English

Hipertensioni në shtatëzani

Si rrjedhojë e bezdisjeve që përjetojnë, shumë nëna potenciale kuptojnë se shtatzënia është proces i vështirë dhe aspak i padëmshëm. Shtatzënia ndahet në periudha tremujore për ta kuptuar dhe përcjellë më lehtë. Njëkohësisht, secila periudhë (tremestër) në vetvete përmban probleme pak a shumë “serioze”. Tema e këtij artikulli të radhës është “tensioni i lartë” (hipertensioni), i cili mund të shfaqet në cilëndo fazë të shtatzënisë dhe që mund të shkaktojë probleme serioze. Këtu do t’i gjeni përgjigjet se si hetohet hipertensioni në shtatzëni, çfarë shkakton, si trajtohet dhe nëse mund të parandalohet.

Gjatë shtatzënisë, trupi rikthen baraspeshën e vet dhe i përgjigjet nevojës për të mbajtur më shumë gjak duke zgjeruar venat dhe duke rritur pulsin. Rrjedhimisht, në fazat e hershme të shtatzënisë, nëna potenciale mund të vazhdojë të jetojë normalisht edhe me shtypje më të ulët të gjakut se zakonisht. Zemra, veshkat dhe mëlçia punojnë më shumë dhe i ndajnë detyrat mes vetë për t’i ndihmuar foshnjës. Me këtë punë ekipore, trupi i nënës potenciale strehon foshnjën në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë tërë nëntë muajve. Lindja e shëndoshë është kuptimi i vërtetë i “përfundimit të lumtur”: shtatzënia përfundon dhe vjen lumtura kur ju përqafoni foshnjën tuaj të shëndetshme.
Hipertensioni, i cili shkakton probleme serioze si nënës ashtu edhe foshnjës dhe rrezikon jetën e tyre, rezulton nga vështirësitë në këtë proces të adaptimit të cekur më lartë. Ky çrregullim vërehet në 5-10 % të të gjitha shtatzënive. Kjo përqindje e konsiderueshme mund të ndryshojë gjeografikisht, veçanërisht nëse nëna potenciale ka pasur sëmundje para shtatzënisë, si sëmundje kronike të veshkave, diabeti, çrregullime vaskulare, apo lupus (sëmundje autoimune), atëherë mundësia e shfaqjes së hipertensionit në shtatzëni rritet në 20-40 %. Ndonëse hipertensioni gjestacional është quajtur “helmim i shtatzënisë” për shumë vite, asnjëherë nuk është zbuluar ndonjë substancë helmuese në gjak.
Hipertensioni diagnostikohet kur në gjendje të relaksuar merret vlera e shtypjes së gjakut prej 140/90mmHg apo më shumë, apo kur shtypja sistolike e gjakut është 30mmHg apo më e lartë dhe shtypja diastolike e gjakut është 15mmHg apo më e lartë sesa vlerat e njohura të para-shtatzënisë. Hipertensioni mund te ekzistojë vetvetiu ose shoqërohet me probleme tjera. Shtypja e lartë e gjakut e hetuar në 20 javët e para të shtatzënisë përgjithësisht quhet “hipertensioni kronik”. Nëse hipertensioni hetohet në javët e përparuara të shtatzënisë, pra pas pesë muajve të parë, dhe është e shoqëruar me proteinuria (tepricë e proteinave të serumit në urinë), ënjtja (edema) e duarve dhe të fytyrës si dhe spazmat, atëherë quhet “pre-eklampsia/eklampsia”/. Kjo nënkupton se të shtatzënën, foshnjën e saj, dhe mjekun e presin kohë të vështira. Diagnostikimi me kohë, parandalimi dhe trajtimi i kësaj sëmundjeje do të shpëtojë jetë.
Është me rëndësi të dihen grupet e rrezikut:
Shtatzënia e parë,
Hipertensioni i trashëguar në familje,
Sëmundjet e trashëguara në familje si diabeti, sëmundje kronike e veshkave, lupus erythematosus, dhe sëmundjet tjera hipertensive vaskulare,
Shtatzënitë e shumëfishta,
Tepricë e lëngut amniotik në qeskën amniotike (polyhydramnios),
Ekzistenca e disa sëmundjeve gjenetike në foshnje (Trisomy 13),
Nënat e moshës më pak se 20 vjeçare apo më shumë se 35 vjeçare,
Ekzistenca e mangësive ushqimore, anemia, obeziteti,
Shtatzënia molare (abnormale),
Pre-eklampsi / eklampsi në shtatzëninë (apo shtatzënitë) paraprake
të gjitha këto rrisin gjasat e pre-eklampsisë.
Sëmundja diagnostikohet duke matur sasinë e proteinave në urinën e nënës për 24 orë. Analizat e gjakut bëhen për ta zbuluar gjendjen e koagulimit, nëse mëlçia dhe veshkat punojnë si duhet apo sa janë dëmtuar. Në rastet e rënda të hipertensionit, nënat potenciale mund të pësojnë dëmtim të përkohshëm apo të përhershëm në një numër të madh të organeve vitale. Këto organe janë mëlçia, veshkat, truri, mushkëritë, zemra, dhe sytë. Meqë problemi kryesor për foshnjën ndodh në placentë, kjo mund të rezultojë në ngadalësim të rritjes, nivele të ulëta të lëngut amniotik (oligohydramnios), lindje të parakohshme, shkëputjen e placentës (shkolitje), apo, në rastin më të keq, vdekjen e foshnjës përbrenda mitrës.
