English

Robert Qafzezi:" Paris. Dramë nacionale. U godit zemra e Parisit, m'u vranë shokët dhe miqtë”

Robert Qafzezi, artisti shqiptar, që prej 25 vitesh jeton dhe punon në Paris, tha se ndjehej shumë i tronditur nga sulmi terrorist ndaj redaksisë së gazetës “Charlie Hebdo”. Në një komunikim online, me gazetarin Arben Rozhani, për "Shekullin", rreth orës 18.00, kur në të gjitha qytetet e Francës po zhvilloheshin manifestime paqësore, Qafzezi u shpreh: “Na kanë vrarë shokët dhe miqtë, sot në ora 11 e 30”.

Z. Qafzezi, si është gjendja tani në Paris?

Gjithë intelektualët e Francës janë nëpër rrugë sonte ...Dramë nacionale! Është shpalllur gjendja e jashtëzakonshme në Paris. Unë kam jetuar me vite në lagjen numër 11, ku ndodhi sulmi. Është shumë e bukur. Është zemra e Parisit, mbushur me kujtime, takime pune, ekspozita, kënaqësira nga më të veçantat. Unë i kam njohur vetë disenjatorët e njohur për talentin dhe modestinë e tyre. Ata u bënë sot pritësit e rrufeve për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë tonë, për gjithë civilizimin tonë europian. Sot për mua është një ditë nga më të zezat e jetës sime pariziane.

Çfarë ështe lagjia 11 për ju si artist shqiptar që jetoni në Paris?

Sot të gjithë ne që jetojmë në këtë qytet, simbol i lirisë, jemi qëlluar në mishin tonë në atë që kemi më të shtrenjtë. Unë kam jetuar prej vitesh në atë lagje, në rrugën “Paul Bert”, Paris 11. Është lagjja e Bastijës, e revolucionit francez. Aty ku unë kam jetuar rreth 10 vite është vendi ku u vra Gavroshi i famshëm. Është lagje artistësh, piktorësh, gazetarësh. Ështe lagjja më e dendur e Parisit, me shumë jetë, ditën dhe natën. Është lagjja e bohemëve, e lirisë, ku janë edhe rruga e vjetër “Rue de Lappe”, rruga e “Sans culotte”-ve. Në këtë lagje realizova filmin e parë "Dielli i Zi” në studion e “AAA Production” etj. Po afër rrugës, ku ndodhi anentati, afër bulevardit “Richard Lenoir” , janë edhe baret dhe restorantet ku kemi kaluar me dhjetra netë me miq të vjetër, një nga të cilët ka qenë edhe Edi Rama. Është afër me Muzeun “Picaso”.

Ju i njihnit disa nga viktimat e sulmit terrorist. Më flisni pak për kolegët artistë?

Sot është një ditë tepër e zezë për mua si edhe për shumë parizienë. Unë kam njohur nga afër një nga themeluesit e "Charlie Hebdos". Kam patur rastin të takoj disa herë Cabu-në (Jean Cabut), karikaturistin që la jetën sot për artin e tij, për inteligjencën e vizatimit të papërsëritshëm nga eleganca dhe nga thjeshtësia...Ky ishte një atentat kundër medias së lirë, e cila nuk ka pasur dhe nuk ka për të patur kurrë frikë në Paris.

Mendoni se do të ketë ndikim të islamofobia në Francë ku rreth 10 për qind e popullsise është emigrante, shumica nga vendet arabe?

Jo. Jam i sigurt për një gjë: Parizienët nuk kanë patur dhe nuk kanë për të ngatërruar kurrë islamin me islamizmin radikal. Islami është një nga besimet më tolerante në botë. Radikalizmi islamik është armiku i vetë islamit. Kjo është tragjedia. Ky ishte një sulm kundër vlerave, kundër lirisë, kundër gazetarisë së lirë, për të cilat në këtë vend është derdhur gjaku lumë.

Ka pasur disa thirrje për reagim nga qeveria aktuale në Francë, pas disa sulmeve të veçuara në dhjetor 2014, ku u goditën disa qytetarë dhe ushtria zbriti në rrugë. Mos u injoruan këto sulme që shoqëroheshin me viktima?

Po bëhet një çerek shekulli që jetoj në këtë qytet që quhet Paris dhe natyrisht kam parë shumë gjëra. Kam qenë në Saint Michel në 1994- ën, kur u bë atentati në metro. Kam parë me sytë e mi plot incidente, ku për një sensibilitet tepër të vogël digjen rreth 4000 vetura brenda natës, etj. Parizienët nuk janë racistë. Mund të jenë pak arrogantë në komunikim kur nuk i njeh dhe nuk të njohin, por ky është vetëm një imazh kur nuk jeton këtu. Racizmi është një fjalë që nuk ka të bëjë me parizienët, pa u munduar për të mbuluar apo justifikuar raste të ralla sporadike.

Mendoni se kjo situatë do të shtojë popullaritetin e të djathtës ekstreme të Marine le Pen?

Absolutisht po, fatkeqësisht. Fakt është që qeveria aktuale lë shumë për të dëshiruar, në të gjitha aspektet. Por Franca është një vend me shumë energji të brendshme dhe që di t’i thotë "JO" barbarisë, në të gjitha format e shfaqjes së saj. Pra sot kanë dashur të vrasin lirinë. Sot është një shfaqje e një lufte, e vdekjes kundër jetës. Sot është prekur kolona e Republikës Franceze, pa dallim feje, apo kulture.

KOMENTE