English

Kryeministri Rama në shtëpitë e prekura nga përmbytjet në dy lagje të Urës Vajgurore

Kryeministri Rama u ndal edhe në dhjetëra shtëpi të prekura nga përmbytjet në dy lagje të Urës Vajgurore. Edhe këtu, interesimi i Kryeministrit ishte nëse ndihma kishte shkuar aty ku duhej. Ai pyeti personalisht familjarët për ndihmat që kishin marrë, veçanërisht zëvendësimin e pajisjeve elektroshtëpiake të dëmtuara me të reja. “Na erdhën edhe krevatet, frigoriferi, na erdhën të tëra,” – tha e zonja e shtëpisë në një nga shtëpitë në rrugën “Dafinat”. “I kemi marrë lavatriçen, frigoriferin. Ja shikojini vetë,” – tregon orenditë, një tjetër familjar, po në këtë lagje të qytetit.

Një tjetër banor tregon se ka pësuar përmbytje edhe në vitin 2010, por i është dashur që t’i zëvendësojë vetë, nga e para, të gjitha pajisjet e shtëpisë. “Ju falenderojmë se në 2010-n nuk kemi marrë asgjë. I kemi vënë të tëra nga xhepi,” – rrëfeu ai.

Kryeministri u rikthye edhe në shtëpinë që kishte vizituar ditët e para të përmbytjeve. “E mbajta fjalën. I keni marrë të gjitha ndihmat?” – iu drejtua Kryeministri, kryefamiljarit. “E mbajtët dhe shumë faleminderit si staf, si bashki, të gjithëve,” – tha i zoti i shtëpisë, të cilit Kryeministri iu përgjigj me humor “vetëm shiun e diellin nuk kemi në dorë, të tjerat i kemi në dorë.”

Duke treguar pajisjet e reja, një tjetër banore falënderon për mbështetjen e plotë që ka marrë si nga qeveria dhe nga autoritetet vendore. Ndërsa e zonja e shtëpisë shton “Gjithmonë na ka zënë lumi dhe nga një banane na kanë dhënë. Kemi besim shumë të plotë tek ju.”

Kryeministri theksoi se së pari është lehtësimi i kushteve të zonjave të shtëpisë. “Ne do të jemi në lartësinë e besimit tuaj, do të bëjmë gjithçka, jo vetëm sot që ju zuri kjo e keqe e motit, por në çdo kohë e mbi të gjitha duan t’i japim mundësi të gjitha grave që janë nëpër shtëpi të kenë pajisjet që kishin.” – tha Kryeministri në një bisedë me të zonjën e shtëpisë.

Faza e dytë e lehtësimit të pasojave në zonat e përmbytura do të pasohet nga faza e tretë që përfshin rehabilitimin e dëmeve. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, pikën e pritjes e të shpërndarjes së ndihmave në Urën Vajgurore, së bashku me Drejtoren e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed. Kryeministri njoftoi se qeveria shqiptare, e mbështetur nga partnerët ndërkombëtare, do të nisë fazën për rikuperimin e dëmeve. “Sot, unë jam i kënaqur që në këtë stacion na shoqëron edhe Drejtorja e Bankës Botërore për Shqipërinë. Me BB, ne kemi filluar komunikimin, ashtu si edhe me partnerët e tjerë, qysh ditën e parë. Faktikisht, me plotësimin e nevojave të fazës së dytë hyjmë në fazën e tretë, që është faza kur financimet e qeverisë, bashkë me financimet e BB dhe financimet e partnerëve të tjerë, që janë treguar shumë të gatshëm të na gjenden në këtë moment, do të bëjmë të mundur zëvendësimin e krerëve të humbur, do të bëjmë të mundur mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin dhe rikuperimin e një pjesë të madhe të infrastrukturës prodhuese, që është asgjësuar në zonat e përmbytura. Do të bëjmë të mundur që ashtu siç i takon një qeverie dhe shoqërie të përgjegjshme të dalim nga kjo krizë më të fortë se ç’ishim më përpara sesa kur kriza u ndodh përpara nesh, për shkak të tërbimit të motit,” – u shpreh Kryeministri.

Drejtorja e Bankës Botërore Sayed garantoi se BB do ta mbështesë Shqipërinë të adresojë pasojat e kësaj katastrofe. “Në emër të Bankës Botërore, jam e gëzuar t’i bashkohem Kryeministrit dhe ekipit, për të parë sesi po ecin përpjekjet për lehtësimin e situatës në Berat. Banka Botërore e mbështet shumë Shqipërinë dhe nevojat e njerëzve, të cilët vuajnë pasojat e përmbytjeve. Pasi të mbarojë faza e emergjencës, do të ketë nevojë për rikonstruksion, veçanërisht për të ndihmuar në pjesën e kanaleve ujitëse, të rrugëve dhe infrastrukturën tjetër. Ne jemi duke punuar me Qeverinë për të vlerësuar nevojat dhe për të punuar sëbashku edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të siguruar mbështetjen e nevojshme pas kësaj katastrofe,” – u shpreh Drejtorja e BB për Shqipërinë.

