Kryeministri Rama ka vizituar përsëri Vlorën ku i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj dhe Presidenti i Shoqatës “Biznes Albania”, u rikthye në banesën e të moshuarës Dhora Gjoni në Novoselë, këtë radhë për t’i dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Shtëpia u ndërtua thuajse nga e para, me kontributin e “Biznes Albania”, pas përmbytjes së pak javëve më parë në jug të vendit.
Gjatë inspektimeve që bëri gjatë ditëve të përmbytjes në këtë zonë, Kryeministri u ndal edhe në shtëpinë e znj. Gjoni. Një banesë në një gjendje krejt të mjeruar, pothuaj një konstrukt katramaje dhe plasmasi. Duke parë kushtet e rënda të jetesës, të moshuarës iu premtua ndërtimi i shtëpisë. Sot jo vetëm ndërtesa është realitet, por është bërë edhe mobilimi i saj dhe pajisja me materialet elektroshtëpiake.
“Të uroj shumë nga zemra, me gjithë stafin tënd,” – falënderoi e moshuara, ndërsa shtoi se ishte e pabesueshme që në kaq pak kohë të kishte shtëpinë e saj.
Kryeministri Rama theksoi se falenderimi i takon në radhë të parë, sipërmarrjes që u solidarizua me nevojat e qytetarëve të prekur nga përmbytja dhe të gjithë atyre që punuan për ta përfunduar atë sa më shpejt.
***
Në Vlorë ka nisur zbatimin një projekt për ndërtimin e segmentit që lidh rrugën Transballkanike me autostradën Vlorë-Fier. Kryeministri Rama inspektoi kantierin e punimeve dhe u takua me zbatues të projektit. Kryeministri theksoi rëndësinë e këtij investimi për Vlorën, i cili edhe pse i premtuar shpesh në fushata elektorale, por më pas i harruar, do t’i japë qytetit një hyrje me standarde europiane. Bashkë me investime të tjera madhore, shtoi Kryeministri, Vlora do ta shndërrohet në një qytet të rëndësishëm turistik dhe mesdhetar.
“Pasi u zgjidh problemi me të gjitha familjet që duhet të lironin banesat e tyre për çeljen e kësaj rruge, sot jam shumë i kënaqur që fillon më në fund, pas shumë e shumë vitesh, të realizohet projekti që e kthen Vlorën tonë nga një xhep fals në një qytet mesdhetar, me hyrje e dalje të standarde evropiane. Transballkanikja famshme që e premtonin të gjithë kryeministra, kandidatë për kryeministra, deputetët e kandidatë për deputetë, sa here që kishte fushata dhe pastaj e harronin, më në fund erdhi në ditën kur do të marrë fund dhe do ta bëjmë me rrugë model për një qytet të rëndësishëm mesdhetar dhe turistik. Bashkë me pjesën tjetër të vijës bregdetare apo Lungomaren siç i thonë vlonjatët janë dy projektet e mëdha që do të çelin fuqishëm rrugën e rilindjes së plotë të infrastrukturës të këtij qyteti, të harruar dhe të braktisur prek kaq shumë vitesh padrejtësisht. Vlora meriton më shumë dhe ne do të bëjmë për Vlorën deri në fund të këtij mandati, më shumë se ç’është bërë në 20 vite të marra sëbashku.”
***
Kryeministri Rama dhe Ministri Veliaj ishin të pranishëm në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë, ku u bë shpërndarja e pensioneve sipas përllogaritjes së skemës së re. Kjo skemë që ka nisur të aplikohet që nga 1 janari 2015 ka nisur të jap efektet e veta pozitive në xhepat e pensionistëve, të cilët përfitojnë pensione deri në 30% më të larta. Heqja e tavanit prej 240 mijë lekësh ka mundësuar pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për çdo pensionistë të ri.
