English

Basha: Sesioni i ri parlamentar, beteja më të forta me qeverinë dhe të keqen e lidhur me të‏

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Përshëndetje të nderuar deputetë,

Sot hapet sesioni i ri parlamentar. Rifillon për Partinë Demokratike, për grupin tonë parlamentar dhe për gjithë opozitën një betejë e re, akoma më e fortë se betejat që kemi zhvilluar deri tani, jo sepse kështu na pëlqen, por sepse akoma më larg ka shkuar e po shkon përkeqësimi i gjithanshëm i gjendjes ekonomike, shoqërore dhe sigurisë në vend, nga dyshja Rama-Meta, akoma më brutalisht po mbyllen horitontet e shpresës për qytetarët me këtë qeveri, akoma më e zymtë bëhet përspektiva e daljes nga tuneli i krizës dhe demagogjisë qeveritare.

Kjo është qeveria që në një anë ka braktisur gjithë bllokun e premtimeve kryesore elektorale pa denjuar të japë shpjegime apo llogari para zgjedhësve; në anën tjetër ka përqafuar pseudozgjidhje dhe pseudoreforma që nuk i ka zënë fare në gojë e nuk i ka pasur gjëkundi pjesë të kontratës së saj me zgjedhësit. Nuk është mjaftuar të jetë gënjeshtare, mashtruese dhe e papërgjegjshme. Eshtë edhe cinike, është edhe e pabesë dhe e pafytyrë me zgjedhësit. Vetëm një qeveri e tillë guxon të bëjë krejt të kundërtën e asaj që ka shpallur në fushatë dhe për të cilën ka marrë votat. Rasti më tipik është premtimi solemn për uljen e çmimit të energjisë elektrike, të cilin po e “realizon” në praktikë si rritje të çmimit të energjisë për shumicën dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Rastet e shndrrimit të premtimeve në të kundërtën e tyre sidoqoftë janë me dhjetra për qeverisjen Rama-Meta. Po kaq demaskues është terrori mbi mjekët, infermierët, mesuesit, që po mbjell kjo qeveri nën petkun e rremë të pseudoreformës. Liza Tafaj dhe Gënjeshtare Manastirliu janë emblemat e vërteta të reformës Rama-Meta në arsim dhe shëndetësi.

Në sytë e qytetarëve shqiptarë, kjo nuk është qeveria që ata kanë votuar. Kjo nuk është, pra, një qeveri e votuar, por një mashtrim i qartë.

Opozitarizmi ynë duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjet dorë për dorë, sy për sy dhe flakë për flakë përshkallëzimit të së keqes që ofrojnë për qytetarët kundërshtarët tanë në qeverisje. Ne duhet të jemi e do të jemi opozitë edhe më e fortë. Natyrisht, duke intensifikuar opozitarizmin në sallën e Kuvendit dhe në të gjitha aulat e komunikimit publik, ne do të vazhdojnë të qëndrojmë fort në tabanin e një opozitarimi të mbështetur në fakte, argumente, arsye dhe zgjidhje, që është vlerësuar pozitivisht brenda dhe jashtë vendit, që ka dhënë e do të japë rezultate për qytetarët dhe për vetë opozitën si institucion i pazëvendësueshëm i demokracisë. Qeverisja oligarkike e ka në gen mbylljen e gojëve, ndalimin e fjalës së lirë, mbytjen e së vërtetës, mbulimin e skandaleve të saj, duke përdorur sipas rastit karrotën dhe kërbaçin. Diçka arrin, diçka kanë arritur me këto metoda edhe dyshja oligarkike Rama-Meta. Kantieri i tyre i propagandës dhe Shqipërisë virtuale që punon me ngarkesë të plotë, është gjallëruar si asnjëherë tjetër. Por demokracia ka krijuar një arkitekturë faktorësh dhe institucionesh të pavarura që kanë qëndruar, qëndrojnë e do të vazhdojnë të qëndrojnë besnike të ligjit, besnikë të Kushtetutës, besnikë të interesit qytetar. Vendi është i hapur dhe hapja është pasuria dhe fuqia e madhe e tij. Vendi ka forca të së mirës dhe së vërtetës që as merren, as kapen, as blihen, as shiten, as tremben, as nënshtrohen. Janë qytetarët e lirë në radhë të parë, është media e lirë, është sipërmarja e lirë, janë grupet e pavarura të interesit, janë organizatat e pavarura të shoqërisë civile, është Partia Demokratike, është opozita, instanca bazike dhe e epërme e lirisë në ketë vend. Të gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk janë pjesë apo votues të formacionit tonë politik, e dinë, e kanë parë e do ta shohim në vijimësi: në momentet më të vështira, kur krimi lëshohet rrugëve, shesheve, sallave dhe koridoreve për të kafshuar, për të dhunuar, për të plaçkitur e vjedhur asetet publike e private për llogari të diktaturës së krimit, jemi ne, opozita që i dalim përballë, që e luftojmë e do ta luftojmë pa kompromis. Ne jemi opozita, jemi kontrolli, jemi denoncimi i së keqes, jemi njëkohësisht shpresa, e nesermja më e mirë, shumë më e mirë.

