Fjala e Kryeministrit Edi Rama, gjatë takimit në Presidencë pas ngjarjeve të Parisit, lidhur me masat e marra në luftën kundër terrorizmit:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare!
Samiti i NATO-s që u mbajt në Uells në shtator të 2014-s, por edhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare, që hyri në fuqi po në shtator të 2014-s, e vlerësojnë terrorizmin ndërkombëtar si një ndër kërcënimet kryesorë të kohës.
Zhvillimet e kohëve të fundit, si ato në Afrikën e Veriut dhe ato në Lindjen e Mesme, sulmet e organizatave të terrorit ndërkombëtar të ISIS, Al Kaedës apo të tjerë dhe sulmet brutale të 7 janarit 2015 në Paris, e kanë çuar në një nivel tërësisht të ri sfidën, por edhe rrezikun e terrorizmit islamik.
Si vend i lirë, anëtar në NATO, kandidat për në Bashkimin Europian dhe pjesë aktive e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorit, Shqipëria është plotësisht e ekspozuar ndaj rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar. Sfida e re dhe e panjohur më parë e luftës me mercenarizmin me frymëzim terrorist është edhe e jona, siç është e mbarë Europës demokratike. Qytetarë shqiptarë nga Shqipëria apo rajoni i janë përgjigjur thirrjeve të organizatave terroriste të Al Kaedës apo të ashtuquajturit Shteti Islamik, për të luftuar në fushatat terroriste në Siri dhe në Irak. Disa prej tyre kanë humbur jetën në luftime duke lënë pas familje, gra, fëmijë të braktisur dhe shumë probleme të tjera sociale dhe të sigurisë. Por unë do t’i ftoja të gjithë të mos e shohim të shkëputur luftën tonë me pjesëmarrësit shqiptarë në këto fushata egërsirash terroriste me luftën ndaj akteve të brendshme të terrorit.
Ndonëse, fatkeqësisht, nga sistemi ynë i drejtësisë në disa raste është aplikuar një politikë penale e butë dhe jo rrallë një gjuhë relativizuese e papërshtatshme përballë faktit. Vepra të tilla si sulmet me tritol kundër linjave të furnizimit me energji elektrike, sulmet me eksploziv në mes qyteteve, aplikimi i eksplozivëve i minave me celularë apo i armëve luftarake të sulmit janë krime të mirëfillta terrori. Kodi Penal i Republikës i konsideron pa asnjë lloj ekuivoku si terror këto figura krimi, me të cilat vendi është ndeshur vazhdimisht dekadat e fundit, ndërkohë që artikulimi i sistemit të drejtësisë ka qenë më i rezervuar për t’i vënë këtij fenomeni barbar emrin e vërtetë që ka: Terror!
Çdo përpjekje për të relativizuar natyrën e veprave të terrorit është një rrezik i shtuar dhe sjell pasoja të rënda për sigurinë e qytetarëve, por edhe kërcënon sigurinë kombëtare. Në një rast është arritur deri në absurd që një subjekt i këtij juridiksioni ka rrezikuar të përfundojë në Gjykatën Administrative për pesë tonë eksploziv, humbur në një depo ushtarake, sikur të ishte diferencë e rëndomtë në një inventar magazine.
Krimi i organizuar dhe terrorizmi, ndonëse padyshim trajtohen si kategori të veçanta nga korpusi ligjor i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shfaqen aq të lidhur me njëri-tjetrin, sa në këndvështrimin e sigurisë kombëtare paraqesin pothuajse një kërcënim të vetëm dhe lidhjet e tyre janë të shumëfishta, ashtu si dëmet që sjellin në jetën e qytetarëve dhe në sigurinë e vendit nuk janë të ndryshme. Krimi i organizuar dhe terrorizmi janë enë komunikuese, ata ushqejnë njëri-tjetrin. Prandaj dhe terrorizmi nuk është thjesht vetëm një çështje sigurie dhe qasja ndaj tij si një çështje ekskluzive sigurie është premisa e një dështimi thuajse të sigurt në luftën me të.
Me terrorizmin duhet të përballen padyshim në vijën e parë të frontit antiterror, organet e policisë, të drejtësisë, të shërbimeve inteligjente dhe padyshim, edhe ato të ushtrisë në raste të caktuara. Por përballja e tyre nuk mund të sjellë suksesin e dëshiruar, nëse nuk shoqërohet nga përballja e shoqërisë, institucioneve fetare, medias, shkollës dhe natyrisht politikës.
Krahas detyrimeve tona të qarta ndërkombëtare dhe posaçërisht detyrimeve që lidhen me anëtarësimin tonë në NATO, qeveria i ka marrë masat e nevojshme të kësaj kohe në interes të forcimit të sigurisë kombëtare dhe sidomos të luftës kundër terrorizmit. Në këtë aspekt, unë nuk mund veçse ta mbështes konstatimin e Presidentit të Republikës lidhur jo vetëm me këto masa, por edhe me faktin se në këtë fushë të veprimtarisë së shtetit ka një ndërveprim dhe një bashkëpunim intensiv dhe të suksesshëm mes strukturave që u përmendën drejtpërdrejtë edhe nga Presidenti i Republikës.
Hartimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal që ndëshkojnë fenomenin e mercenarizimit, miratimi i ligjit për masat kundër financimit të terrorizmit, krijimi i Komitetit Ndërinstitucional për bashkërendimin e veprimeve në luftën kundër terrorizmit, krijimi i kapaciteteve të specializuara kundër terrorizmit në Policinë e Shtetit e të tjerë, deri tek reforma e thellë strukturore në Policinë e Shtetit si një e tërë, janë masa që kanë rezultuar të duhurat, por që duhen të shoqërohen edhe me hapa e ndërhyrje të tjera. Sensibilizimi i vazhdueshëm i qytetarëve, i shoqërisë, opinionit publik në tërësi për rreziqet dhe kërcënimet që paraqet terrorizmi dhe krimi i organizuar përbëjnë një domosdoshmëri. Besoj që, në këtë drejtim, edhe ky takim me këtë pjesë të hapur për mediat jep kontributin e vet.
Vetëm përmes njohjes së thellë mund të arrihet pjesëmarrja e gjerë shoqërore në luftën kundër fenomenit që e kërcënon shoqërinë dhe kur qytetarët arrijnë të binden realisht për rreziqet, ata janë shumë më të gatshëm të bashkëpunojnë me organet e sigurisë kombëtare, duke ofruar kështu një burim të pazëvendësueshëm informacioni dhe fuqie në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shkollat, universitetet dhe institucionet e tjera të dijes dhe informimit, mediat padyshim në radhë të parë, zotërojnë potenciale shumë të mëdha për zhvillimin e betejës së lartë, nëse mund ta them kështu në thonjëza, atë në fushën e ideve pa të cilën, beteja poshtë në frontin e luftës nuk bëhet me të gjithë arsenalin e nevojshëm dhe të mundshëm të shoqërisë.
Institucionet fetare në vendin tonë janë një nga asetet më të çmuara të kohezionit tonë social dhe kombëtar dhe një fuqi shumë e madhe që Shqipëria ka fatin ta ketë sot në anën e duhur të historisë, në fushën e kësaj beteje pa kompromis. Tradita dhe kapacitetet e tyre janë një mundësi tjetër e madhe, për të kufizuar përpjekjet e organizuarave terroriste dhe kriminale në rekrutimin dhe manipulimin e njerëzve në emër të fesë.
Mbështetja shtetërore e përpjekjeve të bashkësisë fetare në vend dhe mbështetja në interes të dialogut ndërshoqëror dhe ndërfetar është një detyrë shumë e rëndësishme besoj për të gjitha institucionet. Jam i bindur se Qeveria nga ana e saj do të bëjë gjithçka për ta mbështetur këtë përpjekje dhe për ta mbrojtur këtë interes të dialogut ndërshoqëror dhe ndërfetar. Ashtu siç, jam i bindur se Presidenti i Republikës e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, duke dhënë edhe një shembull për të tjerët që padyshim kanë mundësi dhe kanë hapësirë për të bërë të njëjtën gjë, në të gjitha nivelet e organizimit tonë shtetëror.
Por sidoqoftë nuk ka dyshim, dhe mbase duhet përsëritur, që mësimi i parë i nxjerrë nga i gjithë ballafaqimi i shoqërive të lira me terrorizmin është nevoja për koordinim dhe bashkëpunim të thellë mes institucioneve e strukturave të sigurisë. Dihet se në vendin tonë në këtë aspekt janë trashëguar probleme. Ne kemi mjaftueshmërisht struktura sigurie, por kemi ende hapësirë për t’i bërë ato të funksionojnë më mirë si pjesë integrale e një sistemi të vetëm sigurie. Krijimi i një strukture në shërbim të këtij qëllimi, e cila do të kryente funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë, është një nevojë e përhershme, një rekomandim i kahershëm dhe një prioritet i përcaktuar më së fundi edhe nga Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare. Besoj se ngritja e saj do të fillojë së shpejti.
Forcimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm për rreziqet, kërcënimet dhe sulmet terroriste është një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm. Përmirësimi i kapaciteteve të inteligjencës, orientimi sa më i drejtë i burimeve të saj dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë i inteligjencës me strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, mbetet një tjetër objektiv i vazhdueshëm dhe i përhershëm. Vënia në kontroll të plotë e armatimeve dhe i municioneve që disponohen nga individë të caktuar, nga subjekte private të sigurisë, nga subjekte ekonomike e me radhë, është një sfidë dhe një kusht i rëndësishëm për të reduktuar potencialin e rrezikut të terrorit për sigurinë e vendit. Trajnimi i personelit dhe i strukturave të Policisë së Shtetit, modernizimi teknologjik dhe bashkëpunimi i saj me strukturat e tjera të sigurisë jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, janë po ashtu kushte të rëndësishme për të patur sukses në këtë luftë për jetë a vdekje mes botës së lirë dhe terrorizmit e krimit të organizuar. Angazhimi më i gjerë i strukturave të forcave të armatosura, kryesisht me shërbimet e inteligjencës, ato policore apo komandove speciale në mbështetje të Policisë së Shtetit për përballimin e kërcënimit apo sulmeve terroriste, është një potencial që duhet shfrytëzuar.