Hipertensioni gjestacional duhet të merret shumë seriozisht dhe duhet të monitorohet nga mjekë me përvojë, sepse në disa raste gjasat e pre-eklampsisë mund të parashikohen me ultrasonografinë Doppler në javët më të hershme të shtatzënisë (javët 20-24). Kur pacientet me rrezik të lartë trajtohen me barna dhe vëzhgohen që nga fillimi, atëherë ashpërsia e sëmundjes mund të pakësohet.
Dëmet e shkaktuara nga pre-eklampsia dhe trajtimet që aplikohen ndryshojnë varësisht nga java e shtatzënisë në të cilën është shfaqur si dhe sa e rëndë është. Në rastet e diagnostikimit dhe trajtimit të vonshëm, apo kushteve joadekuate mjekësore, kjo sëmundje mund të rezultojë në vdekjen e nënës dhe foshnjës. Pasi që mund të shkaktojë dështimin e veshkave dhe mëlçisë, verbërimin, çrregullime të gjakderdhjes kryesisht intravenoze, dëmtim të mëlçisë dhe zemrës te nëna, mjeku pasues duhet të merr vendime të qarta.
Mund të tingëllojë e çuditshme të thuhet se zgjidhja e përhershme e këtij problemi është lindja e foshnjës dhe ndarja e placentës nga nëna. Megjithatë, nëse shtatzënia është në javët e para gjestacionale, atëherë nuk është lehtë të merret ky vendim. Gjatë kësaj kohe, duhet të krijohen kushtet e duhura si për nënën ashtu edhe për foshnjën me anë të administrimit të barnave adekuate që ulin shtypjen e gjakut, përcjellje të vazhdueshme të shtatzënisë, dhe shtrimin në spital të nënës, nëse është e domosdoshme. Nëse lindja e parakohshme është e pashmangshme, atëherë duhet të nxitet zhvillimi i përshpejtuar i mushkërive të fetusit me anë të injeksioneve të duhura dhe lindja duhet të kryhet në një spital që ka njësi të mira për kujdesin neonatal (menjëherë pas lindjes).
Mjeku përcjellës do të vendos nëse lindja do të jetë normale apo cezariane. Ky vendim do të mbështetet në dy faktorë të rëndësishëm: nga java e shtatzënisë dhe sa e rëndë është pre-eklampsia. Edhe nëna duhet të përcillet nga afër 24-48 orë pas lindjes. Në përgjithësi, hipertensioni gjestacional zhduket pas lindjes. Hipertensioni i cili mbetet dhe vazhdon pas periudhës së lehonisë prej 6 javësh fatkeqësisht është një pasojë e keqe nga shtatzënia dhe zakonisht ndodh në 1-5% të pacientëve. Në raste të tilla, nëna ka në dispozicion më shumë lloje të barnave pas përfundimit të shtatzënisë.
Atëherë, çfarë mund të bëhet që të mos përjetohet një sëmundje e tillë? Meqë ne nuk e dimë se çfarë saktësisht shkakton pre-eklampsinë, nuk mundemi të rekomandojmë një metodë specifike të parandalimit. Megjithatë, është esenciale përcjellja e mirë e shtatzënisë.
Nëna potenciale duhet të ushqehet me një dietë që përmban sasi të baraspeshuar të kripës, karbohidrate, proteina, yndyra, dhe vitamina.
Gjatë shtatzënisë, shtimi i peshës prej 11 2 kg është normal. E shtatzëna shton 250-500 gram në javë në tremujorin e tretë. Nëse ajo shton 1kg në javë apo më shumë se 3 kg në muaj, kjo çon në mbajtje abnormale të ujit. Megjithatë, duhet të mbahet mend se pre-eklampsia nuk shfaqet të secila grua që shton peshë por mund të shfaqet të cilado grua.
Gruaja shtatzënë duhet ta vëzhgojë veten me kujdes dhe patjetër ta informojë mjekun e saj nëse ka kokëdhimbje, fotopsi, dhe paqartësi ose hutim apo nëse ndjen pakësim të lëvizjeve të foshnjës. Këto mund të jenë simptomat e pre-eklampsisë.
Që nga fillimi i shtatzënisë, shtypja e gjakut duhet të vëzhgohet me teste arteriale, të gjakut, dhe të urinës. Plotësimet me hekur duhet të jepen që nga java e 16-të për ta parandaluar aneminë. Mund të rekomandohen edhe plotësimet tjera si kalciumi, mangani, hekuri, dhe vaji i peshkut.
Ju duhet ta bëni pjesën tuaj duke vazhduar kontrollimet e rregullta me mjekun tuaj me qëllim të parandalimit apo kontrollimit të hipertensionit të shtatzënisë, që është njëri nga shkaqet më të shpeshta të mortalitetit të nënës-foshnjës. Ne jemi gjithnjë me ju për të siguruar së të gjitha nënat e ardhshme t’i shohin princat dhe princeshat e tyre për të cilët kanë ëndërruar aq shumë. Ju urojmë shumë ditë të shëndetshme.

KOMENTE