Ermal Hoxha, nipi i Enver Hoxhës është arrestuar si një prej pjestarëve të bandës së kokainës , kapur në Elbasan.
Një laborator i përpunimit të drogave të forta, mes tyre dhe kokaina është zbuluar mbrëmjen e 14 janarit rreth orës 18:30 në fshatin Xibrakë, në vendin e quajtur ish-Rezervat e Shtetit.
Sipas burimeve policore, Ermal Hoxha është shoqëruar nga uniformat blu gjatë operacionit të zhvilluar në kryeqytet. Aksioni anti-drogë u shtri në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe në Elbasan, vendi ku u zbulua edhe laboratori i drogës.
Superaksioni ndërkombëtar bëri të mundur arrestimin e Gentian Gjonaj, Arian Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi nga Elbasani, Saimir Batkut nga Tirana dhe dy shtetasve kolumbianë, Cesar Avila e Walther Moreno.
Grupi kriminal, i përpunimit të drogës financonte shuma të mëdha parash në fushën e ndërtimit.
Roli i disa prej të arrestuarve
Saimir Batku, dyshohet se ishte edhe kreu i grupit,
Ermal Hoxha, nipi i dikatorit Enver Hoxha i cili në gjithë këtë rrjet kishte rolin e organizatorit.
Përpunimin e lëndës narkotike për në treg e bënin shtetasit kolumbianë ndërsa ata shqiptarë kryesisht merreshin me trafikimin e saj.
Autoritetet gjermane sinjalizuan trafikun
Në fakt, kishin qenë autoritetet gjermane të cilat kishin sinjalizuar palën shqiptare për këtë linjë trafiku. Autoritetet shqiptare hetuan për disa muaj, duke përgjuar anëtarët e grupit deri kur vendosën që të ndërhynin për arrestimin e tyre. Policia është në kërkim dhe të personave të tjerë, pjesë e kësaj organizate e cila dyshohet të ketë investuar miliona euro të ardhura nga trafiku, në pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të vendit
Të dhënat e para tregojnë se droga mbërrinte e përzierë me vaj palme nga vendet e Amerikës Latine, dhe këtu bëhej ndarja e saj. Më pas droga kishte si destinacion tregun e brendshëm dhe vendet e Europës sidomos Gjermaninë.
Sinjalizimi për ekzistencën e këtij laboratori është dhënë nga ana e autoriteteve gjermane, ndërsa operacioni i zbulimit të tij u bë i mundur pas 6 muajsh hetime të kryera nga ana e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.