Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në Kuvend:
E mora fjalën, sepse përpara pak minutash Ministria e Jashtme është njoftuar lidhur me një ngjarje të rëndë, ndodhur në Spanjë, ku strukturat e Gardës Civile Spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një Major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Duke marrë shkas nga kjo, kam një pyetje shumë të thjeshtë; Ky Major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vjetësh, gradën e Majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje, a është Majori juaj apo është Majori ynë?
Këtë pyetje e bëj për të shkuar pak më tutje, lidhur me diskutimin absurd që u zhvillua këtu dhe me përpjekjen absurde për të mohuar një avancim serioz, të vendosur dhe të gjithëpranuar botërisht, Shqipërisë, në një luftë të paepur të shtetit me krimin dhe posaçërisht me drogën. Sigurisht që, të gjitha qeveritë, edhe qeveria paraardhëse mund të rendisin rezultatet e tyre. E sigurisht që, lufta me krimin apo lufta me drogën nuk ka filluar në 23 qershor të vitit 2013, por e ka shoqëruar rrugën e përpjekjes së shtetit prej vitesh. Ama, është e paimagjinueshme që të mund të vihet në diskutim se me votën e 1 milion shqiptarëve në 23 qershor 2013 dhe me krijimin e qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” beteja me krimin dhe me drogën ka hyrë në një fazë të panjohur më parë dhe ka shënuar rezultate që deri përpara 23 qershorit ishin të paimagjinueshme. Ishte e paimagjinueshme që Lazarati, mbretëria e drogës, botërisht e njohur si e tillë dhe e pranuar nga qeveria paraardhëse si një krahinë “de facto” autonome, e paregjistruar në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë, të fshihej nga harta e Europës, të fshihej nga harta e Shqipërisë dhe të fshihej nga fytyra e njollosur si s’ka më zi e vendit tonë, e shoqërisë tonë dhe e shqiptarit si i tillë, në Shqipëri apo nëpër Europë, ku Lazarati ka tërhequr më shumë gazetarë, ka tërhequr më shumë kameramanë dhe ka prodhuar më shumë kronika për Shqipërinë sesa të gjitha përpjekjet e bëra për të propaganduar “Shqipërinë 1 euro” apo për të propaganduar “Shqipërinë destinacion turistik”. Përpjekja për të mohuar këtë është një përpjekje impotente e një grupi impotentësh që përmes një politike impotente kërkon të imponojë diçka që askush nuk mund ta marrë seriozisht.
Ashtu sikundër lufta kundër drogës në tërësi ka regjistruar një progres të njohur botërisht nga ata të cilët deri dje ndërprenë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit shqiptar. Polici partnere të vendeve fqinje, të cilët ngrinë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit shqiptar, për arsyen e thjeshtë se Policia e Shtetit shqiptar u bë aksionere në gjithë industrinë e prodhimit të drogës dhe në të gjithë përpjekjen e botës së krimit për ta dominuar këtë vend. Ka një shifër shumë domethënëse që nuk është dhe unë mendoj se ne nuk duhet ta rendisim në meritat e veçanta të Policisë së Shtetit tonë dhe të qeverisë sonë lidhur me të kërkuarit ndërkombëtarisht. Një shifër, e cila ka bërë që menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit mua të më takojnë disa përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian dhe posaçërisht të vendeve fqinje për të më kërkuar nëse ne kishim vendosmërinë që ta shikonim seriozisht, duke i dorëzuar drejtësisë ndërkombëtare, duke i dorëzuar drejtësisë së vendeve që kërkojnë këtë soj kriminelësh, ata të cilët endeshin lirisht në Tiranë dhe për këtë paguanin drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Se më kë i ndanin paratë këta të fundit, kjo është një çështje që nuk do të zbulohet kurrë, por nuk është e vështirë për ta parafytyruar.
E pra, vetëm në 12 muaj qeverisje ne e kemi rritur me 20% numrin e të kërkuarve ndërkombëtarisht që i janë dorëzuar drejtësive të vendeve ku kanë kryer krimin. Nga ana tjetër, sot jemi në kushtet e një bashkëpunimi që po jep fryte dhe do të vazhdojë të japë fryte edhe në të ardhmen, me policitë e vendeve partnere. Pas operacionit të Elbasanit, unë kam marrë personalisht, nga nivelet më të larta të vendeve partnere falenderimet e përgëzimet për, citoj, “rezultatin e pamimagjinueshëm vetëm një vit e gjysmë përpara”. Citoj: “E paimgjinueshëm vetëm një vit e gjysmë përpara”. Çka do të thotë se Shqipëria nuk u bë vendi i drogës pas 23 qershorit. Shqipëria u bë vendi i drogës për vite të tëra. Shqipëria u njoh ndërkombëtarisht si vend i drogës jo sepse në vendet e tjera nuk ka drogë, jo sepse në vendet e tjera nuk ka tranzit droge, jo sepse në vendet e tjera nuk ka rrjet të organizuar narkotrafikantësh, jo sepse rrjeti ynë i narkotrafikantëve ishte një rrjet patriotik lokal që s’kishte lidhje me rrjetet ndërkombëtare, por sepse ndryshe nga gjithë vendet e tjera, pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishte qeveria dhe ishte Policia e Shtetit. Për këtë arsye Shqipëria u nda veç nga gjithë të tjerët, nga të gjithë vendet e rajonit ku problemi i luftës kundër drogës është po kaq i mprehtë sa këtu, nga të gjithë vendet që janë të integruara në BE prej ish perandorisë komuniste apo në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, ku problemi i luftës me drogën është po kaq i mprehtë sa këtu, por ndryshe nga këtu qeveritë dhe policitë ishin ballë për ballë me krimin dhe rrjetet e narkotrafikantëve dhe jo aksionere në të ardhurat nga veprimtaria kriminale dhe nga droga.
