Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e përvitshëm të organizuar nga Shoqata e investitorëve të huaj në Shqipëri:
Do të doja t’ju falenderoja shumë për këtë ftesë, që më jep kënaqësi t’ju drejtohem sot këtu dhe, po kështu, më lejoni të falenderoj Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri që organizon këtë eveniment vjetor.
Viti që sapo lamë pas krahëve, ishte një vit me sfida të vështira për qeverinë dhe, jam i vetëdijshëm, edhe për komunitetin e biznesit.
Shpresoj që, që prej takimit tonë të parë në evenimentin e mëparshëm, ju e shihni që qeveria është më e besueshme dhe ende jo e shurdhët, sepse ne duam vërtetë të bashkëpunojmë për të mbajtur premtimet tona dhe për të siguruar një mjedis investimi në Shqipëri, që është tërësisht i parashikueshëm dhe i favorshëm.
Gjatë këtyre javëve, në bashkëpunim me BERZH-in, do të mbledhim Këshillin e parë të Investimeve. Këshilli Ekonomik Kombëtar, në fakt, është hyrje e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me aktorët ekonomikë në Shqipëri, ndërkohë që Këshilli i Investimeve është një hap më tej, sepse do të përfaqësojë një seksion të politikëbërjes ekonomike në vendin tonë.
Për rrjedhojë, ai do të përbëjë edhe një thirrje për investuesit, në mënyrë që të jenë edhe më aktivë, të angazhuar, për të punuar me ne, për të liberalizuar tregun, për të tërhequr investimet e huaja të drejtpërdrejta, e natyrisht për të parë potencialet në sektorë të ndryshëm. Kështu do ta shohim njëri-tjetrin më shpesh, natyrisht, jo që ju të na dëgjoni ne, por që ne t’ju dëgjojmë se çfarë keni për të thënë.
Viti i kaluar ne na dha një mësim mjaft me rëndësi, mes të shumtëve që morëm. Me qëllim që politikat të jenë efektive, sidomos ato që lehtësojnë dhe i japin mbështetje sektorit ekonomik, na duhet që të hartojmë paketa dhe politika që bazohen në sugjerimet tuaja. Nuk po mendojmë për lehtësira fiskale, por sidoqoftë suksesi i paketës së industrisë fason, e hartuar prillin e shkuar, është rezultat i një bashkëpunimi mjaft të ngushtë me industrinë. Kryesisht, është rezultat i dëgjesës dhe i miratimit të ideve që vijnë nga vetë industria.
Gjatë viti të kaluar, eksportet nga kjo industri u rritën me mbi 150 milionë dollarë amerikanë. Shifrat e para tregojnë se paketa në bujqësi, e hartuar sërish në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e sektorit dhe që prek 40% të krahut tonë të punës është, gjithashtu, një histori premtuese suksesi.
Në fakt, ne presim ta përdorim këtë model bashkëpunimi dhe mbështetjeje edhe me sektorët e tjerë. Duam të vendosim së bashku me ju përmbajtjen, formën dhe zbatimin e tij.
Që prej fillimit, programi ynë ekonomik është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore. Nga njëra anë, vetëdija jonë se kish ardhur koha për të kthyer faqen dhe për të mbajtur përgjegjësinë si qeveri për çdo borxh ndaj sektorit privat dhe, nga ana tjetër, bazuar në bindjen tonë se kohët shumë të vështira për ekonominë mund të tejkalohen nëpërmjet ndërtimit të partneriteteve.
E kemi thënë, dhe unë vetë e kam thënë këtu, se mund të tejkalojmë një trashëgimi të rrezikshme ekonomike dhe të hedhim bazat e një modeli të ri ekonomik, vetëm në bashkëpunim me botën e biznesit dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve përfaqësohen edhe në këtë shoqatë. Veprimi ynë për një model të ri ekonomik nuk është bazuar vetëm në analizën tonë apo përpjekjen tonë, po edhe mbi punën e përbashkët realizuar me organizatat ndërkombëtare si FMN dhe BB e, po kështu, edhe me partnerët në terren.
Fillimi i programeve të reja me ta ishte një ndihmë thelbësore për ne, por edhe me rëndësi tejet të madhe për ju, sidomos me qëllimin për të krijuar një sistem kontrolli, që nuk do të na linte të përsërisnim gabimet e të shkuarës. Mendoj që, shifrat janë inkurajuese. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të trashëguara jo vetëm ishte një mënyrë për të injektuar para në ekonomi, por edhe, mbi të gjitha, një detyrim bazë parimor i qeverisë drejt jush. Diçka që, ne e dinim dhe e njihnim që ishte kushti i parë për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm, për t’i dhënë fund një epoke e cila përkufizohej nga shpërdorimi i pushtetit, që solli tkurrjen e kompanive, si dhe të lirive dhe hapësirës veprimit të sektorit privat.
Për rrjedhojë legjislacioni do të bëjë që asnjë qeveri shqiptare të mos krijojë më detyrime të prapambetura. Ndërkohë që, sistemi i monitorimit, i cili është i ndarë midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, do të sigurojë kontroll të dyfishtë për ta shmangur këtë dukuri, që, siç ju e dini mjaft mirë, kishte paralizuar komunitetin e biznesit për vite të tëra.
