vendimin nr.582, datë 17.7.2013, të Këshillit të Ministrave, mbeten në fuqi dhe përdoren për indeksimin e pagave mbi të cilat janë paguar kontributet, vetëm për pensionet me datë fillimi deri në 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë.

Për pagat e vitit 1994 8.59

Për pagat e vitit 1994 8.59

Për pagat e vitit 1995 6.92

Për pagat e vitit 1996 5.37

Për pagat e vitit 1997 5.37

Për pagat e vitit 1998 4.48

Për pagat e vitit 1999 3.64

Për pagat e vitit 2000 3.31

Për pagat e vitit 2001 2.83

Për pagat e vitit 2002 2.62

Për pagat e vitit 2003 2.34

Për pagat e vitit 2004 2.13

Për pagat e vitit 2005 1.93

Për pagat e vitit 2006 1.76

Për pagat e vitit 2007 1.67

Për pagat e vitit 2008 1.48

Për pagat e vitit 2009 1.36

Për pagat e vitit 2010 1.30

Për pagat e vitit 2011 1.25

Për pagat e vitit 2012 1.20

Për pagat e vitit 2013 1.16

Për pagat e vitit 2014 1.00

KOMENTE