Grupi ynë, deputetët tanë dhe gjithë deputetët e opozitës janë përgaditur për këtë betejë shumëplanëshe. Opozita e fillon me mëngët përveshur këtë sesion parlamentar. Sfidat janë të shumta, por unë do të përmend në këtë fjalë para jush disa që i konsideroj ndër kryesoret.

1-Dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera të administratës shtetërore nga individët me rekorde kriminale apo kontingjente të krimit të organizuar, është beteja dhe kauza jonë fisnike dhe jetike për sot dhe për nesër. Eshtë kauza jonë fisnike për të pohuar e promovuar Shqipërinë e vlerave, Shqipërinë e familjeve që heqin bukën e gojës për arsimimin e bijave dhe bijve të tyre me dije dhe parime të drejta, me edukatë dhe moral qytetar. Shqipërinë e virtuteteve më të mira që nuk është rrëzuar e nuk do të rrëzohet kurrë sado terren të kenë fituar apo t’u jetë dhënë nga politikanët e pacipë individëve të botës së krimit. Eshtë kauza jonë jetike sepse vendi nuk ka të ardhme, vendi do të shohë vetëm zi nëse krimi i organizuar do të merrte timonin, siç ishte tendenca e hapur para se Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe pjesa më e shëndoshë e medias të ngriheshin në këmbë dhe të jepnin alarmin për rrezikun e madh që i kanosej vendit nga krimi i ngritur në sistem. Ne reaguam, ne u përballëm, ne sakrifikuam. Kush mund ta bënte tjetër veç nesh, veç opozitës? A do të ishim ne opozita që meritojnë qytetarët shqiptarë po të mos bënim këtë, po të mos ngulnim këmbë, po të mos sensibilizonim parnerët tanë ndërkombëtarë, po të mos ndërgjegjësonim një numër shumë të madh njerëzish brenda vendit se kriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve shtetërore është vija e kuqe e ndarjes dhe përballjes pa çmim me diktaturën e krimit?

