English

Marrëveshjet e Partneritetit Publik Privat

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj:

Përshëndetje!

Së pari dua t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe plot suksese!

Viti i parë i qeverisjes, viti 2014, patjetër që ka qenë një vit i vështirë, por shënon rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe fillimin e reformave më të domosdoshme për konsolidimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike;

Ishte viti i mbështetjes së sektorëve në funksion të aplikimit të modelit të ri ekonomik, që garanton fuqizimin e ekonomisë përmes rritjes së prodhimit vendas dhe eksporteve;

Ishte viti i punësimit, mbi 81 000 vende të reja pune janë hapur apo regjistruar në vitin në 2014;

Dhe ishte, patjetër, viti i një marrëdhënie krejt të re me sipërmarrjen. Qeveria i shleu, pagoi, mbi 360 milionë dollarë borxhe të prapambetura dhe vazhdon, edhe sot që flasim, të paguajë ato borxhe;

Ishte viti i ndryshimit rrënjësor të klimës së biznesit dhe investimeve në vend.

Viti 2015 do të jetë, sikurse i jam referuar shumë herë, viti i sfidës sonë për të kapërcyer në nivelin tjetër të rritjes ekonomike, duke asistuar në mënyrë aktive sektorë të rinj me potencial të lartë dhe duke prodhuar paketa mbështetëse që do të kenë impakt të drejtpërdrejtë pozitiv mbi ekonominë dhe qytetarin.

Gjithashtu, 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit; i vazhdimit të reformave; i drejtësisë fiskale; i investimeve të huaja dhe i rritjes akoma më tej të punësimit.

Sot dua të ndalem në një element që, në fakt, përbën risinë e parë të vitit 2015 - Marrëveshjet e Partneritetit Publik Privat (PPP). Prej disa muajsh në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po punohet, në bashkëpunim me shumë Ministri, institucione dhe partnerë ndërkombëtarë për të rikonceptuar procedurat aktuale të koncesioneve dhe të Partneritetit Publik-Privat, në përfitim të qytetarëve. Për këtë është zhvilluar një analizë e thellë, e detajuar e koncesioneve dhe shërbimeve publike, në mënyrë që të mundësohet standardizimi dhe lehtësimi i procedurave e të kalohet tek projekte konkrete të cilat mund të ofrohen si marrëveshje koncesionare, një marrëdhënie e re publik-privat.

Qasja jonë ndryshe lidhet me një marrëdhënie të re, siç e theksova, të Partneritetit Publik Privat, e cila përfshin gamën më të gjerë të mundshme kontraktore publik- privat, duke përfshirë shërbime të cilat deri tani kanë qenë kosto për financat publike dhe kanë lënë shumë për të dëshiruar tek qytetarët. Nëpërmjet formatit të ri të PPP, marrëdhënies së re publik-privat, ne synojmë që jo vetëm të rrisim eficiencën e këtyre shërbimeve dhe cilësinë e këtyre shërbimeve, por gjithashtu, në vend që të thithim dhe të shpenzojmë fonde publike, përkundrazi, t’i bëjmë të prodhojnë cilësi shërbimesh për qytetarët dhe fonde publike në favor të buxhetit të shtetit.

Një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore. Janë rreth 65 projekte sjella nga ministritë e linjës dhe institucionet, me një vlerë totale, në vite, prej 375.6 miliardë lekë, si burime në mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike.

Në fushën e transporteve risi është ndërfaqja e koncesioneve për ndërtim, mirëmbajtje, operimi i akseve kryesore rrugore me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore. Dua të përmend dy projekte që janë tashmë duke u përpunuar si kontraktime publik-privat; një është ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit, që besoj do të jetë risi e fund dimrit, pra besoj në fund të shkurtit do të jetë në tenderim dhe projekti tjetër është ai i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë. Ka një sërë rrugësh te reja të cilat do të konsiderohen dhe do të hidhen në treg për një kontraktim publik-privat.

Në fushën e bujqësisë, - e theksova që është për herë të parë, - bujqësia konsiderohet si pjesë e kontraktimit publik-privat; është siguria ushqimore, një element tejet i rëndësishëm për qytetarin dhe është një nga kërkesat e Bashkimit Europian; gjithashtu edhe shërbimi veterinar.

Në fushën e shëndetësisë është kontrolli bazë mjekësor; është shërbimi i dializës, faza e parë është në Korçë, Vlorë, Shkodër; administrimi mundësisht, i një spitali rajonal dhe administrimi i mbetjeve spitalore.

Në fushën e mjedisit është grumbullimi dhe administrimi i diferencuar i mbetjeve të institucioneve qendrore dhe vartësisë së tyre; mbetjet elektronike; mbetjet elektrike; mbetjet nga ambalazhet; vajrat e përdorur; mbetjet organike; mbetjet nga makinat në fund të jetës; gomat e përdorura; bateritë apo e gjithë gama e mbetjeve që dëmtojnë ambientin dhe shëndetin publik. Gjithashtu edhe ripyllëzimi i zonave të mbrojtura.

Në fushën e mirëqenies sociale janë projekte për investimet në shtëpitë e të moshuarve, të fëmijëve, qendrat e zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar, strehët për gratë viktima të dhunës në familje, etj., apo projekte për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe profileve të reja të studimit në Qendrat e Formimit Profesional.

Gjithashtu, ka projekte në zonat turistike për nxitjen e turizmit.

Në fushën e financës apo të mbledhjes së tatimeve janë e-taxation (taksimin elektronik). Një nga projektet më interesante që po studiohet nga Ministria e Financave sot është tatimi mbi pasurinë, një marrëdhënie e re, një koncesionim i mbledhjes por edhe i dokumentimit të pronës, gjë që do të bëjë jo vetëm evidentimin e saktë të pronave, por edhe një rritje të të ardhurave, nga tatimi mbi pronën. Janë, duhet ta theksoj, 146 miliardë lekë financime që lirohen për buxhetin e shtetit dhe sigurisht, që shkojnë për financim të projekteve të tjera, të cilat deri më sot mund të mos kenë pasur mundësi, për shkak të mungesë së financimeve. Pra skema e marrëdhënies së re publik-privat, e kontraktimit, e koncesioneve publik-privat jo vetëm që do të sjellë më shumë se 350 miliardë lekë në ekonominë shqiptare, por do t’i lirojë buxhetit të shtetit, gjithashtu, një shumë afërsisht 150 miliardë lekë.

E theksoj, viti 2014 ka qenë një vit i vështirë për ekonominë shqiptare, por i suksesshëm. Të kujtojmë, e nisëm në 2014 me një vështirësi tejet të madhe për shkak të trashëgimisë të papërgjegjshme, me një rënie të theksuar ekonomike, me një papërgjegjshmëri në menaxhimin e financave publike dhe në fakt të të gjithë shtetit, dhe përfunduam me një rritje ekonomike mbi 2 % dhe me kthesën vendimtare, pozitive, të rritjes ekonomike.

Sot dua të bëj një ftesë për sipërmarrjes shqiptare dhe asaj të huaj, që të të paraqesin idetë e tyre, propozimet, studime dhe projekte konkrete për partneritete publik-privat në sektorë te ndryshëm të ekonomisë, pa kufij.

Kjo është faqja e parë e vitit 2015 për të rikthyer në thelb një mënyrë të re e menaxhimit të pronës publike, që ofron modernizim të shërbimeve për qytetarët shqiptarë, maksimizimin e fitimeve për publikun për qytetarët, rritjen e eficiencës, uljen e kostove dhe lehtësimin e buxhetit të shtetit.

Faleminderit!

KOMENTE