Tani, të çohesh e të insistosh që Lazarati, Dukagjini, Elbasani, për të cituar operacionet më të mëdha, por edhe i gjithë aktiviteti i fuqishëm dhe i vendosur antidrogë dhe antikrim i Policisë së Shtetit nuk janë rezultate të dukshme dhe të prekshme të një politike tërësisht të re në luftën kundër krimit, është fat për ne si qeveri, por është fatkeqësi për të gjithë ata që ju kanë votuar dhe ju kanë besuar që këtu përpiqeni të sillni zërin e tyre dhe të na sfidoni me alternativën tuaj. Dhe, jo sa herë ngriheni ta bëni të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë duke thënë gjëra që edhe vetë nuk i besoni. Ndërkohë para dy ditësh, për herë të parë të paktën në sa është e regjistruar si veprimtari në Policinë e Shtetit dy patrulla policie kanë ndaluar dhe kanë marrë masat ligjore për dy persona të cilët i kanë ofruar policisë ryshfet. Është hera e parë. Ndërkohë, është hera e parë në 20 vjet që pas ardhjes së një qeverie të re në pushtet në Policinë e Shtetit janë ndaluar dhe janë proceduar penalisht mbi 300 punonjës policie, për veprimtari antiligjore të të gjitha natyrave. Është e hera e parë që kjo Polici Shteti, që rëndom akuzohet si instrument i vendosjes së një shteti policor, betejën për të vendosur ligjshmërinë e bën brenda vetes me po të njëjtin intensitet që e bën edhe jashtë saj. Janë 897 policë të tjerë të ndjekur me masa disiplinore, ashtu sikundër janë 1219 punonjës policie, mbi 10% e Policisë së Shtetit që janë nën hetim, proceduar për shkelje të natyrave të ndryshme, por që përbëjnë shkelje të Kodit Penal dhe të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.
Sigurisht që, ne s’kemi asnjë llogari të drejtë me veten nëse krahasohemi me ju. Krahasimi me ju është fyerje për inteligjencën tonë dhe mohim i të drejtës të atyre që na kanë votuar për të marrë nga ne atë që kanë kërkuar. Ne, sigurisht, krahasimin me ju do ta bëjmë vetëm për t’i kujtuar njerëzve se kush jeni ju, në raport me shtetin, në raport me ligjin, në raport me aftësitë për të marrë në dorë jo fatin e një vendi, por për të marrë në dorë dhe fatin e një fshati.
Por, nga ana tjetër krahasimin do ta bëjmë paralelisht me vendet e Europës ku duam të integrohemi, duke filluar me vendet e rajonit. Shifrat tona të vrasjeve, të krimeve, nuk janë shifra që fabrikohen siç fabrikoheshin deri dje, por janë shifra që monitorohen ngushtësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. E unë që i marr gjithmonë me një rezervë të natyrshme raportet ndërkombëtare, do t’ju kujtoja vetëm raportin e Freedom House të një dite më parë që flet qartësisht për një vendosmëri të re dhe për rezultatet të ndjeshme, në luftën pikërisht kundër krimit dhe kundër drogës.
Ndërkohë që për sa i përket vrasjeve, në vrasjet për 100 mijë banorë siç është statistika e zakonshme dhe duke marrë shifrat tuaja, pa i kontestuar dhe pa ju thënë që i keni fabrikuar apo i keni rregulluar, pra shifrat tuaja, shifrat e kohës që kur qeverisnit ju nga viti 2010. Në vitin 2010 keni pasur ju, me dorën tuaj të shkruar 2.99 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2011 keni pasur 3.11 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2012-ten keni pasur përsëri 3.11 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2013-tën numri i vrasjeve ka rënë 41% vetëm në tre muajt e fundit, pra në tremujorin e qeverisjes sonë, numri i vrasjeve ka qenë 2.38 dhe në 2014, numri i vrasjeve është 2.24.
Me këtë shifër 2.24, por po të doni edhe me 2.38, ne kemi hyrë në mesataren e rajonit. Nuk jemi ndër më të mirët, por nuk jemi as të fundit. Mjafton t’ju citoj shifrën zyrtare të Malit të Zi që i ka vrasjet 2.74 për 100 mijë banorë dhe nuk po hyj të citoj të tjerët. Ashtu sikundër me këtë shifër jemi larg standardeve mesatare të shumicës së vendeve të BE, por nuk jemi të fundit as dhe të krahasuar me të gjitha vendet e BE. Po citoj Lituaninë që e ka më të lartë se ne. E rëndësishme është që duke zbritur nga 3-shi plus, që ishte mesatarja juaj, tek 2-shi plus që është mesatarja jonë, ne kemi hyrë në një rrugë ndryshimi të qëndrueshëm.
Ka dhe një të dhënë tjetër që vlen për të gjithë qytetarët, struktura e motiveve të vrasjeve, është ajo që duhet të na bëjë të reflektojmë, jo për Policinë e Shtetit, - e cila ju siguroj që në fund të këtij mandati do të na japë një tërësi rezultatesh që deri më 23 qershor as nuk mund të imagjinoheshin që do t’i kishte Shqipëria, - por për shoqërinë tonë dhe për qeverisjen tonë duke adresuar jo vetëm krimin në betejën ballë për ballë, por edhe shkaqet e krimit, shkaqet e trashëguara të krimit.
60% e vrasjeve janë për motive familjare, çka në strukturën e vrasjeve të vendeve të tjera përbën një shifër shumë më të ulët. Në motivet familjare dominojnë motivet e pronësisë dhe çorapin me pronën nuk e bëri “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk e pamë të shfaqet me ardhjen tonë në qeveri. Se kush e bëri çorapin me pronën, e dinë të gjithë shqiptarët, madje unë nuk guxoj as të them e bëri PD, se në këtë pikë dhe PD s’ka faj. Fajin e ka, kush e ka, dhe PD e di mirë, por refuzoj të shkoj dhe më thellë se është ajo fjala: “mos e prek se vjen erë”.
