English

Faza e dytë e mbështetjes për familjet e prekura nga përmbytjet

Nisi sot faza e dytë e mbështetjes për familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, në jug të vendit.

Këtë e njoftoi Kryeministri Edi Rama në takimin “ Shqipëria Solidare”, që zhvilloi paradite me përfaqësues të biznesit dhe me prani të përfaqësuesve të komuniteteve fetarë në vend, organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale.

Duke vlerësuar këtë solidaritet nga ana e biznesit, Kryeministri Rama theksoi se “me fazë të dytë ne nuk kuptojmë as këtë ditë dhe as këtë javë, por këtë periudhë deri në pranverë. Faza e parë ishte e kushtëzuar nga kufijtë që vendosi natyra, ndërsa faza e dytë nga domosdoshmëria e një solidariteti të shtrirë në kohë dhe një lehtësim, i cili do ta bëjë jetën e atyre njerëzve shumë më të pranueshme sesa çdo të ishte pa këtë solidaritet deri në periudhën e pranverës. Ndërkohë Qeveria, paralelisht me këtë pjesë, do të bëjë gjithë detyrat e veta”.

Këtë mbështetje, Kryeministri e cilësoi si një mesazh shumë të qartë që Qeveria duhet dhe do t’i gjendet pranë me çdo kusht njerëzve të punës. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se “do t’u jemi pranë edhe atyre që kanë ndërtuar shtëpinë në mes të lumit, por nga ana tjetër ky është një tjetër mësim i madh, që të mos kujtohemi për këto lloj ndërtimesh vetëm për të ngritur zërin që gjynah, pse po mbyten, po të kujtohemi edhe kur është kohë e thatë dhe të jemi të gjithë të vetëdijshëm se ne nuk mundet dot të vazhdojmë pafund një luftë me motin dhe me të shkuarën”.

Kryeministri nënvizoi edhe një tjetër element të rëndësishëm, që lidhet me vendimmarrjen e OSHEE-së. “Dje OSHEE ka marrë vendimin për të fshirë, jo falur, të gjitha faturat që, në bazë të një vendimi të ERE-s të vitit 2010 dhe disa vendimeve të mëpastajshme, prej vitesh ishin bëra tortura e 53 900 konsumatorëve, të konsideruara si fatura që mund të cenonin drejtpërdrejtë ekonominë e konsumatorit në mënyrë të padrejtë. Paralelisht me këtë fshirje që është një e drejtë që i njihet konsumatorit për herë të parë në historinë e kompanisë së shpërndarjes së energjisë dhe në vazhdim të filozofisë sonë që e kemi shpallur dhe e kemi implementuar që në fillim të qeverisjes duke i njohur borxhet biznesit dhe duke i larë borxhet e prapambetura biznesit, ne jemi duke punuar investivisht me OSHE-në, në një grup pune me ekspertë, për të vlerësuar një alternativë të re lidhur me zonat e përmbytura dhe njerëzit e prekur nga përmbytja në raport me kompaninë. Pasi ka njerëz në këto zona dhe nuk flas vetëm për zonën e përmbytur sot, por edhe për zonat e përmbytura në të kaluarën e afërt në Shkodër dhe Nënshkodër, të cilët kanë borxhe dhe janë në pamundësi për shkak të këtyre dëmeve të konsiderueshme që kanë pësuar apo që po pësojnë. Edhe në këtë aspekt ne do të jemi solidarë dhe do të jemi shumë shpejt të gatshëm për të dalë me një alternativë të re për ta. Por dua ta theksoj, që të mos ketë keqkuptime, që kjo nuk ka qenë dhe nuk është një falje detyrimesh, por është njohja e detyrimit të shtetit që në raport me këta njerëz ka qenë i padrejtë. Është dashur 1 vit që OSHEE-së të zbërthente një për një, me emër dhe me mbiemër të gjithë këta konsumatorë, për të mos e bërë gjithë këtë punë përgjysmë. Nuk kishte të dhëna. Më në fund në bashkëpunim me ERE-n këto të dhëna u siguruan. Do të jetë një lehtësi tjetër që do t’u krijohet njerëzve në zonat e përmbytura. Sikundër, besoj, është një shprehje e moralit të qeverisjes sonë që këtë ta bëjmë edhe për ata që sot, fatmirësisht, nuk janë të përmbytur, por që janë përmbytur 4 herë në të shkuarën e afërt dhe të cilët e kanë vërtetë shumë të vështirë të përballojnë jetën, sepse askush nuk është kujtuar dhe askush nuk u ka dhënë kokërr leku në atë kohë kur u dëmtuan shumë rëndë, në fakt. Sidomos dy prej atyre përmbytjeve kanë qenë përmbytje shumë më të mëdha dhe kanë zgjatur shumë më tepër dhe kanë lënë pas plagë shumë më të mëdha sesa këto që ne përballemi sot”.

