Sot, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.T.Z. Donald Lu, me të cilin zhvilloi dhe një bisedë të ngrohtë dhe shumë miqësore.
Presidenti i Republikës i uroi Ambasadorit Lu suksese për fillimin e mandatit të tij në Shqipëri, si dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare në përmbushjen e agjendës së tij diplomatike në Tiranë, në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti i Republikës vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në kryerjen e reformave të nevojshme për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Presidenti Nishani i kërkoi Ambasadorit Lu që t’i përcillte Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama përshëndetjet e tij më të mira e të përzemërta, dhe garancinë se Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë miq të mirë dhe të sinqertë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatë të ngushtë në të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në botë.