Së fundi, lidhur me tërësinë e figurave të rezultateve që kanë të bëjnë me krimin, unë po ju them shumë thjesht, janë jo të pakrahasueshme, por janë aq të pakrahasueshme sa që është e pabesueshme që këto ndryshime të kenë ndodhur brenda një viti dhe më pak se një viti e gjysmë. Pra, janë të pakrahasueshme rezultatet lidhur me personat në kërkim të kapur, lidhur me armët e zjarrit të sekuestruara, lidhur me lëndën eksplozive të sekuestruar, lidhur me gjithë pjesën tjetër, pa hyrë fare tek droga, pastaj se aty është e kotë të bëjmë krahasime, se duket vërtet sikur po krahasojmë Shqipërinë me Kolumbinë. Duket vërtet sikur janë shifrat e Kolumbisë ato që ishin para 23 qershorit dhe ndërkohë shifrat tona, të njohura ndërkombëtarisht, flasin për një ndryshim rrënjësor të raporteve mes shtetit e krimit.
Nëse më pyesni a jam unë i kënaqur; Jo, nuk jam i kënaqur. E nëse më pyesni se çfarë presim për këtë vit, vitin tjetër e tjetër, po ju them se nuk presim vetëm një transformim në shifra, por presim një transformim rrënjësor të marrëdhënies së Policisë së Shtetit me detyrën dhe të mjeteve për të kryer detyrën.
Brenda këtij viti në të gjitha rrugët e Shqipërisë do të vendoset më në fund pas kaq shumë vitesh sistemi i monitorimit online të të gjitha akseve, për t’u shtrirë më pas në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, por brenda këtij viti nuk do të ketë më mundësi për të diskutuar “nga iku”, “ku iku”, “a ishte këtej a ishte andej” dhe për të dëgjuar lahutën me historitë, “doli një kreshnik nga ana e malit, doli dielli, pastaj diellin e zuri zana e malit”, por për të dokumentuar në mënyrë sistematike dhe në kohë reale çdo automjet dhe çdo targë që lëviz në rrugët nacionale, dhe çdo gjë që ndodh në rrugët nacionale, jo vetëm në funksion të luftës me krimin, por dhe në funksion të të gjitha shkeljeve të rregullave të qarkullimit në Republikën e Shqipërisë, çka do të bëjë që jo vetëm të mos kemi asnjë punonjës policie që të abuzojë me qytetarin duke vendosur gjoba arbitrare apo duke bërë ndalime arbitrare, por do të kemi mundësinë që çdo qytetar ta shikojë me sytë e tij, sa herë ta kërkojë, se ku e ka bërë shkeljen, çfarë shkelje ka bërë dhe pse e meriton gjobën që ka marrë.
Brenda këtij viti, në të gjithë territorin e Tiranës, policët që janë në kontakt me qytetarët, policët e patrullave dhe policët rrugorë do të pajisen me kamera në trup, çka do të bëjë që i gjithë komunikimi, e gjithë veprimtaria e gjithë patrullave të policisë dhe e gjithë policëve që janë në kontakt me qytetarin do të jetë e regjistruar dhe e monitorueshme online. Në këtë aspekt është avantazhi i madh i kohës dhe mundësia e më të prapambeturve që të bëjnë gjëra që edhe më të përparuarit po i bëjnë sot. Ky është një hap shumë i madh përpara të cilin sot janë duke e bërë dhe vende më të përparuara, por ky është një hap që do të na mundësojë më në fund që për çdo lloj rënie të lahutës ne të kemi teknologjinë e re. Pastaj populli të shikojë punën reale dhe të gajaset sa të dojë me lahutën.
Faleminderit!
***
Replika e parë e Kryeministrit Edi Rama:
Mora fjalën sepse më ngacmoi, pozitivisht, parafolësi për një rrëshqitje karakteristike të këtyre radhëve të dyta që kur dalin nga teksti thonë gjëra vërtet për të qeshur. Tha që ne u mburrëm me arritjet e këtyre. Ne mund të kemi bërë shumë gjëra, mund të kemi thënë shumë gjëra edhe s’mund të kemi bërë ndonjëherë mëkatin që të jemi mburrur me arritjet tuaja. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur.
Me çfarë të mburreshim ne?! Të mburreshim me 720 milionë dollarë që ua kishit marrë në formën e papaguar kompanive apo në formën e shërbimeve të papaguara kompanive? Me këtë të mburreshim ne? Apo të mburreshim me faktin që këto 720 milionë dollarë i kishit lënë jashtë borxhit dhe i kishit argumentuar nëpërmjet një përfaqësuesit tuaj në Komisionin e Ekonomisë se këto ishin mundimet patriotike të kompanive për të ndërtuar Shqipërinë e përbashkët?
Apo të mburreshim me 1 miliard dollarë borxhe, ku e zhytët kompaninë e shpërndarjes së energjisë nga janari 2007 në gushtin e vitit 2013? Me këtë të mburreshim ne?
Të mburreshim se në 2006 kompaninë që mbulonte prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e ndatë në 3 pjesë dhe kësaj shpërndarjes pastaj ia zeruat borxhet për ta zhytur pastaj vit pas viti në 1 miliard?
Apo mos duhet të mburreshim ne që vetëm nga janari i vitit 2013 deri në gusht 2013, kur bëtë atë sekuestrimin proletar të CEZ-it dhe ia varët në qafë gjithë proletariatit të papunë të Partisë, e rritët borxhin 200 mln dollarë, duke mbyllur sytë dhe duke ua bërë me shenjë gjithë luzmave tuaja që vidheni sa të mundni, vetëm aman na jepni votën së na erdhën komunistët? Me këtë të mburreshim ne?
Apo të mburreshim ne që 106 milionë dollarë sigurime për pensionet e atyre që kujtojnë se i kanë paguar i kishit çuar në drejtime të tjera?
