English

SEECP, angazhim për të përballuar sfidat e përbashkëta rajonale

Fjala e Kryeministrit, Edi Rama në ministerialin e organizuar në Tiranë në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Jug-Lindore (SEECP):

Është një kënaqësi e madhe për mua t’ju uroj mirëseardhjen këtu, në Tiranë, në emër të Qeverisë shqiptare.

Ne e shohim Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore si një platformë politike mjaft të rëndësishme për të intensifikuar dialogun në rajon, konsoliduar bashkëpunimin sektorial dhe për të çuar përpara integrimin europian të Europës Juglindore përmes bashkërendimit të një sërë proceseve të ndryshme që vazhdojnë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Është viti i parë qysh prej fillimit të shekullit të XX-të që Europa Juglindore sapo e lë pas pa asnjë konflikt në kufijtë e saj në rajon.

Kjo, mendoj unë, vjen kryesisht prej aspiratës së popujve të saj për integrim europian, i parë si një mundësi unike për paqe të qëndrueshme, begati dhe demokraci. Kjo do të thotë se nuk kemi kohë të rrimë me kokën pas dhe se na duhet me doemos të ecim përpara, nga njëra anë, duke e çuar në një fazë të re bashkëpunimin në rajon dhe, nga ana tjetër, duke kontribuuar në mënyrë aktive në përgjigjen ndaj sfidave të reja të përbashkëta.

Këto sfida janë ato që vijnë prej kërcënimeve dhe konfliktit që vazhdon pranë kufijve e Europës, sfida që i sjell terrorizmi i ushqyer nga një makineri e skëterrshme e quajtur ISIS, që ka pllakosur popujt dhe zonat në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Ndërkohë, një tjetër sfidë jo aq e shkëputur me këto më sipër, është krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme.

Përveç çështjeve të sigurisë, ekziston rreziku që hendeku ekonomik në rajon ndërmjet vendeve anëtare dhe joanëtare të BE-së të thellohet më tej, duke e bërë kështu perspektivën e integrimit europian gjithnjë e më të largët. Në kontekstin e sipërshkruar, një gjë e tillë nënkupton të jemi më të prekshëm nga kërcënimet e sigurisë, të cilat jemi të vendosur t’i parandalojmë tani dhe në të ardhmen. Kjo është një situatë qartësisht e dukshme, duke qenë se disa prej fqinjëve tanë të afërt në rajon, anëtarë të BE-së, janë goditur rëndë nga kriza financiare.

Në mënyrë që t’i përballojmë këto sfida, përforcimi i përmasës së sigurisë në bashkëpunimin tonë rajonal ka rëndësi thelbësore.

Për këtë arsye, Deklarata jonë e Përbashkët Kundër Terrorizmit, që do të miratohet nga ky takim, thekson angazhimet tona për zbatimin e mëtejshëm të reformave, forcimin e shtetit të së drejtës, përqafimin e bashkëpunimit mes të rinjve dhe rritjes së zhvillimit ekonomik.

Në samitin e vitit 2014, presidenca rumune theksoi me të drejtë se Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore po rigjallërohej dhe se duhej të punonim për ta shndërruar rajonin tonë në një partner të besueshëm për Bashkimin Europian.

Si përfaqësues i vendit që e drejton këtë Proces deri në qershor 2015, unë e përkrah me entuziazëm një gjë të tillë dhe do të propozoja t’i shtonim një tjetër hap.

Po, së pari, na duhet të sigurojmë pozicionin tonë si partner i besueshëm i BE-së, por, nga ana tjetër, duhet të bëhemi një partner proaktiv.

Europa përballet me sfida ekonomike, politike e kulturore, përfshi racizmin, nacionalizmin dhe ksenofobinë, por, që t’iu përgjigjet këtyre sfidave në mënyrë efikase, Bashkimi Europian ka nevojë për rajonin tonë, po aq sa rajoni ka nevojë për Bashkimin Europian.

Larmia e kombeve, grupeve etnike, feve, kulturave e besimeve e bëjnë Europën Juglindore një hapësirë të veçantë dhe, nëse ia dalim të krijojmë harmoni e begati brenda këtij diversiteti, do t’i gëzohemi së bashku suksesit të një përpjekjeje të rëndësishme europiane.

Në këtë kuadër, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një partner shumë i angazhuar për një bashkëpunim rajonal efikas dhe integrim të plotë europian.

Kështu, gjatë kryesisë sonë të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ne kemi vendosur theksin te ekonomia, energjia dhe infrastruktura, në mënyrë që të përforcojmë nismat ekzistuese që i sjellin vlerë të shtuar procesit të integrimit tonë në BE dhe nxjerrin në pah mënyra të reja, elastike dhe efikase të bashkëpunimit shumëpalësh në rajonin tonë.

Një gjë e tillë ka rëndësi të posaçme edhe për të mbështetur procesin që filloi në Berlin verën e shkuar, si shfaqja më e fundit e vullnetit politik që ekziston te shtetet kryesore anëtare të BE-së për të rritur bashkëpunimin në rajon, në mënyrë që të jetë rajon i mirëfilltë, qoftë në kuptimin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Qeveria që drejtoj beson se procesi i Berlinit, por edhe strategjitë makrorajonale përkatëse të hartuara nga Bashkimi Europian, na japin mundësinë të përmirësojmë ndërlidhjen brenda rajonit tonë (veçanërisht në Ballkanin Perëndimor), por edhe brenda vetë Europës.

Si rezultat, kryesia shqiptare e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore do të angazhohet më tej me përpjekje diplomatike e politike, në mënyrë që të përfitojë maksimalisht nga atmosfera politike që, aktualisht, favorizon bashkëpunimin rajonal, bazuar në projekte konkrete rajonale të infrastrukturës dhe energjisë.

Vitin që shkoi përkujtuam 100 vjet prej një Lufte Botërore që shpërtheu në rajonin tonë, për t’u përhapur përmes kontinenteve, si lajmëse e vdekjes dhe vuajtjeve që vështirë të përfytyrohen nga brezat e rinj të europianëve.

Pas saktësisht 100 vitesh, në një tjetër kohë shumë të veçantë për kontinentin europian, rajoni ynë po kalon një moment unik pozitiv, që, me vendosmërinë e duhur, mund të sjellë shkëndija shprese dhe të një perspektive të re begatie për Bashkimin Europian.

Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të lehtësuar, mbështetur dhe forcuar më tej këtë moment të rëndësishëm në rajon dhe për të ndihmuar në bashkimin e forcave, për të ndërtuar pritshmëritë e popujve tanë për një Europë të fortë e të bashkuar. Kam bindjen e palëkundur se, sot, Europa, Bashkimi Europian kanë nevojë për ne, po aq sa ne kemi nevojë për Bashkimin Europian.

Përballë një unioni që po lufton brenda vetes, ne duhet të jemi të bashkuar dhe të luftojmë që zëri ynë të dëgjohet dhe të tregojmë me shembuj se jemi gati të jemi pjesë e kësaj lufte të përbashkët.

Pa ne, bashkimi është shumë më i brishtë dhe shumë më i cenueshëm dhe duhet të bëjmë maksimumin që kjo të dëgjohet e të kuptohet siç duhet.

Edhe njëherë, mirë se keni ardhur dhe faleminderit shumë!

KOMENTE