English

Basha: Dita e parë e pranverës së protestave për të drejtat ekonomike dhe sociale të qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike falenderon qytetarët në mbarë vendin që iu përgjigjen thirrjes së opozitës për protesta kundër cmimit më të shtrenjtë të karburantit në rajon e në Europë. Basha paralajmëron protesta të tjera masive, nëse qeveria nuk tërhiqet nga taksat e larta, e nëse nuk mban premtimin për cmimin e energjisë.

Dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë anë e mbanë vendit, në Sarandë, në Vlorë, në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në Lezhë, në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan, në Dibër, në Kukës, në Gjirokastër, në Berat, e kudo, në akset kombëtare, që iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike, për të protestuar në mënyrë qytetare, duke fikur makinat e tyre sot në orën 11:00, në shenjë proteste dhe refuzimi të qeverisë Rama-Meta, e cila, me taksat e saj, që arrijnë 1008 lekë për cdo litër karburanti, ia ka dalë ta kthejë Shqipërinë në vendin lider të çmimit të karburantit në Ballkan, në Europë dhe me gjerë, për një popull, të ardhurat mesatare të të cilit, janë tre herë më të vogla se të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian.

Taksa e naftës, që përkthehet në çmimin e lartë të naftës, u merr shqiptarëve dy herë më shumë si mesatare të të ardhurave, se sa ç’ju merr europianëve, dhe kjo është taksa Rama, kjo është taksa e papërgjegjshmërisë, e arbitraritetit, e padrejtësisë dhe e klientelizmit që kanë instaluar në pushtet dyshja Rama-Meta. Eshtë taksa që prek drejtpërdrejt bukën e fëmijëve të shqiptarëve, prek drejtpërdrejt koston e transportit publik dhe privat, shkatërron në themel perspektivën e daljes nga kriza ekonomike ku e kanë futur vendin.

E sotmja është dita e parë e pranverës së protestave për shqiptarët të cilët refuzojnë dhe nuk pranojnë më të nëpërkëmben, të shpërfillen, të trajtohen si skllevër të një qeverie që e ka mendjen si e si të mbushë çantat e saj dhe thesarin e saj me lekët që merr nga xhepat e shqiptarve duke futur duart thellë e më thellë dhe në shumë raste duke u marrë edhe kacidhen e fundit. Ndaj, duke përgëzuar nga zemra të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë protestë, mendoj se e sotmja është një ditë historike. Eshtë dita e protestës qytetare që nuk bëhet për pushtetin e askujt por bëhet për të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve për një qeverisje të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme. Eshtë hapi ynë i parë, të tjerë hapa do të pasojnë për ta vënë këtë qeverisje oligarkike, që e trajton shqiptarin si sklllav, si objekt të qeverisjes dhe jo si Sovran, para përgjegjësisë ose për t’i treguar vendin.

-Z Basha, a është e efektshme vetëm një protestë kundër qeverisë?

Ky është hapi i parë për taksën e karburantit, por është po kështu nisja e protestave për thyerjen e premtimit për uljen e energjisë kur në fakt çmimi i energjisë u rrit. Për thyerjen e premtimit për më shumë vende pune, kur mijëra shqiptarë flaken në rrugë sepse vendet e punës jo vetëm që nuk janë hapur por vendet ekzistuese janë mbyllur dhe kërcënojnë të mbyllen. Eshtë fillimi i protestave popullore masive për kërbaçin që po u tregohet shqiptarëve në mënyrë selektive dhe diskriminuese në çështje të tilla si ndërtimet pa leje, kur ndërtimet dhe sarajet e pushtetarëve ngrihen, ndërsa fukarenjtë goditen në pasurinë që kanë vendosur me gjak dhe me djersë, shpesh herë në kushte të vështira. Eshtë protesta për padrejtësitë e mëdha, që Qamil Zelën e trajton si kriminel dhe e lë të vetëvritet në burg për 35 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që deputetët dhe bandidët e OSHEE-së, debitorë deri në 205 milionë lekë, gradohen dhe trajtohen si VIP-a nga dyshja Rama-Meta.

Pra është nisja e protestave kundër padrejtësisë që kjo qeveri ka ngritur në themel dhe që promovon bandat, krimin dhe korrupsionin dhe ka harruar qëllimin themelor të qeverisjes që është shërbimi ndaj qytetarëve. Ndaj unë edhe njëherë, përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë që u bashkuan në protestë, edhe ata që nuk janë votues të Partisë Demokratike, sepse vetëm përmes bashkimit, forcës së bashkimit të zërit tonë, ne do ta ndalim këtë të keqe. Dhe jam i bindur që do tia dalim. Bashkë me gjithë shqiptarët.

-Sa të efektshme do të jetë këto protesta pasi buxheti dhe paketa fiskale janë miratuar ndërkohë?

Buxheti nuk është i paprekshëm. Qeveria nuk është e paprekshme. Thirrja jonë është që menjëherë të reflektohet kërkesa e qytetarëve për uljen e taksës së qarkullimit. Menjëherë të rikthehet çmimi i energjisë aty ku ishte dhe të plotësohet premtimi elektoral për ulje të çmimit të energjisë me 16% ashtu siç u premtua në fushatë. Nëse këto thirrje nuk reflektohen protestat tona do të vazhdojnë, jo vetëm në ndryshimin e buxhetit por deri në ndryshimin e qeverisë.

KOMENTE