Por, ju përgëzoj se Partia Demokratike që nuk kishte paguar punëtorët e vetë i bëri me shpejtësi pagesat, edhe Rilindja Demokratike. Edhe për këtë ju falënderoj sepse ju përgjigjet thirrjes së qeverisë që edhe ju të futeni në rregullin e ligjit, të paktën në ato strukturat tuaja. Se për pjesën tjetër na e latë ne dhe ne nuk kemi me çfarë të mburremi, por ne kemi vetëm detyrën që të shlyejmë edhe këto detyrime, siç kemi shlyer. Por ju nuk e llogarisni këtë, se për ju kompanitë nuk kanë qenë sipërmarrje e lirë, në tregun e lirë, ndaj të cilave qeveria duhet të kishte një raport barazie kushtetuese dhe jo një raport epërsie proletare. Ju kemi kthyer deri tani nga borxhet që latë ju, mbi 300 mln dollarë dhe brenda vitit në vijim do t’ua shlyejmë të gjitha borxhet që latë ju.
Apo të mburreshim ne që i latë spitalet pa ilaçe, sepse 40 mln dollarë që ua detyronit furnizuesit të ilaçeve nuk ua jepnit?
Apo të mburreshim që i latë shkollat të gjitha rrugëve, pa përfunduar, sepse nuk paguanit kompanitë të cilat në mënyrën më të paskrupullt, por edhe në mënyrën më hileqare, paskrupullsi dhe hile që është karakteristike e të paaftëve dhe të papërgjegjshme i çuat drejt bankave. U thatë shkoni nëpër banka, merrni kredi dhe vazhdojini financojini me kredi punët për shtetin? Me këto të mburreshim ne?
Apo të mburreshim për faktin që ju thoshit shqiptarëve kemi vënë bllokun e mbrojtjes 300 kilovat për të varfrit dhe pas bllokut të mbrojtjes fshiheshin gjithë llojet e spekulantëve dhe hajdutëve të energjisë. Për këtë të mburreshim ne?
Apo të mburreshim ne që jashtë sistemit të faturimit konsumatorë, që çdo ditë i marrin sistemit energji, ju latë çerek milioni. Çerek milioni konsumatorë, minimalisht, i keni pranuar si fakt të kryer dhe i keni lënë duke ua faturuar të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të gjithë pensionistëve, të gjithë personave me aftësi të kufizuar, të gjithë atyre që e paguajnë energjinë rregullisht barrën për të paguar këtë të tjerët. Me çfarë të mburreshim ne?!
Apo të mburreshim me gjobat që i vinit biznesit, që e lemerisët? Me gjoba për shtetin, e me gjoba për pushtetin?
Apo të mburreshim me faktin që latë TVSH pa rimbursuar më shumë se 100 milionë? Edhe flet këtu për TVSH-në. Mbi 100 mln TVSH të parimbursuar. Me këtë të mburreshim ne? Dhe kush duhet të merrte TVSH-në, - dhe që sot e merr automatikisht, - duhet ta ndante TVSH me sekserët e pushtetit, për të arritur që të merrte atë që i takonte.
Apo do mburreshim me ato kontratat që bëtë me privatët për energjinë që ju siguruat, me kontratë. Ju, në emër të popullit Shqiptar, që ndërtojini këto koncesione. Koncesione që i keni dhënë në shumë raste me dy fletë. Dy fletë të vizuara nga këmbët e pulave dhe jo nga inxhinierë. Dhe, j’u thatë që do ta blejmë gjithmonë energjinë 10 lekë më shtrenjtë sesa ç’e importojmë. Ju që do të rrisnit prodhimin vendas të energjisë. E bëtë prodhimin vendas si në asnjë vend të botës, më të shtrenjtë sesa prodhimi i importit. Me këto të mburreshim ne me ju? Ç’të mburresh me ju, aman!
Ndërkohë që, nga ana tjetër, duke iu referuar raportit që u përmend këtu, është e vërtetë që raporti i referohet rritjes së taksës për biznesin. Ne e kemi thënë, nuk e kemi fshehur. E kemi thënë para zgjedhjeve që nuk do të lejojmë më që të paguajë njësoj taksë, që i bie në fakt të paguajë më pak, 15-katëshi me një kioskë. Nuk do të lejojmë më që furra e bukës të ngarkohet më shumë sesa ç‘ngarkohet “Sheratoni”. Nuk do të lejojmë më që biznesi i vogël të ngarkohet më shumë sesa ngarkohen korporatat. Dhe, e kemi bërë 15%. Raporti këtë e citonte. Dhe ai raporti, - ju e dini mirë, se po të ishit këtu për të mbrojtur të kundërtën do ta mbronit, sepse kaq gjë e dini, - ka një metodologji të caktuar dhe të ndryshme nga raportet tjera, por fakti është fakt.
Ju thoni si i kemi ulur ne taksat? Po, i kemi ulur!
Kush fiton më pak se 1.5 milionë lekë në muaj, që në llogarinë tonë janë 3% e shqiptarëve, - bëni ju një llogari tjetër, nëse ju dalin më shumë sesa 3% e shqiptarëve na e thoni, - ka marrë ulje taksash. Ndërkohë që infermieres, policit, mësueses dhe gjithë atyre punonjësve në shtet apo në privat që marrin më pak se 1.5 mln i është ulur tatimi i fitimit, - infermieret gati kanë përfituar një rrogë më shumë dhe të tjerët progesivisht, - më thoni se çfarë taksash janë rritur për këta? Cila taksë është rritur për infermieren? Cila taksë është rritur për policin? Cila taksë është rritur për mësuesen? Më thoni një taksë që është rritur për këta? Që ne paskemi rritur taksat për të gjithë shqiptarët, më thoni një. Më thoni që keni rritur këtë taksë.
A, llogarisni atë të naftës?
