English

Spitali “Mbretëresha Geraldinë”, tashmë me sallë të re operatore dhe inkubatorë për neonatologjinë

SUOGJ ‘M. Geraldinë’, Sallë e re operatore dhe inkubatorë për neonatologjinë,
Beqaj: “Mbajmë angazhimet, përmirësojmë kapacitetet spitalore”

Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” përmirëson dhe fuqizon ndjeshëm kapacitetet e shërbimeve falë investimeve të realizara gjatë vitit 2014 në shërbimin e kirurgjisë, reanimacionin dhe atë shërbimit të neonatologjisë, si dhe kabinetin e imazherisë. Lajmi u bë ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi në këtë institucion për të përuruar sallën e re operatore në shërbimin e kirurgjisë dhe vendosjen e 6 inkubatorëve të rinj në shërbimin e neonatologjisë.

Në fjalën e tij për mediat e pranishme, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se përmirësimi dhe fuqizimi i kapaciteteve që arritëm të realizojmë që kur kemi marrë detyrën na ndihmojnë për t’i shërbyer, më mirë, më me cilësi dhe më shpejt, qoftë nënave të reja, qoftë bebeve që lindin këtu. Por, sigurisht, - tha më tej ai, - edhe për të mundësuar edhe që mjekët dhe infermierët të mund të kenë rezultate sa më të mira në punën e tyre, sepse në mjekësinë e sotme padyshim, aparaturat, ekzaminimet, kushtet e punës, janë shumë të rëndësishme.

“Dua të falënderoj drejtuesit e spitalit dhe drejtuesit e shërbimeve,” vuri në dukje kreu i shëndetësisë në vend, “jo vetëm për punën që bëjnë, pasi të dhënat në këtë spital, tregojnë që në vitin 2014 kemi rritur ndjeshëm volumin dhe shërbimin që kemi ofruar në krahasim me vitin 2013, por edhe ato që janë specifike për këtë lloj spitali, të cilat tregojnë se kemi ulje të lindjeve premature, kemi ulje të lindjeve me operacion dhe kemi ulje shumë të ndjeshme të parametrave të mortalitetit të fëmijëve.”

Duke i’u përgjigjur gjithashtu interesit të gazetarëve për programin e ri të testimit të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë teknikë mjekësorë të njoftuar disa ditë më parë, z. Beqaj tha se “sot jemi në këtu për të treguar punën që bëjmë për të fuqizuar kapacitetet në këtë spital dhe në shumë spitale të Shqipërisë,” - duke theksuar se, - “testimi do të bëhet, për të patur një njohje sa më të mirë për ne si ministri shëndetësie, të njohurive që kanë sot infermierët dhe mjekët, për të krijuar një program të qëndrueshëm, të shpejtë dhe efikas, të rritjes së formimit të tyre profesional”.

Ndërkohë, Drejtori i SUOGJ “M. Geraldinë”, Dr. Blenard Nonaj, u shpreh se duke qenë se ndërhyrjet oepratore që kryhen këtu janë për pacientë që vijnë nga i gjithë territori i vendit dhe jo vetëm nga Tirana, ka pasur një rradhë pritjeje të konsiderueshme, ndërsa sot, tha më tej ai, “kjo rradhë po zvogëlohet përherë e më tepër, pasi pacientëve nuk i’u duhet të presin dy apo më shumë muaj, por çdo pacient mund ta kryej ndërhyrjen brenda muajit”.

Po ashtu, edhe shefi i repartit të gjinekologjisë, Dr. Nikita Manoku tha se “deri më sot kemi punuar në kushte jo ideale për një sallë operacioni dhe ka qenë ëndërr për ne që të kishim kushtet optimale që kërkon një sallë operacioni, sepse një kirurg nuk ka vetëm duart e tij, por ka edhe atrecaturat, edhe sallën e operacionit ku punon. Rritja e cilësisë së shërbimit, është gjithmonë e influencuar edhe nga kushtet e sallave të operacionit dhe përmirësimi i këtyre kushteve, bën që të rritet cilësia e shërbimit ndaj nënave, ndaj grave që operohen këtu”.

“Është evidente,” tha më tej Dr. Manoku, - “se me përmirësimin e kushteve, ne mund të themi që kemi arritur standartet botërore në komplikacionet postoperate, - pra kemi jashtëzakonisht pak komplikacione postoperatore, - dhe në kirurgji kjo kërkohet, që të kemi sa më pak komplikacione postoperatore. Në përgjithësi, kirurgjia i njeh komplikacionet, ndodhin në të gjithë botën, por luftojnë për t’i minimizuar komplikacionet”.

KOMENTE