Miratuam një rezolutë konsensuale me asistencë dhe garanci ndërkombëtare. Duke njohur rëndësinë e saj dhe duke u nisur nga mirëbesimi në vullnetin e palës tjetër, ne do të jemi promotorë të zbatimit të rezolutës brenda afatit gjashtëmujor, duke filluar nga puna menjëherë, pa humbur kohë. Nga ana tjetër, ne nuk kemi iluzione se rruga do të jetë e shtruar me tapet. Përkundrazi. Kryeministri Edi Rama është kujdesur të mos e tregojë fytyrën si palë nënshkruese e rezolutës. Më tej, ai ka bërë çmos ta denigrojë atë me lloj-lloj formash e mënyrash, duke dashur t’u japë subjekteve të dekriminalizmit mesazhin se asgjë serioze nuk do të ndodhë. Ne i kemi ndjekur dhe analizuar me kujdes qëndrimet nënvlerësuese të kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit dhe veglave të tyre ndaj kauzës fisnike dhe jetike të dekriminalizimit. Jemi shqetësuar padyshim me këto qëndrime, që bien ndesh me frymën e rezolutës dhe me gjithë kontekstin e hartimit dhe miratimit të saj. Rezoluta është nënshkruar nga dy palë dhe zbatimi i saj kërkon dy palë. Nuk duam të nxitohemi, nuk duam të paragjykojmë, duam të jemi bashkë në këtë betejë, duam dhe kërkojmë që shumica t’u përmbahet angazhimeve që ka marrë, shpresojmë të mos bëjë lojë të dyfishtë, domethënë të nënshkruajë me ne letra, dhe të qëndrojë përballë nesh me vepra, siç janë dhënë disa shenja. Ky do të ishte kapitullim para krimit të organizuar. Kjo do ta ndërlikonte betejën kombëtare dhe ndërkombëtare për dekriminalizimin. Por nuk do të na ndalte. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund. Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të vendosur po kështu të na asistojnë e ndihmojnë deri në fitore. Dekriminalizimi është për ne një kusht i sigurisë, mirëqënies dhe integrimit. Ne nuk njohim kauzë politike me të madhe se siguria, mirëqënia dhe integrimi i vendit në Europë. E përsëris: duam të punojmë sëbashku me shumicën me një vizion të gjërë, të thellë dhe realist për fenomenin, për domosdoshmërinë e mënjanimit të krimit nga jeta politike dhe institucionale. Në përmasat që ka marrë, është naivitet të mendohet se kriminalizimi është një aksident, një rastësi. Absolutisht, është e kundërta e vërteta. Por nuk ka vlerë të zgjatemi se kur datoi, si datoi e pse kulmoi në këtë legjislaturë. Ka vlerë të jemi të gjithë të vetëdijshëm për rrezikun që përfaqëson sot për demokracinë, të jemi të gjithë të bashkuar për t’i dalë përballë, për të çmontuar, deri në burmën e fundit mekanizmin që promovon trafikantë dhe kontigjente të krimit të organizuar në Kuvend dhe në institucione të tjera publike. Të shkojmë edhe më tej duke e shtrirë dekriminalzimin në mbrojtjen e zgjedhjeve të lira nga shitblerja e votës dhe fenomeneve të tjera të shoqëruara me të.

2-Lidhur ngushtë me kauzën e dekriminalizmit, është beteja jonë opozitare kundër krimit të çdo lloji, kundër pasigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve. Krimi po përparon çdo ditë në sfondin e mburrjeve pompoze të Kryeministrit dhe vartësve të tij. Janë të shumta tashmë faktet e bujshme që tregojnë se mburrjet qeveritare dhe krimi janë bërë si një binom i pandashëm që rriten paralelisht. Sa më e madhe mburrja e ministrit dhe kryeministrit aq më i madh krimi që do të plasë e do të dalë në shesh nesër. Shembulli më i freskët është mburrja pa cak në fund të vitit të kaluar sikur gjoja e kishin zhbërë trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria. Këto mburrje përkonin në kohë me identifikimin dhe sinjalizmin nga policia gjermane në adresë të Prokurorisë shqiptare të Krimeve të Rënda të trafikut të kokainës nga Shqipëria. Ky sinjalizim, siç dihet tashmë, çoi në zbulimin e impiantit më të madh rajonal të prodhimit të kokanës në Xibrakë të Elbasanit. Pra trafiku në fjalë jo që nuk ishte zhbërë, por kishte marrë trajta të reja dhe përmasa të frikshme të panjohura për Shqipërisë më parë. Kultivim dhe trafik të kanabisit vendi ka patur e ka akoma. Pavarësisht luftës që i është bërë dhe rezultateve që janë arritur. Por trafik të lëndëve narkotike me avionë dhe fabrikë të prodhimit të kokainës kemi njohur vetëm nën qeverisjen e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ky është një fakt i hidhur dhe shumë kokëfortë që demaskon dhe shumëzon me zero gjithë retorikën antitrafik të kësaj dysheje. Bosët e narkoprodhimit dhe narkotrafikut nuk janë shqetësuar fare. Frikësuar jo se jo. Përkundrazi: duket qartë se e kanë pasur në favor retorikën qeveritare përderisa kanë guxuar që në kulmin e goditjeve të pretenduara nga qeveria të ideojnë dhe vënë në funksion të plotë jo një ahur apo një birucë, por një fabrikë të mirëfilltë të prodhimit të kokainës. Si në një parajsë të vërtetë të krimit. Si në Kolumbi.