E para punës, ajo është brenda strukturës së një çmimi ku e keni futur ju. Për mua është nga të paktat gjëra që e keni bërë mirë. Që taksën e qarkullimit e keni përfshirë në strukturën e çmimit dhe duke e përfshirë në strukturën e çmimit e keni bërë të mbledhshëm. Ndërkohë që rezultatet tuaja dhe të qeverive paraardhëse tregojnë që duke qenë e ndarë ajo taksë nuk mblidhej. Ndërkohë që, vendet e rajonit e kanë për njësi motorike. Ju e dini shumë mirë këtë gjë. E di shumë mirë ish Ministri juaj i Financave që e ka bërë atë gjë. Mbi të gjitha, a ishim këtu ne në këtë Kuvend apo nuk ishim kur thatë se me këtë rritje 10 lekë do të bllokohen makinat, nuk do të vijnë më anijet në Shqipëri se s’do ketë më naftë për t’u furnizuar se do jetë shumë shtrenjtë, do dalin të gjithë njerëzit me biçikleta kineze dhe madje edhe furrat e bukës mund të mbyllen, do na rrëmbejë uria dhe malaria, sepse ne rritëm 10 lekë çmimin e naftës. Kur? Sa është çmimi i naftës sot? Është më pak apo është më shumë? E uli bota. Po, patjetër!
Unë nuk kam pretenduar ndonjëherë që një qeveri mund të merret dhe mund të marrë përsipër të ulë çmimet që i përcakton tregu. Këtë e pretendoni ju se jeni të djathtë, jeni tamam djathë, jo të djathtë.
Më lejoni t’ju them që janë 15 mln dollarë çdo muaj që kursejnë të gjithë ata të cilët përdorin automjete, në krahasim me një vit më parë për shkak të kësaj ulje. Janë, as më shumë e as më pak, 130 mln dollarë në vit që shkojnë për konsumin.
Ju keni të drejtën tuaj të bëni interpretimet tuaja, gjëja më e natyrshme. Sikurse nuk është aspak e çuditshme që interpretimet tuaja janë të gjitha qesharake. Sepse nuk do të ishte Shqipëria kjo që trashëguam ne, nëse ju do të interpretonit në mënyrë më të kthjellët. Por e vërteta është e thjeshtë, fare; Në Shqipëri në vitin 2014 ka një rritje të konsumit që do të thotë rritje e mundësive të njerëzve për të blerë, në një shifër më të lartë, vit pas viti, sesa në të gjitha vitet e qeverisjes tuaj.
Ky është një fakt, i cili nuk ka nevojë për interpretime pasi reflektohet në të ardhurat e shtetit.
Nëse nuk do të kishim ulur ne taksat, dhe nëse nuk do të kishim rritur ne prodhimin, si do të kishim pasur një shifër të konsumit dhe njëkohësisht një shifër të eksporteve të rritur në mënyrë kaq të ndjeshme? Si?
Po importi i makinerive pse është rritur në vitin 2014, më shumë se në çdo vit të qeverisë suaj? Për çfarë arsye? Ju e dini mirë që importi i makinerive do të thotë investim në linjat prodhuese. Po flasim për makineri prodhuese, nuk flasim për vetura. Është rritur në vitin 2014, pikërisht sepse ka një prirje, në atë drejtim që ne kemi dëshiruar dhe në atë drejtim që ne punojmë, për të nxitur pjesën prodhuese, pjesë e cila për ju nuk ekzistonte.
Ju dy prodhime të mëdha keni bërë në 8 vjet, keni prodhuar marijuanë dhe keni prodhuar gënjeshtra. Këto janë dy prodhimet tuaja më të mëdha në 8 vjet. Ndërkohë që, vijmë edhe tek çmimi i energjisë se kjo është pjesa më interesante e betejës suaj të dëshpëruar.
Thoni paturpësisht fare, se çmimi i energjisë ishte 7.7 lekë. Po si ishte 7.7 lekë? Ishte 7.7 lekë për të gjithë apo ishte 7.7 lekë tek blloku, tek fasha mbrojtëse, deri në 300 kilovat.
Ishte një vendim i marrë nga qeveria juaj, në emër të të varfërve, siç i bëni të gjitha gjithmonë, dhe siç vazhdoni të flisni dhe sot dhe sa më shumë flisni, aq më shumë na ndihmoni, pasi të varfër ka në Shqipëri, por budallenj nuk ka.
Kështu që 7.7 lekë ishte çmimi që paguanin ata të cilët konsumonin më pak se 300 kilovat dhe në qëllimin e vet, pavarësisht se në këndvështrimin tonë, vendimi nuk ishte as i djathtë, as i drejtë, por ishte thjesht i gabuar, - në qëllimin e vet, vendimi synonte të mbronte pjesën më të dobëtit. Kush është pjesa më e dobët? Pensionistët kryefamiljarë kuptohet, jo pensionistët që kanë fëmijët në punë, personat me aftësi të kufizuar dhe familjet në ndihmë ekonomike. Këto tre kategori njeh legjislacioni ynë dhe njeh bonsensi si kategori që duhen mbrojtur. Kategoritë e tjera që nuk hynë në këtë pjesë. Por përtej këtij 300 kilovatësh, sa ishte çmimi? Ishte 9.5 apo ishte 10.3 – 10.5 për të qenë deri ne fund i drejtë me ju. Pra, bazuar në vendimin tuaj, në rast se do të kishit gjetur instrumentet për të mbrojtur qëllimin tuaj dhe për të garantuar që vërtet fasha të mbronte ata për të cilët u vendos, atëherë të gjithë të tjerët, përjashto këto tre kategori, energjinë duhet ta paguanin me 10.5 lekë, siç e kanë paguar të gjithë ata që nuk e kanë vjedhur.
