English

Presidenti Nishani takim me ish-të përndjekurish politikë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim një grup ish-të përndjekurish politikë të cilët iu përgjigjën ftesës së Kreut të Shtetit për të zhvilluar një bashkëbisedim mbi kremtimet e 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, por edhe për çështje të tjera me interes shtetëror e social, si ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionit.

Presidenti Nishani që në fillim të takimit i siguroi të pranishmit se konsultimi i vijueshëm dhe kontaktet e shpeshta me përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë kanë qenë dhe do të jenë pjesë e punës së tij së përhershme. Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e madhe që kremtimi i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit ka për vendin dhe kërkoi angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve në takim, por nëpërmjet tyre, të gjithë ish-të përndjekurve dhe familjarëve të tyre për të kontribuar për ceremonitë shtetërore që do të organizohen për këtë qëllim.

Shqipëria, theksoi Presidenti i Republikës, duhet që në këtë 25-vjetor që kulmon në 8 dhjetor 2015, të organizojë ceremoni të nivelit të lartë shtetëror, sikurse kanë zhvilluar edhe Polonia, Gjermania, Rumania e Bullgaria. Në dallim nga këto shtete, Shqipëria ka qenë vendi më i varfër ekonomikisht, dhe i takon të reflektojë thellë mbi pasojat e sistemit komunist gati 50-vjeçar që tronditi nga themelet shoqërinë shqiptare.

Kreu i Shtetit theksoi se, tashmë realitete si Shqipëria në NATO dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian janë të pandryshueshme, dhe duhet që të gjithë të ofrojmë kontributin tonë për të mos lejuar ndikime negative në zhvillimin e jetës së shtetasve shqiptarë, sepse për të arritur deri këtu është sakrifikuar shumë. Presidenti Nishani theksoi se, ligji për dosjet dhe ligji i lustracionit janë domosdoshmëri dhe praktikat e mira europiane mund të shërbejnë si modele të aplikueshme në rastin e Shqipërisë.

Krimet e komunizmit, nënvizoi Presidenti i Republikës gjatë bashkëbisedimit, duhen hetuar, gjykimi mund të bëhet edhe nga një gjykatë me asistencë europiane, për të hedhur dritë njëherë e mirë mbi shkeljet e sigurimit të shtetit që as ligjet e kohës nuk i ka marrë në konsideratë. Kreu i Shtetit ritheksoi edhe njëherë nevojën për të patur një datë zyrtare në përkujtim të krimeve të komunizmit, e cila do të shërbejë si një kujtesë e identitetit kombëtar, si dhe premtoi organizimin e një konference gjatë vitit 2015 me ish-të përndjekurit politikë ku do të ftohen të gjitha shoqatat që i përfaqësojnë, në zbatim të rezolutave të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Shqiptar për këtë shtresë kaq delikate të shoqërisë shqiptare dhe me kontribut të madh në rezistencën shumëvjeçare antikomuniste

KOMENTE