Vrapuan të parët për t’u mburrur me zbulimin e fabrikës, por faktet tregojnë se një pjesë e mori vesh e fundit dhe pjesa tjetër duket se ka lidhje. Duhen prova për të pohuar se mburrjet janë një mbulim i qëllimshëm, por që mburrja është verbëri, kjo është provuar. Krimi nuk mund të këtë aleat më të mirë se qeverisjen propagandistike.

Ishin në këtë mburravecje e sipër kryeministri dhe ministri i tij, kur në brigjet e Italisë mbërriti një anije nga Shqipëria me 6 kuintalë marijuanë, drogë që i ka shpëtuar kontrollit që qeveria pretendon se ka në territor e në pikat kufitare.

Fabrika e kokainës në Elbasan është një fabrikë e metastazave të shumë krimeve: ekonomike, politike, elektorale, shoqërore. Ne falenderojmë shtetin gjerman dhe kujtohemi edhe njeherë se sa jetike është për demokracinë tonë, për qënien tonë, integrimi, bashkëpunimi, përshirja në sistemet e përbashkëta të sigurisë. Falenderojmë Prokurorinë e Krimeve të Rënda që punoi me profesionalizëm dhe ndërgjegje të lartë për zbulimin e fabrikës dhe rrjetit të trafikantëve. Falenderojmë ata oficerë dhe punonjësit e policisë së shtetit që u angazhuan në aksionin për ndalimin dhe arrestimin e pjestarëve të rrjetit kriminal.

Si opozitë ne inkurajojmë dhe kërkojmë çuarjen deri në fund të hetimit të këtij krimi të shumë të rrezikshëm, duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë tanë gjermanë dhe me specialistë të sprovuar të vendeve të tjera partnere. Kemi besim se ligji do të veprojë dhe nuk do të ndalet për asnjë arsye, para askujt. Kemi besim se në aulën e drejtësisë do të marrin përgjigje të gjitha pikëpytetjet dhe enigmat që lidhen me funksionimin e një fabrike si kjo që ka importuar ilegalisht lëndë të parë dhe eksportuar ilegalisht produktin.

Duke pritur e inkurajuar drejtësinë, ne akuzojmë sot politikisht qeverinë, kryeministrin, strukturat përkatëse dhe ministrin e tij të Brendshëm se me polikat e tyre për rendin, me psedureformën e tyre në policinë e shtetit, me promovimin prej tyre të militantëve dhe klientelizmit duke larguar e dekurajuar profesionistët, me shndrrimin e policisë së shtetit në polici elektrike apo ndërtimore, i kanë hapur krahun krimit të organizuar që po livadhis.

