English

Kryeministri Rama në Gjykatën e Lartë. Barra e provës i takon atij që akuzon dhe jo atij që akuzohet

Kryeministri Edi Rama u paraqit sot, në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, para Gjykatës së Lartë, ku nisi seanca e parë e gjykimit të kërkesëpadisë për shpifje ndaj deputetit, kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.

Kryeministri Rama i konsideroi pretendimet e deputetit Paloka, shpifje që cenojnë rëndë institucionin e Kryeministrit të Shqipërisë. Për këtë arsye, Kryeministri Rama deklaroi në këtë seancë të parë, që sipas ligjit ishte seancë pajtimi, se “kërkesëpadia nuk ka asgjë personale dhe nuk do të ketë asnjë pajtim të mundshëm.” Kryeministri deklaroi se akuzat cenojnë rëndë figurën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe opinionit publik i takon të marrë dije për vërtetësinë e akuzave të ngritura nga i padituri. Kryeministri kërkoi një gjykim të drejtë e të paanshëm për palët, pasi publiku duhet ta dijë kush është Kryeministri i Shqipërisë sot. Nuk jam këtu për akuza personale, nënvizoi Kryeministri në parashtrimin e tij, por kam ardhur si Kryeministër i Shqipërisë dhe është në çmimin tuaj që të nxirrni personin me përgjegjësi. Ky është interes publik dhe kombëtar dhe jo personal.

Prononcimi i Kryeministrit Rama pas seancës së parë në Gjykatën e Lartë:

Së pari ishte një mundësi për të parë se në çfarë gjendje rrënimi është godina e Gjykatës së Lartë dhe në ç ‘kushte kushte krejtësisht jashtë çdo imagjinate punon një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit. Çka më bën të përsëris atë që kam thënë në krye të herës, por pa e parë nga brenda, se ne do të bëjmë maksimumin që sa më shpejt, plani ynë për sistemimin e kësaj Gjykate të shkojë në përfundim. Kështu, edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë të marrin atë që meritojnë nga pikëpamja e kushteve.

Së dyti, kjo ishte një seancë që sipas ligjit konsiderohet seancë pajtimi mes dy personave që janë ballë për ballë. Për mua s’ka asgjë për t’u pajtuar, sepse kjo nuk është personale. Nuk është një akuzë e ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi dhe një personi, por kjo është një domosdoshmëri për publikun për të ditur të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Nëse pala që më ka detyruar të drejtohem në dyert e gjykatës do të provojë çfarëdo qoftë nga gjithë ato që ka thënë, publiku duhet ta dijë sepse bëhet fjalë për Kryeministrin e Shqipërisë. Në të kundërt, publiku duhet të dijë po ashtu, nëse pala që është e akuzuar, këto akuza janë ngritur për të cenuar integritetin e institucionit të Kryeministrit. E kam thënë qysh në fillim, kur kam vendosur të ndërmarr këto procese, se është koha t’i jepet fund politikës së shantazhit, politikës së baltës, politikës së denigrimit dhe politikës së talljes së përditshme me opinionin publik. Është koha që gjykatat të marrin rolin që u takon, të arbitrit të paanshëm dhe të pavarur, për t’i shërbyer opinionit publik me gjykimin mbi çfarëdo akuze dhe çfarëdo pretendimi.

Zoti Rama do të jeni i pranishëm në seancat e tjera?

Zoti Rama kush do të jetë prova juaj?

Kryeministri Rama: Qytetërimi ynë e ka zgjidhur që në kohën e romakëve çështjen e provës. Barra e provës i takon atij që akuzon dhe jo atij që akuzohet. Ndërkohë që, nga ana tjetër, unë do ta ndjek këtë proces deri në fund dhe do të jem i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, sepse ia detyroj këtë të gjithë opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre qytetarëve që turbullohen nga helmi i përditshëm që prodhon bari i SHQUP-it.

KOMENTE