Ashtu siç të gjithë e dimë, në fillim të mandatit tonë gjetëm detyrime të papaguara të prapambetura dhe gjoba politike. Sot jemi në rrugën e pagimit të të gjithë atyre detyrimeve të prapambetura dhe në pozitat për të thënë që nuk ka asnjë gjobë politike të vendosur në kurrizin e kompanive që veprojnë në Shqipëri, qofshin ato vendase apo të huaja.
Unë shpresoj që e kemi hequr njëherë e përgjithmonë këtë pengesë në rrugën e zhvillimit shqiptar, duke e përmirësuar atë dhe duke e zgjeruar e përmirësuar strukturën moderne administrative, tatimore e doganore, dhe duke siguruar një treg të hapur e konkurrues.
Për t’u siguruar që nuk më keni keqkuptuar, përmirësimin i rregullave për mua dhe për ne nënkupton më shumë reduktim rregullash dhe përmirësimi i infrastrukturës tatimore moderne nuk do të thotë që të vendosim apo të rrisim më tej taksat, por që të sigurohemi që infrastruktura të ofrojë gjithnjë e më tepër barazi mes të gjithë tatimpaguesve dhe gjithnjë e më pak informalitet, që dëmton tej mase konkurrencën e lirë, si dhe trajektoren e suksesit të kompanive që janë mësuar të respektojnë ligjin.
Standard e Poor’s në fakt na raportoi si të përmirësuar dy herë vitin e kaluar, ndërkohë që raporti i BERZH-it pohoi se ishim reformatorët kryesorë në rajon. Banka Botërore dhe FMN-ja konfirmuan analizën dhe pritshmëritë tona me mbi 2% rritje ekonomike gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë 2013-2014 janë dy vitet të cilat Shqipëria mundi të tërheqë mbi 1 miliard dollarë investime të huaja të drejtpërdrejta.
Edhe pse këto janë përmirësime mjaft domethënëse, objektivat tona janë shumë më tepër ambicioze dhe shkojnë përtej këtyre. Kështu, investimet e huaja mbeten përqendrimi ynë këtë vit. Jemi mjaft të prirur të ndajmë me ju dy projektligje mjaft të rëndësishme, të cilat do të miratohen shumë shpejt nga parlamenti; njëri për investimet, tjetri për turizmin, duke u përqendruar sërish tek investimet.
Pas pak javëve, do të jemi gjithashtu në gjendje që t’ju japim në duar një projektligj të tretë, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të ndryshuar në mënyrë strukturore marrëdhënien midis Qeverisë dhe sektorit privat dhe për të sjellë më tepër në ekonomi, që është në fakt projektligji për partneritetin publik privat.
Ligji për investimet strategjike do të lejojë që investimet e huaja në sektorët më të rëndësishëm të lëvizin më me shpejtësi dhe të shmangen pengesat e shumta joproduktive që dalin, ose “parkour” siç do të thoshte Presidenti juaj francez. Ndërkohë, ligji për turizmin që do të ndiqet nga paketa e turizmit do të japë një impuls të mëtejshëm për zhvillimin e sektorit.
Në zbatimin e politikave ekonomike ne jemi të përqendruar në një tablo më të gjerë mirëqenieje barazie dhe shansesh për qytetarët tanë. Unë, që në fillim kam këmbëngulur që biznesi, mjedisi, bota e biznesit, duhet t’i japë rëndësi rolit të vetë kulturor e social, sepse një vend me të ardhura më të larta dhe i drejtë e ndihmon biznesin.
Në këndvështrimin tim, raporti i partneritetit me qeverinë ka ndikuar edhe në profilin publik të bizneseve dhe të investitorëve. Është një ndryshim pozitiv që frymëzon njerëzit, që nxit entuziazmin dhe, duke pasur parasysh shifrat, është mirë për biznesin. Jemi mjaft të lumtur që të shohim që në bazë të vlerësimit të fundit të Doing Bussines, Shqipëria ka bërë hapa përpara mjaft të rëndësishme. Por të jesh i lumtur për këtë nuk do të thotë të jesh i kënaqur me kaq. Ne duhet dhe kemi nevojë të bëjmë më tepër. Kemi mjaft besim që gjatë vlerësimit tjetër të raportit të të bërit biznes do të tregohet një gjë e tillë.
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim parashikon rritje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në vitin 2015. Sipas raportit të tyre, shumë kompani do të ndajnë proceset e tyre të prodhimit duke u vendosur në të ndryshme të botës, sipas avantazheve të ndryshme që ofrojnë. Unë kam një shpresë që 2015 do ta shohë Shqipërinë si një destinacion të kësaj rivendosje të investimeve. Sepse mendoj që kjo do të ishte jo vetëm në të mirën e qytetarëve, por edhe në përftimin tuaj. Sepse, besoj se vendi ynë është i gatshëm që të hapet më shumë dhe të ofrojë më shumë.
Megjithatë, sërish, fjala kyçe është të flasim, të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë. Kështu, më lini ta përmbyll duke ju uruar të dyja palëve tona, investues dhe Qeveri, një vit të një bashkëpunimi jashtëzakonisht të frytshëm, që nënkupton, sigurisht, më shumë para për ju dhe, shpresoj, më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.