Në ndihmë të familjeve të përmbytura janë solidarizuar edhe bizneset në Kosovë. Pritet të mbërrijnë në zonat e përmbytura 15 kamionë me rreth 300 ton mallra të ndryshme. Kryetari i “Aleancës Kosovare të Bizneseve”, njëkohësisht themelues i Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Agim Shahini shprehu gatishmërinë për ndihmë të mëtejshme dhe bëri thirrje që me këtë nismë të bashkohen biznese të tjera nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi e Maqedonia. “Ftesës së Kryeministrit, Aleanca dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë i është përgjigjur menjëherë në Kosovë, kemi mobilizuar brenda pak orëve dhe kemi grumbulluar një sasi të madhe të mallrave. Janë rrugës duke ardhur, 15 maune me rreth 300 ton mall të ndryshëm, me vlerë rreth 200 mijë euro. Në emër të Dhomës Kombëtare të Tregtisë i ftoj të gjitha bizneset, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia nga Mali i Zi që kësaj ftese t’i përgjigjen sa kanë mundësi. Këta njerëz kanë nevojë për ne, janë konsumatorët tanë, janë taksapaguesit e shtetit, janë njerëzit që nuk kanë pasur mundësi të kenë një shtëpi në një vend ku nuk i merr uji dhe atyre duhet t’u dalim për zot” – u shpreh Shahini.

Ndërsa Presidenti i Biznes Albania-s, Luan Bregasi e cilësoi këtë solidaritet si një rast që sipërmarrjet të shpalosin para opinionit dimensionin social dhe përgjegjësitë sociale që kanë. “Në këtë fazë të dytë, kur koha është më e stabilizuar, ne kemi shansin të tregojmë dimensionin tonë. Dhoma Kombëtare e Tregtisë në bashkëpunim me Aleancën e Bizneseve të Kosovës dhe me Biznes Albania kanë organizuar këtë fushatë. Këtë herë për ne ka qenë më e lehtë se asnjëherë tjetër, sepse ka pasur vullnet për të dhuruar nga vetë kompanitë private” – tha Bregasi, ndërsa shtoi se do të ndiqet me shumë përgjegjësi procesi për dërgesën e çdo ndihme në vendin që duhet.

Sipas Bregasit, kontributi nga biznesi po vijon. “Drejtuesit e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme na kanë adresuar të gjitha nevojat dhe këto premtime që kanë bërë sipërmarrësit mbrëmë kanë pak a shumë gjeografinë e problemeve, por jo të gjitha. Do të ketë fazë tjetër për nevojat e tjera të popullsisë” – tha ai.

Në përfundim të takimit, ministri Erion Veliaj shprehu mirënjohje për të gjithë biznesin e solidarizuar në këtë fazë të dytë, që me gjasë do të vazhdojë deri në fund të marsit. Ai nënvizoi se për shpërndarjen e ndihmave do të ngrihet një shtab qendror në Tiranë dhe disa shtabe rajonale në qendrat urbane të zonave të përmbytura. “Ne do të nisim nga sot daljen në terren. Doja të ftoja disa prej jush që të jenë vetë në terren, për t’ju siguruar dhe për të qenë pjesë e faktit se ajo që nis këtu, në këtë magazinë mallrash, konkludohet te personi fundor që e merr. Ne do të ngremë disa shtabe të fazës së dytë; 1 shtab në Tiranë, që do të menaxhohet nga drejtoreshë Etleva, si për të koordinuar ndihmat dhe për t’u siguruar që nuk dublikojnë, por që në mënyrë të njëtrajtshme njerëzit ndihmohen, sipas nevojës dhe do të kemi shtabet rajonale në Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe në Berat. Gjithashtu, do të bëjmë një kalendar ku disa prej atyre që kanë dhuruar të jenë pjesë e grupit të të rinjve që do të zhvendoset me vullnetarë në këto zona dhe për t’u siguruar që nga tani deri në fund të marsit secili prej nesh është prezent në këto zona dhe për t’u siguruar që ndihma ka shkuar në vendin e duhur. Më vjen gjithashtu mirë që jemi pjekur dhe nga ana politike dhe nga ana e diskutimit publik. Dua t’ju kujtoj që përpara tre vitesh, katër apo pesë vitesh dëgjonim diskutime sesi Jupiteri dhe Hëna thurnin intriga për shqiptarët dhe na shkaktonin batica dhe zbatica. Apo dëgjonim çudira të tilla të tipit që 1 metër kub borë prodhon 3 metër kub ujë. Asnjëri prej nesh sot nuk e quajti as Novoselën as Darëzezën, Venecia e Shqipërisë. Pra këtë lloj fyerje dhe këtë lloj cinizmi ne minimalisht ja kemi kursyer njerëzve”- nënvizoi Veliaj.

Në takim bizneset paraqitën kapacitetet e tyre për të kontribuar, duke nisur nga sasi të konsiderueshme ushqimore, veshje, vënia në dispozicion e makinerive të rënda për përmirësimin e infrastrukturës, ushqim për gjënë e gjallë, vlera monetare, etj.. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesit e bankave, ku ndër ta u shprehën se krahas ndihmës financiare që do të depozitohet në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave, për të gjithë bizneset e zonës do të shikohet mundësia e aplikimit të normave më të ulëta të interesit kundrejt marrjes në punë të njerëzve që janë dëmtuar nga kjo situatë.

KOMENTE