English

PD: Në 26 janar, paradite në orën 11, qytetarët do të refuzojnë taksat e qeverisë

Partia Demokratike lajmëron aksionin e parë qytetar dhe i bën thirrje qeverisë për të shfuqizuar taksën e qarkullimit që e mban çmimin e karburantit në Shqipëri më të lartin në Europë. Varfëron qytetarët e pasuron klientelën pranë Ramës. Qytetarët do të ndalin makinën për 5 minuta në shenjë proteste.

112 milionë USD dalin nga xhepat e shqiptarëve si rezultat i rritjes së taksës së qarkullimit. Kemi përcjellë këto ditë shqetësimin qytetar për mosuljen e çmimit të karburantit ne Shqipëri, duke denoncuar faktin qe mbajmë shifrën rekord prej rreth 100 lekë taksa për litër karburant, por duke denoncuar edhe klientet e pushtetit që kontrollojnë tregun në fjalë.

Rritja e taksës së qarkullimit është shkaku kryesor për mosuljen e çmimit të karburantit dhe për rëndimin e xhepave të qytetarëve. Rritja e taksës së qarkullimit, ka qenë një strategji e qartë e qeverisë për të mbushur buxhetin e shtetit packa se duke u marrë frymën konsumatorëve. Të gjithëve u kujtohet kur në mbrojtje të rritjes së kësaj takse Kryeministri shpalosi humor-politikën se kjo rritje i shërbente uljes së obezitetit dhe zhdukjes së përtacisë. Një ligjërim i denjë për çmimin e liderit më cinik në Evropë dhe më gjerë. Mazhoranca me kokëfortësinë e saj i ngriti taksat duke i sjellë ekonomisë efektin negativ të uljes së rritjes ekonomike me 0.7 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Për dy vite me radhë, qeveria ka planifikuar të marrë, nga rritja e taksës së qarkullimit me 240 leke të vjetra, nga 56 milionë USD çdo vit. Pra, në dy vjet, nga rritja e taksës së qarkullimit, qytetarët kanë paguar 112 milionë USD, nga xhepat e tyre. Kjo është vetëm taksa e drejtpërdrejtë, sepse në rastin e karburanteve efekti multiplikator indirekt është akoma dhe më shkatërrues për ekonomitë familjare. Partia Demokratike i ripërsërit qeverisë thirrjen e fundit për të marrë masa dhe për të shfuqizuar menjëherë taksat e rritura të qarkullimit dhe për t’i dhënë fund efekteve shkatërruese të tyre në ekonomine e vendit. Partia Demokratike do të vihet në krye të aksionit qytetar kunder varfërimit të shqiptarëve nga qeveria dhe pasurimit të klientëve pranë saj.

Aksioni i parë nis të hënën e ardhshme kur të gjithë qytetarët që kanë një makinë, në orën 11 paradite do të ndalojnë për 5 minuta, në shenjë proteste ndaj cmimit më të shtrenjtë në Europë të karburantit, në raport me të ardhurat, që është i tillë sepse kështu ka vendosur qeveria.

Pra, mos harroni, të hënën e ardhshme në orën 11, për 5 minuta, qytetarët do të refuzojnë masivisht taksat e qeverisë dhe cmimin stratosferik të karburantit.

KOMENTE