Tashmë është bërë publike lista e çmimeve për miratimin e shtojcave të manualit të tarifave për shërbime në projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim, si edhe për strukturat në ambientet e jashtme. Manuali i tarifave është miratuar për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim. Në vendimin e qeverisë, çdo ndërtim, i çfarëdo lloji qoftë, duhet të kalojë në 5 faza. Në secilën prej duhet të paguajnë një përqindje të tarifës në lidhje me vlerën totale.
Në fazën e parë përfshihen vlerësimi fillestar mjedisor, qartësimi i kërkesave të projektit dhe përcaktimin e qëllimit të tij. Për këtë fazë, investitori duhet të paguajë 3 për qind të vlerës totale të investimit.
Në fazën e dytë, ku përfshihet gjendja e mjedisit, çka do të thotë që investitori duhet të bëjë identifikimin dhe vlerësimin e bazës së të dhënave, vlerësimin e gjendjes ekzistuese dhe përmbledhjen. E gjithë kjo fazë do të kushtojë 30 për qind të vlerës së investimit.
Faza e tretë do të përthithë 20 për qind të investimit dhe duhet të përmbajë identifikimin e ndikimeve pozitive dhe negative të objektit.
Faza e katërt me 40 për qind të të gjithë totalit. Kjo fazë bëhet për versionin paraprak të studimit dhe planifikimin e menaxhimit mjedisor. Ndërsa raporti final, që është në fazën e 5-të dhe të fundit, do të kushtojë 7 për qind.
Punimet në nëntokë dhe themelet
Për sa i përket punimeve në nëntokë, ka të tjera tarifa, për të cilat investitorët janë të detyruar të paguajnë, për sa i përket fazës së studimit të projektit. Ky proces është i ndarë në 3 faza. Në fazën e parë duhet të paguajnë 15 për qind të vlerës totale, në të dytën 35 për qind dhe në të tretën 50 për qind të vlerës. Megjithatë në vendim shpjegohet se këto tarifa mund të përcaktohen duke iu referuar kostove të llogaritshme, grupit tarifor për të cilat janë caktuar themelet, raporton "Shekulli".
Çfarë duhet të ndërtohet
Për secilin objekt të ndërtuar duhet t’i përkasë një grupi tarifor, i cili, përveçse përcakton tarifat që duhet të paguajnë, përcakton edhe cilësinë e objektit. Në grupin e parë tarifor përfshihen kazermat e akomodimit të përkohshëm dhe të fjetjes, sallat e lojërave, sallat e pushimit, dhomat e magazinimit, korridoret lidhëse, stallat, barakat dhe ndërtesat e thjeshta bujqësore. Në këtë grup tarifor futen edhe pikat e thjeshta të vrojtimit, tribunat dhe konstruksionet për mbrojtjen nga moti. Në grupin e dytë tarifor, futen ato objekte të ndërtuara qëllimi i të cilave është për akomodimet e thjeshta të banimit me kuzhina dhe objekte sanitare të përbashkëta. Gjithashtu pjesë e listës janë garazhet, parkimet shumëkatëshe, serrat, sallat dhe ndërtesa e veçanta njëkatëshe, zyrat e biletave, shtëpitë-varkë, punishte të thjeshta pa shina dhe pa vinça, magazinat, pikat e trajtimit të aksidenteve dhe për dhënien e ndihmës së shpejtë, si dhe pavijonet e muzikës dhe eventeve të përkohshme. Ndërkohë që në grupin e tretë tarifor, lista e objekteve është edhe më e gjatë. Në të përfshihen: komplekse banesash, banesa dhe hostele me pajisje dhe mobilje mesatare, kopshte, çerdhe, strehime komunale, hotelet e të rinjve, shkolla fillore, qendra argëtimi për të rinjtë, qendra rinore, hotele, konvikte për studentë, azile apo shtëpi akomodimi për të moshuar, si edhe qendra të tjera të administrimit të ndihmës sociale. Po në këtë grup futen edhe punishtet e prodhimit të metalit, shtypshkronja, fabrika frigoriferike, punishte, salla të mbyllura dhe ndërtesa bujqësore, parkim shumëkatëshe për përdorime të tjera të integruara. Po kështu edhe objektet e zyrave me pajisje dhe mobilje mesatare, fabrikat, qendrat tregtare, dyqane dhe tregje, galeri arti, restorante kantina, mensa studentësh, stacione zjarrfikëse, stacionet e ndihmës së shpejtë, janë në këtë grup. Pjesë e listës janë edhe klinikat, struktura të ndihmës mjekësore, infermieri pa ndihmë mjekësore të specializuar, ambulanca, ekspozita, kinema, palestra dhe salla sportive. Grupi i katërt, në përmbajtjen e vet kryeson me ndërtimin e fabrikave të të gjitha llojeve. Në grupin e katërt, i cili ka dhe pagesat më të larta, përmban komplekse banesash me pajisje dhe mobilje mbi mesataren, shtëpi të tarracuara dhe shtëpi me terrene të pjerrëta, vila me kërkesa projektuese të mëdha të përfshira në grupe shtëpish, komplekse me densitet të lartë ndërtimi, hotele me struktura mjekësore, fabrika për prodhime birre, fabrika të montimit të automobilave, stacione të energjisë elektrike, shkolla, qendra edukative, kolegjet teknike, poliklinikë, universitetet akademitë, sallat e leksioneve, laboratorë, librari dhe arkiva, institute edukative dhe kërkimore. Po në këtë grup futen edhe ndërtesat bujqësore me pajisje dhe instalime mbi mesataren, kuzhinat e kateringut, hotele, banka, qendra unike biznesi, bashki, parlamente, gjykata dhe ndërtesa të tjera administrative me pajisje dhe mobilime mbi mesataren. Në po këtë kategori futen edhe objektet e kultit ku i bashkëngjiten edhe sallat e koncerteve, muzeume, studio teatrale, pishina, qendra sportive dhe stadiume.
Institucionet
Grupi i pestë dhe i fundit tarifor ka në përbërjen e tij objektet e luksit. Në të përfshihen kategori e lartë e spitaleve, klinika universitare, ndërtesa të punimeve të çelikut, të qymyrit koks, uzinat e shkrirjes, studio radiosh televizioni dhe teatri, holl koncertesh, auditore, ndërtesa për kërkime shkencore apo eksperimentale. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe të gjitha ministritë e institucionet që investojnë fonde publike në vepra ndërtimi për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërsa të përfshirë kë këtë vendim janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, Plani i Përgjithshëm Vendor, Plani i Detajuar Vendor, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Njësi e Qeverisjes Vendore. Për të marrë një lej ndërtimi duhet që ndërtuesit të sigurojnë lejet nga secili institucion i ngarkuar me këtë përgjegjësi