English

Paloka: Partia Demokratike do të jetë në krye të protestës, derisa të bëhet drejtësi

Problemi i faturave të padrejta, abuzive, problemi i mbifaturimit është shumë herë më i madh. Janë qindra mijë ankesat e qytetarëve. Shqiptarët e kuptojnë se Edi Rama ka qënë i detyruar nga protesta e tyre, nga revolta e tyre ndaj padrejtësive e shtypjes qeveritare, për të ardhur tek lajmërimi që bëri dje. Dhe qytetarët e vendit bashkë me opozitën, nuk kanë për t’u ndalur derisa kauza e tyre e drejtë të shkojë në vend.

Lajmërimi që bëri dje Edi Rama për anullimin e një pjese të vogël të faturave arbitrare të energjisë, ishte i sforcuar dhe nuk ka këtu asgjë për të bërë shpëtimtarin.

Trajtimi me shpejtësi i ankesave të qytetarëve për mbifaturim, për penalitete të padrejta ndaj tyre, ka qënë një nga kërkesat e përsëritura të opozitës.

Konkretisht, Partia Demokratike, me 2 dhjetor kërkoi publikisht;

- të mos ngrihet cmimi i energjise elektrike

- të bëhet e mundur pagesa me këste e borxheve të prapambetura

- të falen kamatvonesat e debitorëve të energjisë elektrike të akumuluara ndër vite si pasojë e abuzimeve me faturën e energjisë nga ana e shtetit,

- pezullimin e pagesës së faturave për të gjitha rastet për të cilat ka ankimim për mbifaturim

- pezullimin e menjëhershëm të këtyre faturave dhe mos ndërprerjen e energjisë për qytetarët

-ngritjen e një sistemi të verifimit të shpejtë të qindra mijë ankesave të akumuluara

Këto kërkesa të qarta e të drejta erdhën nga protesta masive e 22 nëntorit.

Nuk është pra një zgjedhje e Edi Ramës. Ai deri më tani ka zgjedhur të kundërtën e faljes, amnistisë, apo shqyrtimit të ankesave të qytetarëve.

Edi Rama ka rritur cmimin e energjisë me 25 përqind për pjesëm më të madhe të popullsisë.

Me Edi Ramën janë shtuar faturimet abuzive.

Ai nuk pranoi të falë kamat vonesat.

Ai solli errësirën dhe kërbacin mbi njerëzit e pamundur, mbi ata që nuk kanë mundësi financiare se nuk kanë të ardhura, nuk kanë një vend pune.

I fali apo ndau me kompaninë CEZ 600 milionë euro, detyrime të njohura nga pala ceke.

Ia la në menaxhim pasurinë publike debitorëve e hajdutëve të pashembullt të energjisë.

Dhe në pikun e fatkeqësisë natyrore, kreu aferën e shitjes së energjisë nga kesh dhe blerjes së po kësaj energjie, dy herë me shtrenjtë nga OSHEE, vetëm që të përfitonin klani i tij bashkë me të, të paktën 4 milionë euro.

Këto janë përvojat, punët konkrete të Edi Ramës me energjinë.

Dje kryeministri thjesht bëri të ditur se ka vendosur të zbatojë një vendim të ERE, të marrë kohë më parë. Por problemi i faturave të padrejta, abuzive, problemi i mbifaturimit është shumë herë më i madh. Janë qindra mijë ankesat e qytetarëve.

Për më tepër, janë dhjetra mijë qytetarë që kanë paguar tashmë aforfetë dhe faturat abuzive e të padrejta. Edi Rama duhet ti ktheje pagesat mbrapsht, dhe qytetarët janë në të drejtën e tyre të kërkojnë paratë e tyre.

Shqiptarët e kuptojnë se Edi Rama ka qënë i detyruar nga protesta e tyre, nga revolta e tyre ndaj padrejtësive e shtypjes qeveritare, për të ardhur tek lajmërimi që bëri dje.

Dhe qytetarët e vendit, nuk kanë për t’u ndalur derisa kauza e tyre e drejtë të shkojë në vend.

Që do të thotë, falje të kamatvonesave mbi faturimet abuzive. Shqyrtim i menjëhershëm i të gjithë ankesave të qytetarëve. Ulje e cmimit të energjisë me reduktimin e TVSH-së, me 14 përqind, sic pati premtuar vetë kryeministri.

Partia Demokratike do të jetë në krye të protestës, derisa të bëhet drejtësi.

KOMENTE