English

Qeveria në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën e vështirë

Në përfundim të mbledhjes jashtë radhës të Këshillit të Ministrave, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministri Edmond Panariti dhe ministri Saimir Tahiri, mbrëmjen e djeshme në një deklaratë për mediat informuan rreth situatës në zonat e përmbytura si pasojë e reshjeve, në jug të vendit:

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi:

Përshëndetje!

Sot, në ditën e dytë të përmbytjes të shkaktuar nga reshjet e dendura në qarqet Berat, Fier, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë, qeveria është mbledhur për të bërë një vlerësim të masave të marra deri tani në përballimin e kësaj emergjence civile, si dhe për të diskutuar për hapat dhe masat e mëtejshme në ditët në vazhdim.

Kemi kaluar një situatë kritike, por natyrisht që kjo situatë nuk ka përfunduar. Dëshiroj të bëj me dije edhe për qytetarët se priten reshje të tjera në ditët në vazhdim. Dua gjithashtu të garantoj të gjithë qytetarët e zonave të rrezikuara se kjo emergjencë civile i ka gjetur të gjitha shtabet e emergjencës të ngritura, në gjendje gatishmëria. Para katër ditësh, ministri i Brendshëm, i cili do të informojë pas pak me më shumë detaje lidhur me situatën e tanishme dhe masat që janë marrë, ka ngritur me urdhrin e vet, Shtabin Qendror të Emergjencave Civile, gjithashtu pranë institucionit të prefektit në 12 qarqet e vendit është ngritur para 4 ditësh, për të pritur në gatishmëri emergjencën e shkaktuar. Për këtë arsye kemi mundur që ta përballojmë këtë situatë kritike, duke shmangur totalisht të gjitha dëmet në njerëz, duke shmangur gjithashtu edhe shumë dëme të tjera në mijëra krerë bagëti etj.. Natyrisht që ka dëme të shkaktuara nga kjo situatë.

Dua të theksoj që operacioni ka qenë i gjithanshëm, ka pasur një përgjigje totale të të gjitha strukturave përgjegjëse për emergjencat, duke filluar nga policia, repartet speciale, emergjencat civile, qendrat vullnetare të emergjencave civile, Forcat e Armatosura, spitalet dhe i gjithë rrjeti strategjik i energjetikës, ujësjellësve në përballje të kësaj emergjence.

Sot, gjithashtu dua të shfrytëzoj këtë mundësi të komunikimit me publikun, për t’i bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencës, të mbështesin dhe t’i binden operacionit, qoftë për t’u larguar nga shtëpitë e rrezikuara, qoftë për të mos u kthyer atje derisa të njoftohen se rreziku ka kaluar, nga strukturat e emergjencës civile.

Gjithashtu kemi pasur një kontakt që në orët e para të mëngjesit, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit, me partnerët tanë, Bashkimin Europian, me komisionerin për Ndihmat Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, si dhe me komisionerin për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin. I kemi njohur me situatën e përmbytjeve të fundit, kemi kërkuar gjithashtu mbështetje. I kemi informuar paraprakisht për situatën në të cilën ndodhemi dhe do të shfrytëzojmë edhe këtë mundësi, edhe këtë kanal mbështetjeje, i cili mbështet emergjencat në dy faza, në fazën e parë me një ndihmë të shpejtë dhe pastaj, në varësi edhe të dëmeve të shkaktuara dhe të raporteve që do të gjenerohen nga strukturat e emergjencave civile, planifikohen edhe mbështetje të tjera.

Të shpresojmë që më e keqja ka kaluar, por gjithsesi nuk ka garanci. Parashikohet në ditët në vazhdim, ditën e mërkurë të ketë reshje të tjera, por ju sigurojmë që i gjithë rrjeti i ngritur është 24 orë në punë, për ta përballuar këtë emergjencë pa dëme të mëdha.

Tani ministri i Bujqësisë që ka qenë në terren, si dhe ministri i Punëve të Brendshme do t’ju informojnë lidhur me masat e marra deri tani, me paralajmërimet dhe me thirrjen për të bashkëpunuar, për mënyrën se si dhe masat në vazhdim për të përballuar këtë emergjencë civile.


Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti:

Ashtu siç e përmendi edhe zëvendëskryeministri, Ministria e Bujqësisë ka ndjekur me vëmendje dhe përgjegjësi të veçantë funksionimin e rrjetit të kanalizimeve dhe të hidrovorëve. Ky rrjet ka funksionuar me eficiencë të plotë. Të gjithë hidrovorët kanë qenë në gatishmëri, kanë punuar dhe kanë qenë të furnizuar në mënyrë sistematike me energji elekrike. Kjo ka bërë që uji të tërhiqet nga ngastrat dhe sidomos në ato zona ku nuk kemi pasur dalje të lumenjve nga shtrati, siç është rrethi i Lushnjes, tokat janë drenuar dhe uji është larguar.

Sigurisht kemi pasur një situatë të jashtëzakonshme, me daljen e lumenjve nga shtrati, siç është rasti i lumit të Vjosës, i cili ka pasur prurje historike. Prurje që nuk janë riregjistruar që nga viti 1964, si rezultat i reshjeve të jashtëzakonshme brenda një harku kohor të shkurtër. Në këto zona ku kemi pasur dalje të lumenjve nga shtrati, ne kemi pasur si prioritet kryesor, në bashkëpunim dhe në sinkroni të plotë me Ministrinë e Rendit dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, evakuimin e njerëzve dhe të gjësë së gjallë.

Kemi bërë maksimumin për të larguar në kohë nga zonat e përmbytura, njerëzit në radhë të parë dhe pastaj bagëtitë. Kështu që jemi munduar që të minimizojmë dëmet në bagëti, të cilat, sigurisht, ne i kemi të riregjistruara dhe janë në vëmendjen tonë.

Nga ana tjetër, në interesin tonë imediat është evakuimi i ujërave nga terrenet bujqësore nëpërmjet vënies në punë dhe mbajtjes në mënyrë të vazhdueshme në punë të hidrovoreve, për të tërhequr ujërat në mënyrë që të kemi një dëmtim sa më të reduktuar të sipërfaqeve të mbjella.

Gjithsesi, situata paraqitet e vështirë, paraqitet e rënduar edhe përpos faktit që përmendi zëvendëskryeministri, që agjencitë meteorologjike japin alarmin që edhe në ditët në vijim, ne do të kemi një situatë të rënduar meteorologjike, me shira që do të vazhdojnë deri në fund të javës.

Prandaj, Shtabet e Emergjencës Civile në të gjithë qarqet do të jenë në gatishmëri të plotë, në bashkëpunim me të gjitha strukturat që janë përbërëse të këtyre qarqeve, duke filluar që nga Bordet e Kullimit, drejtoritë e bujqësisë, prefektët, nënprefektët, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë Rendit, të cilat do të punojnë në sintoni dhe sinkroni të plotë, për të përballuar çdo situatë të jashtëzakonshme që mund të krijohet.

Situata do të mbikëqyret në vazhdimësi, natën dhe ditën, në mënyrë që të minimizojmë dhe të përballojmë me sukses dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje.

Faleminderit!



Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Dëshiroj të bëj me dije që pas marrjes së njoftimit nga Qendra Rajonale e Parashikimit të Motit, katër ditë më parë, për situatë veçanërisht kritike lidhur me reshjet e shiut në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin, janë ngritur menjëherë Shtabi Qendror i Emergjencës dhe shtabet e emergjencës rajonale, nën drejtimin e prefektëve, ku marrin pjesë të gjitha agjencitë shtetërore që kanë rol dhe përgjegjësi të caktuara për përballimin e emergjencave civile, në çdo zonë të Shqipërisë.

Siç është bërë me dije, për ju dhe për qytetarët, disa qarqe në jug të vendit janë në një situatë kritike sa i takon përmbytjeve, me mijëra hektarë në zona të caktuara, duke e bërë të vështirë situatën për qytetarët dhe për bagëtitë, gjithashtu edhe për pronat.

