English

Paris, Marshimi i Paqes. Katër përfaqësuesit të klerit shqiptar që sot mahnitën Parisin

Kryeministri Edi Rama iu bashkua sot Marshimit të Paqes, të miliona qytetarëve të botës, në sheshin Republika të Parisit, në përgjigje të vrasjeve terroriste të ndodhura ditët e fundit në Francë.

Dhjetëra liderë botërorë ishin pjesë e këtij marshimi madhështor, në shenjë solidariteti dhe aleance kundër terrorizmit, dhe në mbështetje të vlerave të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit.

Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, përfaqësues të 4 komuniteteve fetare në vend, si dhe përfaqësues të medias, gazetarë dhe analistë.

Delegacioni shqiptar zhvilloi homazhe pranë ndërtesës së revistës “Charlie Hebdo”, në nderim të 12 të vrarëve tragjikisht, duke vendosur edhe një kurorë me lule.

Në një prononcim për mediat shqiptare, pjesë e delegacionit, Kryeministri u shpreh se ky delegacion ndodhet aty për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, e të drejtave, dhe të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve fetare.

Më pas, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në pritjen që Presidenti francez Francois Hollande rezervoi për liderët botërorë pjesëmarrës në marshimin solidarizues mbarë botëror kundër terrorizmit.

Më herët, ndërsa udhëtonte drejt Parisit, kryeministri Rama shkroi ndër të tjera në një postim në FB dhe Twitter se “Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin. Ky është momenti ynë për t'u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.”



Prononcim i Kryeministrit Rama dhënë për mediat shqiptare, pjesë e delegacionit shqiptar, në Marshimin e Paqes, në Paris:

Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është goditur vetëm Parisi. Është goditur çdo vend që është i lidhur me vlerat që Franca përfaqëson, me vlerat e lirisë, të barazisë, të vëllazërimit që Franca ka mishëruar, në mënyrën e vet më të lavdishme. E nga ana tjetër, të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona.

Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë.

Ky akt dhe kjo luftë dëshmon më së miri se përpjekja e armiqve të lirisë sonë, është një përpjekje që synon pikërisht përçarjen mes feve, ndërkohë që këta terroristë nuk kanë asnjë lidhje me fenë, nuk kanë asnjë lidhje me Profetin, nuk kanë asnjë lidhje me Zotin sepse nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe, që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër.

Unë jam shumë krenar që sot këtu nuk jemi vetëm ne, si përfaqësues të qeverisë, por janë dhe përfaqësuesit e të katër besimeve kryesore në Shqipëri, dhe sigurisht edhe një grup gazetarësh dhe analistësh, njerëzish që luftojnë përditë në frontin e fjalës së lirë dhe të informimit të barabartë për njerëzit.

Sa imune është Shqipëria nga skenarë të tillë?

Askush nuk është dritëshkurtër, që të flasim për imunitet të një vendi apo të një vendi tjetër. Në momentin që është goditur njeri nga vendet e familjes evropiane, e botës demokratike ku ne bëjmë pjesë, jemi goditur dhe ne drejtpërdrejtë, jo simbolikisht, por realisht, sepse goditen ato vlera dhe ato themele, mbi të cilat ne kemi vendosur të ndërtojmë jetën dhe të ardhmen tonë.

E kjo nuk është aspak simbolike por kjo është jeta jonë reale sot, në një botë ku ne kemi bërë një zgjedhje të qartë për tolerancën, kemi bërë një zgjedhje të qartë për lirinë, kemi bërë një zgjedhje të qartë për të drejtat e panegociueshme të njerëzve, përballë një zgjedhje tjetër që kërkohet të na imponohet përmes përçarjes, duke synuar që t’i ndajë myslimanët dhe kristianët, duke synuar që ta vendosë botën përballë një konflikti fetar që për ne është i patolerueshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me besimet, nuk ka asnjë lidhje me fjalën e Profetëve, nuk ka asnjë lidhje me çfarë feja e kujtoqoftë frymëzon dhe inspiron.

E të mos harrojmë se, nëse duam një shembull të qartë se si trajtohen kundërshtarët, se si trajtohen armiqtë, se si toleranca dhe paqja triumfon mbi dhunën dhe luftën, janë vetë episodet e jetës së Profetit Muhamed.

KOMENTE