Ndërkohë që, çfarë janë këto marrëveshje që bëhen sot? 71 mijë marrëveshje vetëm në dhjetor. Vetëm në dhjetor 71 mijë konsumatorë që kanë pranuar të hyjnë në sistem, të cilët ishin jashtë sistemit sepse nuk kanë pranuar të paguajnë energjinë elektrike, nga të cilët më shumë se gjysma e kanë paguar të gjithë borxhin për të ulur 80% kamatëvonesën. Po këta ku i llogarisni ju? Po pjesën tjetër, të atyre që kapen çdo ditë me lidhje të paligjshme dhe që figurojnë si të varfër, ku i fusni ju? Po atë “figurën” tuaj, që e kishte shtëpinë pa leje, po e po, sepse kjo ishte normale për ju, por që kishte tre kate dhe në çdo kat kishte një sahat dhe çdo kat e maste me 300 kilovatëshin. Pra, ai konsumonte mbi 1 mijë kilovat, por në çdo kat paguante sikur ishin tre familje të varfra. Nuk është vetëm ai se po të ishte vetëm ai mund ta ruanim atje si objekt të trashëgimisë politike të transzicionit dhe ta bënim dhe muze, por ishin dhjetëra mijëra.
Ajo që bëmë ne, duhet ta kishit bërë ju për të respektuar në radhë të parë veten meqë i thoni vetes të djathtë. Duhet ta kishit bërë ju për të mos stimuluar hajdutërinë, po edhe për të mos lejuar që e morët kompaninë me zero borxhe në 2007, e ndatë në tre pjese dhe e latë më 1 miliard. E kuptoni së çfarë keni bërë apo jo?! Keni lënë vetëm kompaninë e energjisë me një borxh prej 7% të prodhimit të brendshëm kombëtar. E keni gojë dhe flisni këtu dhe thotë mos u mburrni me arritjet tona. Për çfarë të mburremi?
Ne na ka rënë fati të merremi me ju, por, normalisht në qoftë se kjo punë nuk do të vazhdonte, më, ju duhet të ishit e shkuara, e harruara dhe e tejkaluar dhe nuk do të mundoheshim as edhe një minutë. Nuk merremi me ju në fakt që jeni këtu, por merremi me votuesit tuaj, që ta kuptojnë se në çfarë derexheje jeni futur dhe se kush jeni ju nga pikëpamja politike, nga pikëpamja logjike e pastaj pikëpamjet e tjera nuk më interesojnë.
Sot shqiptarët do të paguajnë një çmim më të ulët se sa çmimi juaj, jo 10.5 lekë, por 9.5 lekë, ndërkohë që sigurisht për të mbrojtur ata që donit t’i mbronit dhe i kthyet njësoj si ata pengjet nëpër supermerkato, që kapin terroristët, njësoj si ata i përdorët të varfrit. I vutë përpara dhe të tjerët nga mbrapa tyre. Pengje të politikës suaj. Në emër të tyre grabisnin energjinë dhe spekulonin dhjetëra mijëra të tjerë, biznesmenë. Të tjerët, të gjithë ata që e paguanin, e paguanin 10.5 lekë dhe do ta shikojnë tani në faturë, do flasë fatura. Nuk ka rëndësi çfarë thoni ju e çfarë themi ne, rëndësi ka fatura.
Siç ka filluar të flasë fatura për më shumë konsumatorë në qendër të Tiranës që deri në kohën e hajdutërisë së madhe që e ngritët në sistem në energji, ju vinte të paguanin dyfishin atyre që konsumonin, ndërsa dy faturat e fundit ju vijnë me gjysmën. Pse u vijnë me gjysmën? Sepse atë pjesë të faturës që është i gjithë konsumi i mjedisit të përbashkët, pra i shkallëve të pallatit, futeshin ata të lokaleve poshtë, ata të rapsodisë tuaj politike dhe ja u vidhnin të gjithë energjinë dhe faturën e shpërndanin në të gjitha katet, por këta që doni t’i mbroni ju ne do t’i mbrojmë drejtpërdrejtë dhe e keni parë në buxhet, ata do ta marrin në xhep shtesën, për t’u mbrojtur nga çmimi unik.
Ne nuk e kemi rritur çmimin e energjisë, ne kemi një çmim të unifikuar, i cili është sigurisht më i lartë se 7.7, por 7.7 lekë nuk ishte çmimi juaj, ishte çmimi i fashës.
Në qoftë se ju pretendonit që e gjithë Shqipëria konsumonte 300 kilovat duhet të hiqni dorë nga “Shqipëria fuqi bërthamore”, ”Shqipëria vend i dytë pas Gjermanisë”, “Shqipëria që ka njohur rritjen më të madhe pas Kinës“. Nga këto duhet të hiqni dorë, sepse në rast se populli këtu dhe të gjithë kompanitë konsumonin më pak se 300 kilovat, atëherë i bie që ne kemi jetuar tek pazari i Tironës së fundit të shekullit të XVIII, çka nuk është e vërtet.
Unë kam bindjen se jo vetëm që shqiptarët, e kuptojnë qartë se ku duan të shkojnë, por faktet që janë pjesë e jetës së tyre të përditshme flasin më mirë se sa ne, se ku ishin, ku janë, ku do të jenë.
Ne nuk e kemi realizuar programin tonë 4 vjeçar. Po ta kishim realizuar sot, brenda një kohe kaq të shkurtër dhe mund të kishim ikur të bënim shërbime të tjera si magjistarë për popuj dhe për vende të tjera.
Ne kemi vendosur dhe po vendosim përditë themelet e një shteti që ju e bëtë copë-copë si të ishte kafja e fshatit tuaj. Ky shtet nuk mund të jetë më kafja e fshatit tuaj. Ky shtet do të jetë shteti modern i shqiptarëve, ku secili do t’i nënshtrohet ligjit dhe secili do të kontribuojë sipas ligjit.