Për ne, të nderuar deputetë, krimi në këto përmasa dhe trajta, nuk është thjesht shprehje paaftësie apo e dështimit të disa strukturave policore. Po të ishte vetëm kjo do të ishte gjysma e së keqes. Krimi në këto përmasa dhe trajta, është produkt i mënyrës, stilit, mendësisë së qeverisjes, i vetë qeverisjes Rama-Meta. Siç e thotë populli, ky stan këtë bulmet ka. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh. Ndaj lufta dhe përpjekjet tona kundër krimit, përveçse të vendosura, duket të jenë edhe të menduara mirë dhe efikase. I kemi bërë thirrje qeverisë të distancohet qartë nga krimi, i kemi bërë thirrje kryeministrit të distancohet nga qasja që frymëzon dhe mobilizon krimin për një varg çështjesh të pushtetit të tij personal. Mbushja e komisariateve dhe burgjeve me njerez të thjeshtë që nuk kanë paguar apo nuk kanë me se të paguajnë energjinë elektrike nuk e kompenson në asnjë version komoditetin, rehatin në të cilën operojnë grupet e krimit të organizuar me lidhje apo mbështetje qeveritare në territorin tonë. Retorikës së famshme qeveritare të kontrollit të territorit i ka dalë boja. Çfarë territori kontrollojnë kur bandat ngrenë fabrikë në kërthizë të vendit, kur bandat dhe banditët vrasin në mes të Tiranës! Kur atentatet me tritol po trondisin ditë pas dite sigurinë e çdo qytetari. Duhet të presim që të vrasin nga tre-katër, pesë, gjashtë qytetarë? Duhet të presim t’i denocojë dhe të na i sjellë në pjatë Gjermania apo vendet e tjera mike? I ashtuquajturi shtetformim, si ky që pretendon dhe mburret se po bën zoti Rama është një farsë, ndërkohë që krimi i organizuar lulëzon.

3-Opozitarizmi ynë do të vijojë të ketë në fokus të përditshëm problematikën e gjërë e të mprehtë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të vendit, gjendjen e familjeve dhe individëve, çështjet e mëdha të punës, punësimit dhe investimeve, vështirësitë e shtuara me të cilat ndeshet sot sipërmarrja e lirë vendase apo e huaj që operon në Shqipëri, temën e madhe të destinimit të parave që paguajnë taksapaguesit, politikat ekonomike në tërësi që ndjek qeveria e tjerë.

Nuk e teprojmë aspakt po të themi se gjendja ekonomike e qytetarëve shqiptare është sot më e keqe se dje dhe pardje, çdo ditë e më keqe, më e keqe se kurrë sëpaku gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Eshtë ku thërret qameti. Modeli Rama-Meta i taksave të larta e tarifave të rritura në kohë krize vazhdon t’i varfërojë qytetarët, vazhdon ta zhysë ekonominë. E kemi thenë dhe nuk do të pushojmë së nënvizuari se ky është model i paaftësisë dhe pashpirtësisë njëkohësisht, modeli i kollajtë, por edhe supercinik “bjeru qytetarëve, bjeri popullit”, model tipik pashallarësh dhe oligarkësh që mund të rrisë pasanikë në oborrin qeveritar, por zhvillim për vendin dhe qytetarët nuk prodhon kurrë. Përkudrazi: prodhon vetëm karantinë, mekje, falimentim dhe varfëri.

Me parimin e trashëguar nga paraardhësit e tyre gjenetik dhe politik se realiteti është ai që tregojmë ne dhe jo ai që është realisht, qeveria ka mobilizuar fonde, megafonë, rrjete sociale dhe gjithçka ka në dorë për të të zhurmuar klithjen qytetare të përkeqësimit. Ne kemi qenë dhe do të jemi zëri i qytetarëve, zëri i së vertetës. Qeveria ka dizavantazhin e madh se është e detyruar ta prodhojë në zyrat e saj Shqipërinë e sukseseve virtuale, ne kemi qenë, jemi e do të jemi pranë njerëzve, mes tyre për të vërtetën. Nuk do të kufizohemi vetëm me denoncimin e përkeqësimit. Do të bëjmë çmos ta ndalojmë atë bashkë me qytetarët aty ku mundemi si opozitë. Kemi mobilizuar një lëvizje të gjerë për të imponuar reflektimin real të rënies së çmimit të karburanteve në botë në çmimin e shitjes me pakicë për konsumatorët shqiptarë në Shqipëri. Kemi ftuar e sjellë mijëra e mijëra qytetarë dhe do të sjellim dyfishin e trefishin e tyre para kryeministrisë për të vazhduar aty ku e lamë betejen popullore kundër rritjes së çmimit të energjisë, kundër demagogjisë dhe gënjeshtarave të qeverisë.