Po ashtu, strukturat e policisë së burgjeve janë një kapacitet i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Është fakt i njohur se në botë dhe në Shqipëri, burgjet përdoren si platforma të rëndësishme nga organizata terroriste dhe kriminale për të indoktrinuar, për të rekrutuar, apo për të nxitur nga brenda jashtë rrjetet e tyre që të futen në veprime qoftë të natyrës terroriste, qoftë të natyrës mirëfilli kriminale. Prej burgjeve mbahen kontakte madje dhe drejtohen veprimtari kriminale. Përforcimi i standardeve të sigurisë në burgje, trajnimi dhe modernizimi i policisë së burgjeve dhe bashkëveprimi me institucione të përkujdesjeve sociale janë prioritete që mbeten gjithmonë të tilla, por mbi të cilat ne kemi ende shumë për të bërë.
Intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është një nga rrugët më të përshtatshme padyshim për t’u përballur me efikasitet në kohë reale me terrorizmin dhe krimin e organizuar, sepse në fund të fundit të dyja këto kërcënime tanimë, si për Shqipërinë ashtu dhe për gjithë vendet e tjera të hapura, janë kërcënime me natyrë ndërkombëtare. Për këtë arsye dhe lufta ndaj tyre nuk mund të jetë dot, thjesht, një përpjekje e brendshme me mundësitë dhe me forca vetëm të brendshme. Shkëmbimi i informacionit shkëmbimi i përvojës, trajnimi dhe operacionet e përbashkëta me strukturat ligjzbatuese të vendeve të tjera partnere dhe aleate kanë qenë gjithnjë të vyera dhe mbeten një prioritet i punës të strukturave të sigurisë kombëtare.
Vetëm në operacionet e fundit kundër trafikut të drogës janë një provë e qartë e dobisë që sjell bashkëpunimi intensiv ndërkombëtar. Ne jemi shumë të inkurajuar pasi prej disa muajsh po shikojmë dobishmërinë e vënies në lëvizje në drejtimin e duhur të këtij bashkëpunimi. Funksionimi i sistemit të sigurisë kombëtare si një i vetëm është sfida jonë. Padyshim ajo kërkon koordinim në nivelin më të lartë politik, gjë që ky Këshill i Sigurisë Kombëtare ka për detyrë ta bëjë dhe po e bën. Por kërkon koordinim dhe në nivelin ekzekutiv mes të gjitha institucioneve, ashtu siç kërkon trajnim, siç kërkon stërvitje dhe siç kërkon besoj unë dhe testim të veprimit të tij pa pritur që të testohet momentin kur një akt i rëndë ndodh dhe e vë në sfidë sistemin.
Duke e mbyllur besoj se do të ishte e udhës që të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare të marrin nga ky takim mesazhin e qartë të domosdoshmërisë për t’u përfshirë në një program të përbashkët trajnimi stërvitjeje dhe testimi me qëllim që të gjithë elementët e vendimmarrjes dhe të gjitha strukturat operacionale të provohen në kushtet të stimuluara me qëllim që të precizohen në radhë të parë procedurat dhe pastaj të harmonizohen paraprakisht të gjitha mënyrat e veprimit duke testuar në të njëjtën kohë për aq sa mund të testohet në kushtet e stimulimit eficensën e të gjitha reagimeve dhe duke hapur një tablo të qartë të të gjitha nevojave për ndërhyrje apo për axhustime. Në mënyrë që, nëse Shqipëria vihet përballë një sprove, që askush nuk mund ta përjashtojë, atëherë ne të kemi gati një mekanizëm që nuk gjendet në kushtet e të papriturës dhe as nuk vihet në lëvizje për herë të parë si për një gjë të re, siç do të ishte një gjë e tillë, por është paraprakisht i testuar si një mekanizëm tërësor sigurie. Sepse nuk ka dyshim që secili nga elementët e këtij mekanizmi dhe çdo njëri nga komponentët e strukturës së përgjithshme të sigurisë është i testuar në vetvete nga raportimet e përditshme, por i tërë mekanizmi besoj që ka nevojë të testohet.
Duke e falenderuar Presidentin për këtë takim, që e përsëris në këndvështrimin tim është edhe një kontribut për të rritur ndjeshmërinë publike, por edhe për të nxitur të gjitha strukturat që përbëjnë edhe mekanizmin tërësor të sigurisë që të mos jenë në pozita pritëse, besoj që ky takim duhet dhe të dalë me konkluzionin se na duhet një testim paraprak i gjithë mekanizmit në kushte të stimuluara.
Faleminderit!