Për Kryeministrin Edi Rama, ky është një moment i rëndësishëm, pasi dëshmon efikasitetin e reformës së pensioneve. “Në 1 vit e gjysmë qeverisje, ne jemi të gatshëm të shpërndajmë pensione përmes një sistemi të ri që bën të mundur që çdokush që paguan rregullisht sigurimet shoqërore të përfitojë një pension më të lartë se çdo të përfitonte me skemën e vjetër. Të gjitha llogaritjet tregojnë se për çdo fashë page, pensionet rriten. Konkretisht, për një individ që ka punuar gjithë jetën me pagë minimale dhe ka arritur të sigurohet 35 vjet, pensioni do t’i dalë 143 mijë lekë nga 141 mijë lekë që do t’i fitonte me formulën e vjetër. Ata që pretendojnë se pensionet ulen për pagat më të ulëta i bien po atij fyelli të vjetër, me po atë vrimë të konsumuar. Ndërkohë që të jeni të sigurt se asnjë pension jo vetëm do të ulet, por çdo pension do të rritet sipas rrogës dhe kontributeve të dhëna gjatë periudhës së punës. Sigurisht që rritja është më e madhe për pensionet që burojnë nga pagat mbi pagën minimale. Fjala vjen, një mësues shkolle që për 35 vite ka paguar sigurime shoqërore, me formulën e deri vjetshme, pensioni i saj do të ishte 245 mijë lekë, ndërsa më formulën e re, bazuar në sistemin e ri që ka ndërtuar reforma jonë, pension do të jetë 297 mijë lekë. Pra, 21 mijë lekë më shumë. Ndërkohë që për një individ me pagë maksimale, por me 35 vjet sigurim, rritja është pothuajse 50 mijë lekë. Këto janë fakte që çdo pensionist mund t’i vërtetojë në xhepin e vet, jo në ekranin e televizorit duke na dëgjuar ne apo ata. Nga ana tjetër, ne do të japim një pension social edhe për ata, të cilët nuk plotësojnë kushtet për të përfituar një pension.”
Kryeministri theksoi se reforma e pensioneve ishte e domosdoshme, në të kundërt, pasojat do të ishin negative për mijëra të moshuar. “Nëse reforma jonë nuk do të ishte kryer, sot, viti 2015, për turpin e gjithë asaj klase politike që prodhoi gjithë këto vite qeveri që nuk patën kurajën të adresojnë në themel problemin e pensioneve, ne do të kishim 5 mijë të moshuar që nuk do kishin asnjë lloj të ardhure. Ky numër do të shkonte duke u rritur vit pas viti. Madje, kaq e qartë është ndarja mes llafeve dhe propagandës së politikës në TV dhe besimit real të qytetarëve tek reforma e pensioneve, saqë në 2014 ne rritëm numrin e kontribuuesve me 93 392 vetë, që solli 100 milionë dollarë më shumë në arkën e shtetit, të cilat shkojnë për pensionet.”
Kryeministri veçoi efektet e reformës për minatorët, ndër profesionet më të vështira. “Nga kategoritë që përftojnë janë ata që kanë bërë një punë shumë të vështirë, minatorët, më të cilët ne nga njëra anë mbajtëm premtimin për ta ulur moshën e pensionit nga 60 në 55 vjeç dhe nga ana tjetër, ne jemi krenarë që sot mund t’u japim një pension më të lartë.”
Ministri Veliaj nënvizoi se rritja me 93392 e personave në listën e sigurimeve shoqërore tregon se skema e re ka kthyer besimin e qytetarëve. Ministri Veliaj dha një tjetër lajm të mirë për gjithë pensionistët. “Këto nuk do kishin sens, nëse nuk do bënim një bilanc pozitiv për pensionistët shqiptarë. Vjet, ne rritëm pensionet në gjysmën e dytë të vitit me 2 për qind dhe në gjysmën e parë të këtij viti do rrisim sërish me 2 për qind pensionet.”
Kryeministri Rama i dorëzoi në mënyrë simbolike kartelën e pensionit disa pensionistëve.
Safet Gjondedaj është një prej atyre personave që ka ndjerë realisht në xhepin e tij përfitimet që sjellë skema e re. Ai ka punuar gjithë jetën në marinë dhe me sistemin e vjetër, ai nuk mund të përfitonte me shumë se 240 mijë lekë pension, ndërkohë që me skemën e re, ai doli sot në pension me 310 mijë lekë.
Një nga kategoritë e tjera që përfitojnë pensione më të larta se më parë janë dhe minatorët, të cilët sipas skemës së re do kenë mundësi të marrin pensione trefish më të larta sesa mund të merrnin sipas skemës së vjetër. Një prej minatorëve që ka mundur të përfitojë nga kjo reformë është Maksim Abazaj. I larguar nga puna kur falimentuan minierat, ai deri më tani mbijetonte me 80 mijë lekë pension, ndërkohë që me formulën dhe me rillogaritjen e pensioneve për minatorët, me uljen e moshës dhe me bonusin financiar që u është dhënë, ai përfiton sot 200 mijë lekë.
***
Në Vlorë ka nisur edhe projekti për zgjerimin e brezit ranor përgjatë vijës bregdetare në qytet. Projekti parashikon krijimin e një plazhi me rërë në pjesën qendrore të gjirit, duke krijuar zona me gjerësi nga 50-100 m. Lartësia e zonës me rërë do të rritet duke u përshtatur me shëtitoren e vijës bregdetare, apo siç njihet ndryshe Lungomare. Kryeministri përshkoi zonën ku po punohet për mbushjen me rërë të plazhit. Në fazën e dytë të projektit do të bëhet gjelbërimi i vijës bregdetare, në një sipërfaqe prej 5000 m2.