Këto janë beteja kundër abuzimeve dhe korruspionit që duhet t’i zhvillojmë në Kuvend dhe jashtë Kuvendit e do ti zhvillojmë edhe me fort të bashkuar gjithnjë e më shumë me qytetarët shqiptarë.

4- Korrupsioni me fondet publike po del në pahun e kohës si vesi dhe krimi endemik i dyshes Rama-Meta. Antikorrupsioni do të jetë beteja jonë si opozitë. Ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Paratë e taksave të rritura, paratë e tarifave të rritura, paratë e rripit të shtrënguar në makismun, paratë e mbijetesës së sipërmarrrjes së ndershme. Ku shkojnë? Shqiptarët, viktima të taksimit të çmendur nga kjo qeveri, kanë minimalisht të drejtën të mësojnë pse po i bëjnë këto sakrifica, pse po shtrydhen në këtë gradë. Qeveria hesht, ose mundohet të fshihet prapa mjegullës propagandistike. Për ne kjo është një çështje thelbësore. Partia Demokratike po flet e do të flasë çdo ditë ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Shkojnë për korrupsionin e qeveritarëve dhe klientëve të tyre. Kulla e Korçës përfaqëson simbolikën e korrupsionit të sotëm me fondet publike. Një objekt pa vlerë, i kritikuar ashpër nga urbanistë dhe estetë të njohur, nga vetë qytetarët korçarë, që ka kushtuar miliona euro. Projekte luksi me kosto shumë të lartë- ky është stili, metoda, korrupsioni i ri që po gëlltit paratë taksapaguasve. Nuk janë vetëm investime luksi. Janë investime korrupsioni.

Antikorrupsion do të jëtë një përparësi e aksionit tonë opozitar bashkë me çështjet që parashtrova më sipër. Do t’i ndjekim nga afër, do t’i analizojmë me vëmendje dhe do ti bëjmë çështje të komunikimit e debatit qytetar të gjitha investimet e sotme me fondet publike. Do të denoncojmë bashkë me qytetarët investimet e korrupsionit. Ndaj, duke filluar nga kjo javë unë dhe të gjithë ju, së bashku me të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike nga qendra në bazë, do të nisim një tur takimesh në mbarë vendin për të ndarë me qytetarët shqiptarë këto shqetësime, për të kërkuar bashkë me ta zgjidhjet më të mira për sot dhe për neser. Ju ftoj dhe ju kërkoj të angazhohemi së bashku në zonat ku jeni zgjedhur, njëkohësisht për të intensifikuar takimet tuaja me zgjedhësit. Qytetet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje. Shqipëria reale është thirrja jonë. Qytetarët shqiptarë janë thirrja për të qënë sa më afër problemeve dhe halleve të tyre.

Të gjithë pranë njerëzve, deputetë, zyrtarë dhe drejtues të PD-së, duke filluar nga unë i pari e kemi për detyrë kryesore të jemi pranë tyre.

Për të jetuar dhe njohur gjendjen reale të vendit.

Për të njohur në thellësi hallet, mendimet dhe gjykimet e qytetarëve.

Për të denoncuar braktisjen e tyre nga qeveria.

Për të denoncuar mashtrimet qeveritare si thelbin e përkeqësimit të gjendjes në vend.

Për të identifikuar së bashku rrugëdaljet.

Për të përgatitur zgjidhjet.

Për të mbledhur forcat, dhe për të rritur bashkimin e madh të Partisë Demokratike dhe opozitës me qytetarët për një të ardhme të re.

Ju uroj suksese në këtë sesion parlamentar.

Faleminderit!

KOMENTE