Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vizitoi dje paradite zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit, si dhe nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosë, në komunat e dëmtuara më rëndë deri tani në Fier dhe Vlorë.
I shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Fier Xhevit Bushi, Kryetari i Komunës Dërmenas, Viktor Fasko si dhe anëtarë të kabinetit të tij, Kreu i Shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura vizitoi fshatin Darëzezë ku u njoh nga afër në mënyrë të hollësishme me dëmet e shkaktuara dhe me situatën emergjente duke u shprehur se “E rëndësishme është shpëtimi i jetës së njerëzve. Pushteti vendor e qendror të marrë masa. Të merren masa për të verifikuar dëmet. Të mblidhemi bashkë për të kapërcyer këtë situatë. Presidenti Nishani vizitoi gjithashtu fshatrat Boçovë, Çerven dhe Hoxharë të po këtij Qarku.
“Nuk jam këtu për të ndërhyrë në debatin politik midis forcave politike. Nuk është detyra e Presidentit të Republikës të ndërhyjë dhe të bëjë komente mbi qëndrime politike të njërës forcë apo tjetrës, të njërit krah apo tjetrit. Jam këtu sot për të shprehur në radhë të parë, në emrin tim personal solidaritetin për të gjithë banorët e kësaj zone dhe banorët e të gjitha zonave që e kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore. Për të sjell këtu në mënyrë bindëse solidaritetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se të gjithë shqiptarët sot, pavarësisht se ku ndodhen janë me zemër dhe me mendje pranë këtyre banorëve duke lutur që vështirësia dhe ky hall që i ka zënë të kalojë sa më parë, por kalimi i këtij momenti kërkon angazhim përtej solidaritetit. Solidariteti kryesor fillon me institucionet shtetërore, të cilat duhen menjëherë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe ato të specializuara të ndërhyjnë në mënyrë efikase.” – vuri në dukje Presidenti.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi gjithashtu: “Thirrja ime e parë është për banorët, të cilët të vazhdojnë të jenë vigjilentë edhe në ditët e ardhshme, sepse natyra mund të përkeqësohet përsëri. Së dyti një kërkesë për banorët kam që të bashkëpunojnë ngushtësisht me autoritetet vendore dhe ato qendrore. T’u përgjigjen vendimeve dhe këshillave që japin autoritetet për të shmangur çdo rrezik që i kanoset në radhë të parë jetës dhe sigurisë së tyre. Menjëherë duhet që autoritetet dhe organet e specializuara të fillojnë identifikimin të dëmeve dhe të ndihmës si dhe asaj afatmesme që kërkojnë këta qytetarë, në mënyrë të tillë që ne ta rivitalizojmë zonën, ta rivitalizojmë jetën e individit, jetën e çdo familjari këtu, sepse këta banorë ashtu si në shumë zona të tjera, jetojnë me tokën, me bagëtinë, me ato të ardhura që kanë nga këto aktivitete, prandaj të bëhemi të gjithë bashkë në mënyrë që të fokusohemi tek vendimet që duhen marrë për të ndihmuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky është mesazhi që unë sjell sot, dhe jam i bindur që ky është edhe mesazhi dhe nevoja që kërkojnë qytetarët në këto zona.”
Në fshatin Boçovë të Fierit si dhe në Hoxharë banorët e dëmtuar të këtyre zonave të përmbytura, duke i shprehur mirënjohjen Kryetarit të Shtetit për inspektimin dhe mesazhet e sinqerta, kërkuan më tepër vëmendje nga autoritetet, ndërsa Presidenti Nishani garantoi se do të punojë për zgjidhjen e problemeve të tyre duke i ftuar qytetarët që kërkesat t’i adresojnë dhe zyrtarisht dhe premtoi se do të kthehej sërish në këtë zonë.
Inspektimi vijoi në fshatrat Fitore dhe Bishan të Qarkut të Vlorës. I shoqëruar nga Prefektja e Qarkut, Etjona Hoxha, Kryetari i Komunës Novoselë Kanan Shakaj, Presidenti i Republikës u takua me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, të cilët pasi shprehën shqetësimet e tyre kryesisht në lidhje me ushqimin e bagëtive, mungesën e strehimin, etj., e falënderuan Presidentin për vizitën dhe për mbështetjen e sinqertë në këto momente tepër të vështira e të paparashikueshme të jetës së tyre.