Shtabet e emergjencës civile kanë qenë në gatishmëri të plotë, ndaj dua ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, qendrat vullnetare të emergjencave civile dhe të gjithë ata që janë angazhuar intensivisht për prioritetin tonë absolut në një situatë të tillë, që sigurisht fillonte me shmangien në mënyrë absolute të pasojave fatale për jetën e njerëzve, pasojave të rënda për shëndetin e njerëzve dhe sigurisht pastaj, edhe për gjënë e gjallë dhe për pronën.

Katastrofat natyrore janë një gjë që vështirësisht përballohet nga struktura të mirëngritura, duke lënë mënjanë këtu faktin që struktura e përballimit të emergjencave civile në vend ka kapacitete të mjaftueshme, por jo të atilla për të përballuar ngjarje si këto që ndodhën. E përmendi edhe ministri Panariti më parë, prurje të lumenjve në sasi fare të paparashikueshme, por edhe historikisht të atilla që e bëjnë të vështirë për çdo strukturë, përballimin e pasojave që ato sjellin.

Tani që flasim janë me mijëra hektarë tokë nën ujë. Janë me qindra familje që janë me prezencë uji në oborre dhe në shtëpi. Nga forcat e emergjencave civile, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura janë evakuuar mbi 300 familje. Kemi bërë të mundur, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe orëve të para të ditës së djeshme, evakuimin e disa familjeve dhe në mënyrë specifike, të disa banorëve që përtej kushteve të emergjencës civile ishin edhe në kushtet e emergjencës shëndetësore. Dhe gjithashtu, sot që flasim, kemi arritur të dërgojmë ndihmën e parë me ushqime dhe të gjithë pajisjet që nevojiten për të përballuar në qendra pritjeje, apo aty ku janë, nevojat bazike të qytetarëve që janë përfshirë nga pasojat e përmbytjes.

Situata është kritike. Kjo është një emergjencë civile që i gjen të gjithë strukturat dhe institucionet në gatishmëri të plotë dhe të përgatitura për të përballuar çdo situatë dhe çdo pasojë që mund të sjellë dalja e lumenjve apo përmbytjet në këto zona.

E tha edhe Zëvendëskryeministri, edhe ministri Panariti, situata mund të vazhdojë, në rast se reshjet e shiut vazhdojnë. Ndaj për këtë arsye, unë do të doja t’i bashkohesha thirrjeve të kolegëve lidhur me mirëkuptimin që duhet të tregojnë qytetarët ndaj forcave të rendit, ndaj Forcave të Armatosura, në rastet kur kërkohet evakuimi i tyre për shkaqe të përmbytjes, apo moskthimi i tyre në zona që shfaqin rrezik potencial për shkak të përmbytjes.

Policia e Shtetit është e gjitha në gatishmëri në këto zona, për të garantuar rendin në mënyrë maksimale dhe për të shmangur çdo lloj pasoje apo ngjarjeje kriminale në këto zona. Ashtu siç jemi të gatshëm dhe e gjithë struktura e emergjencës është e gjitha në gatishmëri, për t’u përballur edhe me pasoja më të vështira, në rast se këto do të vijnë, në qoftë se, sipas parashikimit të motit, do të ketë përkeqësim të situatës.

E shfrytëzoj rastin edhe njëherë, për të kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, pasi nuk ka institucion që ia del dot të përballet me pasojat e një emergjence civile, apo një përmbytjeje të shkallës se gjerë, në rast se qytetarët nuk bashkëpunojnë. Në rastin konkret, forcave të emergjencave civile i është dashur të kthehen dhe rikthehen disa herë në të njëjtën banesë për të bindur banorët dhe ndonjëherë, evakuimi është bërë edhe i forcuar për disa banorë që nuk kanë dashur të lënë shtëpitë e tyre, për arsye që edhe janë të kuptueshme. Ajo që është prioriteti ynë maksimal është mbrojta e jetës, ruajtja e shëndetit dhe pastaj mbrojta e gjësë së gjallë dhe e pronës.

Ju faleminderit!

KOMENTE