Deklaratë për shtyp e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj:
Katër vjet më pas, drejtësia për 21 Janarin ende mungon.
Drejtësinë e kërkojnë jo vetëm familjarët e Ziverit, Hekuranit, Aleksit dhe Faikut, por e kërkon çdo shqiptar që katër vjet më parë ishte dëshmitar i krimit shtetëror që mori jetën e katër qytetarëve të pafajshëm, në Bulevardin qendror të Tiranës.
Kush mendon sot se krimi i 21 Janarit është një çështje e mbyllur, që thjesht mund të endet në kalendat e drejtësisë shqiptare, gabon. Gabon rëndë.
21 Janarin kjo qeveri nuk e ka harruar dhe nuk ka për ta harruar deri sa të vendoset drejtësi e plotë. Pasi 21 Janarin nuk e harron dot asnjë shqiptar.
Nëse krimi shtetëror që mori jetën e katër qytetarëve të pafajshëm po vonon të zbardhet nga drejtësia, ne, pasi kanë kaluar plot katër vjet, i bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë.
Por nëse drejtësia do të vazhdojë ta vonojë drejtësinë që 21 Janari meriton, shqiptarët të jenë të sigurt se një mekanizëm alternativ do ta vendosë në shinat e duhura drejtësinë shqiptare sa i takon kësaj çështje.
Qeveria shqiptare sot ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm, për të pajisur me pension të veçantë familjarët e të vrarëve të 21 Janarit. Ky është hapi i parë ligjor përmes të cilit shteti shqiptar merr përsipër përgjegjësinë e plotë për vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë, në bulevardin kryesor të Tiranës.
Por ky është vetëm hapi i parë drejt një drejtësie të plotë që duhet të nxjerrë përpara ligjit urdhëruesit dhe ekzekutuesit e katër vrasjeve, me radhë, një e nga një.
Faleminderit!