Kështu që përgëzimet e mija për ardhjen prapë këtu dhe faleminderit për këtë motiv që na jepni që ta largojmë Shqipërinë një orë e më parë nga çka ju latë pas.
***
Replika e dytë e Kryeministrit Edi Rama:
Ky që foli është profesor ekonomie. Domethënë jo vetëm që di ekonominë për vete, por ua mëson edhe të tjerëve. Ky!
Nuk po i hyj të gjithave, por po filloj nga ajo e para;
Si i ke ulur taksat ti, - tha, - vetëm bazuar tek ulja e tatim-fitimit mbi të ardhurat personale?
Ju bëni llogari që në radhë të parë bie në kundërshtim të madh me atë që keni thënë që ç‘është kjo 1 milionë shqiptarë të papunë. Sepse ju thatë që janë nja 300 mijë që marrin rrogë te privati, janë edhe nja 80 mijë që marrin rrogë në shtet dhe të gjithë shqiptarët që marrin rrogë nga puna e tyre janë 380 mijë. Këtyre, - the, - ua ke ulur taksat. Se si mund t’ua ulim taksat ne atyre që nuk paguajnë taksa, kjo është diçka që e dini ju. Ne taksat dhe të gjitha taksat i ulim për ata që paguajnë taksa, ndërkohë ata që nuk paguajnë taksa nuk ka sesi të më thuash pse s’ia ke ulur taksat atij që s’paguan taksat. Kjo është shumë e ndërlikuar mbase, por logjika është shumë e thjeshtë; Ne i kemi ulur taksat të gjithë shqiptarëve që paguajnë taksa. Janë as më shumë e as më pak, ju bjerini lapsit e nxirrini ndryshe, 97% e tyre.
Ju jeni krenarë, por ne nuk mburremi dot me këtë, që keni lënë vendin me evazionin më të lartë dhe me volumin më të lartë të punës në të zezë. Jo vetëm në Europë, jo në rajon, por besoj të gatshëm të konkurrojnë me vende të botës së 3-të. Ne vetëm në një vit e kemi arritur numrin e taksapaguesve, pra, të atyre që përfitojnë nga ulja jonë e taksave, por që përftojnë edhe sigurime shoqërore me 81 mijë e disa qindra. Këta janë në librin e llogarive të shtetit. Ku ishin këta kur ju e çuat Shqipërinë në vend të dytë pas Gjermanisë? Këta ishin skllevër që punonin në të zezë, sigurisht nuk paguanin taksa, por merrnin vetëm një lëmoshë.
Ne nuk e kemi fshehur, u kemi rritur taksat kompanive. Patjetër! Ne kemi rritur taksën edhe tek nafta edhe tek duhani. E kemi thënë haptas, megjithëse këtu na u tha që kjo është thikë pas shpine ndaj të dashuruarve me duhanin.
Ne kemi rritur taksat e depozitave. Patjetër! Po kush janë ata që kanë depozita? Janë këta që bëni sikur i qani hallin juve? Kjo është logjika e thjeshtë e gjërave. Është e paimagjinueshme pastaj, profesori thotë që janë 500 mijë shqiptarët që harxhojnë më pak se 300 kilovat. Profesori i merr për të mirëqenë si të varfër hajdutët e energjisë elektrike. I numëron, vazhdon. Janë 500 mijë thotë.
Të numërosh 500 mijë shqiptarë bazuar në atë periudhën tuaj se janë të gjithë pjesë e shtresës për t’u mbrojtur, do të thotë të numërosh edhe figurën tuaj të madhe që ka atë shtëpinë me 3-kate. Ai ishte një nga këta. Është një nga këta që kishte sahat me 300 kilovat në garazh, sahat me 300 kilovat në kat të parë, sahat me 300 kilovat në kat të dytë, sahat me 300 kilovat në kat të tretë dhe paguante si shtresë në nevojë. Si ky janë me mijëra të cilët i ka nxjerrë në dritë kjo përplasje, të cilët sot, janë futur në kushte të reja konsumi.E kanë pranuar vetë ata, për çfarë i mbroni ju!? Për çfarë i dilni në mbrojtje!? Si paskemi ne, 500 mijë njerëz që qenkan pensionistë kryefamiljarë, persona me aftësi të kufizuar dhe familje me ndihmë ekonomike? Çfarë bëtë ju 8 vjet, çfarë Shqipërie na paskeni keni lënë, se kjo bie në kontradiktë me gjithë ato sukseset tuaja. Këtë unë nuk mund ta pranoj. Unë nuk mund ta pranoj që ju ta keni lënë Shqipërinë kaq, kaq e kaq keq. Që e keni lënë ibret, këtë e dinë të gjithë!
Tha dhe një gjë tjetër profesori ynë, merrni ju borxh, që të lani borxhet tona. Domethënë këta, në emër të qeverisë jo në emrin e vet, se në emrin e vet, këta nuk ngelën borxh, asnjëri, jua u morën çfarë kishin për të marrë dhe ikën, pra, në emër të qeverisë, këta lanë “derr në thes”, 720 milionë dollarë. Domethënë, Shqipëria, që i ngjante tamam një shtëpie ku baba i madh luante bixhoz, e kishte lënë edhe shtëpinë në kazino dhe nuk dinte gjë familja, u gjend pas 23 qershorit me gjithë borxhlinjtë tek dera, që thoshin lekët se na i ka baba. Ne çfarë duhet të bënim, duhet t’u thoshim nuk jua njohim se janë lekët e babës? Apo duhet të thoshim le të shkojë ku të shkojë shtëpia, le të digjet dhe një herë, se juve nuk ju bën përshtypje, se ju djegien e shtëpisë e keni në biografinë e forcës tuaj politike, jo një herë, por disa herë. Ajo që bëmë ne ishte që “po”, megjithëse këto borxhe janë borxhe që i la baba në kazino, në atë kazinonë e madhe të gërshërës, që prit shirita dhe lëri rrugët rrugëve, rrugë, rrugë, rrugë dhe ngelën gjithë rrugëve, ne i njohim dhe patjetër morëm borxh.