Ndërkohë, mekanizmi i shpërndarjes së ndihmave në çdo familje po funksionon normalisht edhe në Urën Vajgurore, në qarkun e Beratit. Edhe në këtë pikë vazhdojnë të mbërrijnë kontributet nga biznesi dhe qytetarët, në ushqime, bazë ushqimore për blegtorinë dhe pajisje shtëpie. Një prej drejtueseve të Shtabit të Emergjencës së ngritur aty tha se shpërndarja e ndihmave po bëhet sipas nevojave të çdo familjeje, në bazë të verifikimit derë më derë. “Grupi i verifikimit të bashkisë ka shkuar në çdo banesë dhe ka verifikuar çdo orendi shtëpiake të munguar, të dëmtuar dhe çdo nevojë që ata kanë pasur në ushqime dhe në orendi shtëpiake.”

Në regjistrat e pikës së pritjes evidentohen të gjitha ndihmat që hyjnë, por edhe shpërndarja bëhet gjithashtu, sipas një regjistri ku shënohet çdo familje që merr ndihmën, sasinë, llojin e ndihmës, me nënshkrimin përkatës. “Komisioni i ngritur në bashki për ndarjen e ndihmave, - shpjegoi një tjetër përfaqësuese e Shtabit - për çdo subjekt që paraqitet bën një listë paraprake për secilën firmë që ofrohet, pasi ka një listë konkrete të kërkesave nga qytetarët e dëmtuar. Qytetarët e dëmtuar vijnë me kartën e identitetit, nënshkruajnë dhe punonjësit i japin ndihmën përkatëse. Çdo gjë është transparente.”

Po ashtu përfaqësueset e Shtabit të Emergjencës informuan se krahas ndihmës ushqimore, përpjekja është përqendruar në zëvendësimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe pajisjeve të tjera të dëmtuara. “Sot, 8 biznese kanë dhuruar për familjet e përmbytura në Berat. Pavarësisht se familjet deri tani kanë marrë 80 kg ushqime për familje, ne kemi sjellë një numër të konsiderueshëm pakosh ushqimore. Ndërkohë e veçanta është edhe fakti se kemi sjellë pajisje elektroshtëpiake në sajë të biznesit, pajisje të tjera që ndihmojnë si krevate dyshekë, çarçafë e jorganë e gjithçka të nevojshme që familjet t’i kthehen jetës së tyre normale.”

Kryetari i Shoqatës “Biznes Albania” Luan Bregasi tha se biznesi po i orienton ndihmat sipas kërkesave specifike të banorëve. “Krahas ndihmave ushqimore të cilat pothuajse po kapërcehen, kemi hyrë në një fazë interesante që është faza e emergjencës elektroshtëpiake dhe ndihmat e biznesit sot kanë konsistuar me orientime të caktuara. Ndaj sot ka frigoriferë, lavatriçe, sobë, krevate, me dyshekë e batanije. Biznesi i ka orientuar ndihmat sipas kërkesave specifike që kanë pasur banorët, qoftë në Novoselë, në Frakull apo edhe sot, në Urën Vajgurore. Do të hyjmë në çdo shtëpi,” – tha Bregasi.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ishte një nga kontributorët e sotëm. Kreu i saj, Baba Edmond Brahimaj u shpreh se edhe Kryegjyshata është pranë familjeve të prekura të Urës Vajgurore, duke dhënë ndihmën e saj në ushqime dhe pajisje shtëpie.

Kryeministri Rama vlerësoi se edhe në Urën Vajgurore, mekanizmi i shpërndarjes së ndihmave dëshmon për efikasitetin e modelit të ri të ofrimit të ndihmës aty ku është nevoja. “Bashkë me diellin, sot pashë shumë fytyra të buzëqeshura dhe ky është një moment i bukur, sepse praktikisht kemi sistemuar në mënyrë shembullore të gjithë mekanizmin. Ky mekanizëm ndihme i mirëkoordinuar po funksionon krejt normalisht, duke bërë që çdo familje e prekur nga përmbytjet të marrë drejtpërdrejt ndihmën, duke i dhënë fund asaj epoke kur grumbulloheshin të tërë tek një kamion që nuk dihej nga vinte, nuk dihej kujt i jepte ndihmën dhe nuk dihej sesa linte dhe sa merrte me vete,” – u shpreh Kryeministri.

Pjesë e rrjetit të solidaritetit kanë qenë edhe nxënësit e 60 shkollave të qarkut të Beratit, të cilëve, Kryeministri Rama u drejtoi një përshëndetje të veçantë: “Sot meriton vlerësim të veçantë ky koleksion ndihmash nga të gjitha shkollat e Beratit. Me shumë mirënjohje i shpreh të gjithë admirimin tim Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Beratit, Selman Hodaj, mësuesve, drejtorëve të shkollave, prindërve dhe gjithë fëmijëve, të cilët kanë dhënë një shembull fantastik të solidaritetit njerëzor, qytetar dhe shqiptar në këto kushte, duke u bërë, besoj unë, edhe një model për gjithë të tjerët se çfarë duhet të bëjmë të gjithë sëbashku, me aq sa mundemi, kur të tjerët pranë nesh goditen nga një fatkeqësi.”

KOMENTE