English

Unaza e Jugut, ndryshim real në siguri dhe cilësi energjetike

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi dhe Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Engjëll Zeqo, inspektoi sot ecurinë e punimeve në nënstacionin e Zemblakut, në rajonin e Korçës. Punimet në këtë nënstacion po kryhen në kuadër të projektit “Linjat 110 kV të jugut të Shqipërisë”, financuar përmes një kredie të qeverisë gjermane, nëpërmjet Bankës KfW. Fuqizimi i Nënstacionit të Zemblakut, investim prej rreth 5 milion euro, përfshin instalimin e një transformatori të dytë 400/110 kV, me fuqi 150 MVA, si dhe kompletimin e skemës së nënstacionit, duke e bërë atë me fleksibël dhe të manovrueshëm.

Sipas Drejtorit të OST-së, ky investim rrit sigurinë e furnizimit me energji për të gjithë këtë rajon, duke rritur njëkohësisht edhe cilësinë e furnizimit. Nënstacioni i Zemblakut cilësohet si një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik në vend. “Ky është një investim që financohet nga KfW, me vlerë për zgjerimin e nënstacionit prej 5 milionë euro. Kemi të bëjmë me zgjerimin e anës 400 kV dhe daljes 110 kilovolt; vendosjen e një transformatori të ri 110 MVA që do të rrisë sigurinë e furnizimit për të gjithë rajonin. Ky është i shoqëruar edhe me një investim që kap gjithë pjesën e linjës së unazës së jugut, një investim mbi 32 milionë euro, edhe ky po i financuar po nga KfW. Ky është një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik shqiptar, pasi 3 kemi të tillë; Zemblakun, Elbasanin dhe Tirana 2” – tha Zeqo.

Kryeministri Edi Rama garantoi mbështetjen për rritjen e investimeve në rrjetin energjetik, në të gjithë vendin.

“Qëllimi është që ne të bëjmë volumin më të madh të investimeve që është bërë ndonjëherë gjatë gjithë këtyre 20 viteve, të përmbledhur në këto 3 vjet. Në mënyrë që të kemi një fuqizim real të rrjetit dhe të mund, pastaj, të shmangnim gjithë ato ndërprerje dhe gjithë ato situata tërësisht të patolerueshme për qytetarët, por sidomos edhe në pjesën e jugut, për të gjithë zonën turistike, ku që nga koha e elektrifikimit të Enver Hoxhës nuk është bërë më asnjë ndërhyrje” – u shpreh Kryeministri.

Drejtori i OST-së, Engjëll Zeqo, shtoi se “ zonat turistike përgjatë bregdetit të Jonit, madje, mund të them se është zona e elektrifikuar më keq në Shqipëri”.

Por sipas tij, ndërtimi i linjës 110 kV do të shoqërohet edhe me ndërtimin e dy nënstacioneve, në Orikum edhe në Himarë, çka do të garantojë furnizim 100 % me energji për të gjithë zonën e bregdetit të Jonit, nga Babica deri në Sarandë. Tjetër investim, së afërmi, në këtë zonë pritet të kryhet edhe në sistemin e shpërndarjes. Këto ndërhyrje janë të parat që kryhen në zonën turistike përgjatë bregdetit të jugut që nga periudha kur është bërë elektrifikimi në Shqipëri.

KOMENTE