Por gjëja interesante që ju e keni harruar me siguri, se unë jam i bindur që do ta thoshit, ju nuk u jepte më njeri borxh. Ju, FMN jo e jo as që bëhej fjalë t’ju afrohej më, por edhe Banka Botërore, të cilës në më shumë se një rast dhe janë të shkruara, i keni lënë të shkruara mbrapa, i keni kërkuar mbështetje buxhetore, ju ka thënë ‘mbështetje buxhetore po, por reformën e tregut energjetik, reformën e pensioneve dhe një sërë të tjerash’ që nuk po i numëroj të gjitha. Ju të djathtët “e djathit”, reformën e tregut nuk e bëni dot se as të djathtë nuk jeni dhe as nuk dini sesi ta bëni dhe as këllqe për ta bërë nuk keni, por, mbi të gjitha, filozofia juaj ishte tjetër. Filozofia juaj ishte ta mbajmë ne pushtetin sa të mundemi, pas nesh u bëftë kiameti. Faktikisht, Shqipërinë e latë në buzë të kiametit, realisht me 720 milionë borxhe.
Ne nuk morëm borxhe për të larë borxhet tuaja profesor, ne morëm borxhe për t’i shlyer një për një detyrimet, atyre që ju i latë tek dera. I lanë me makineritë e fikura, me punonjësit e tyre, të gjithë pa punë, me shkurtime të përmuajshme të vendeve të punës se nuk i paguanin dot, me gjithë zinxhirin e furnizimit që ishte i ndalur, sepse nuk i jepte më njeri, tulla e llaç në natyrë dhe me bankat që nuk i lëshonin më kokërr leku. Praktikisht e latë të gjithë ekonominë të bllokuar tek oborri i shtëpisë atje, me gjithë borxhlinjtë tek dera dhe me babën që vazhdon thotë o burra, të gjithë prapë në kazino, se nuk qenka gjë kjo puna e reformave.
Ndërsa sa i përket çmimit të energjisë, po e përsëris, është një lojë shumë qesharake që nuk e ha njeri. 7.7 lekë çmimi ishte për ata që ishin të mbrojtur nga fasha. Çmimi juaj, për të gjithë ata që normalisht duhet të pagunin aq sa konsumonin, çmimi juaj për të gjitha familjet që duhet të paguanin aq sa konsumonin dhe për të gjithë ata shqiptarë që nuk janë fshehur pas 300 kilovatëshit, për të gjithë ata familjarë që nuk janë fshehur pas 300 kilovatëshit, për të gjithë ata ushtarakë, për të gjithë ata pensionistë, mësues, infermierë e gjithë me radhë që nuk janë fshehur pas 300 kilovatëshit, ishte 10.5 lekë. Ata do ta shikojnë në faturë, nuk ka nevojë ne të bëjmë diskutime. Do shikojnë faturat dhe do shohim faturën, sa ishin ata që fshiheshin dhe sa do të bien të ardhurat.
Është turp që bëjmë këtë debat, sepse ky është një debat që e ka mbyllur qytetari shqiptar. Qytetari shqiptar që ka paguar energjinë dhe që është ndjerë si budalla prej jush. E keni bërë si budalla, sepse lokalet poshtë, të gjitha të lidhura me sahatin dhe që paguante si familje në nevojë, apo si ai votuesi juaj që e kishte futur shtyllën në ballkon që, meqë bënte ndërtim pa leje, kishte edhe hidrocentralin e vet aty, nga stimulimi i kësaj politikës, gjithë nga një hidrocentral. Qytetarët shqiptarë sot ndjehen shumë mirë, sepse të paktën, të gjithë paguajnë aq sa konsumojnë, duan të konsumojnë më pak, do konsumojnë më pak, duan të konsumojnë më shumë, do paguajnë më shumë. Por një gjë është e sigurt, nëse në dhjetor dhe po e përsëris se është kurajo e madhe kjo që keni ju, është kurajo e pafytyrësisë, që zgërdhiheni përballë panoramës së tragjedisë që latë në sektorin elektroenergjitik, pra përfytyroni vetëm kaq, në dhjetor janë futur në sistem 71 mijë konsumatorë, të cilëve ju ia keni dhënë badiahava energjinë. Pse ia keni dhënë badiava energjinë, në emër të kujt ia keni dhënë badihava, kush ju dha juve, mandatin dhe autoritetin që të bënit këtë tregti të ndyrë politike, që atyre që paguajnë t’jua rrasni gjithë faturat e atyre që nuk paguajnë energjinë?! Nëse shifra e janarit do të jetë e njëjtë, pra, nëse në dhjetor-janar, ne do të kemi futur në sistem njerëz që kanë bërë marrëveshje dhe që kanë paguar më shumë se gjysma e gjithë borxhit, që juve e përdornit borxhin për ato fushatat e “meraviljas”, hajde se do t’ua falim të gjitha, vazhdoni, do të jenë dyfishi, pra, do të shkojnë afër 130-140 mijë, atëherë praktikisht është fakt se ju keni lënë çerek milioni konsumatorë jashtë sistemit. Sistemin jo vetëm që nuk keni bërë asgjë për ta përmirësuar, se kjo është ana tjetër e medaljes, por në 80% të tij e keni akoma me shtyllat e telat e Enver Hoxhës. Ju! Akoma me shtyllat dhe telat e Enver Hoxhës. E vetmja gjë që keni bërë, janë ato koncesionet me vizatime për hidrocentralet dhe treçereku i tyre kanë ngelur rrugëve, se nuk ka më merre ti, t’ia shesim atij se pastaj e di baba sesi bën këtë punë. Ka mbaruar ajo histori! Kështu që ju vazhdoni, ne kemi punën tonë, ju punën tuaj e dimë se çfarë keni.