English

Irena Beqiraj, zëvendëson Spçiropalin në krye të doganave

Zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, komandohet në krye të doganave, duke zënë vendin e Elisa Spiropalit, e cila dha dje dorëheqjen. Lajmin e ka bërë të ditur sot, ministri i Financave Shkëlqim Cani, në një konferencë për shtyp, së bashku me zv.ministren dhe drejtuesit e “Crown Agents”.

“Nuk ka shumë fjalë tashmë rreth dorëheqjes së drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Ajo ka arsyetuar qartë dhe po ashtu kemi reflektuar. E vetmja fjali që do ta doja është ta falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira mes dy institucioneve. Gjithçka ka shkuar për mrekulli. Zv.ministrja që kam në krah, do të komandohet në këtë detyrë deri në caktimin e një drejtuesi tjetër”, tha ministri Cani.

Ministri i Financave shprehu mbështetjen e tij për Irena Beqiraj, e cila do vazhdojë të mbajë detyrën e zëvendësministres, ndërkohë që përkohësisht është caktuar edhe në krye të Doganave.

“Uroj të gjejmë shpejt një zëvendësues, që edhe unë të merrem me detyrën time si zëvendësministre”, deklaroi Beqiraj, e cila vlerësoi punën e bërë nga ish-drejtoresha Elisa Spiropali.

Lajmin e dorëheqjes e bëri të ditur dje vetë Elisa Spiropali, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Ajo deklaroi se arsyeja e vetëm e largimit nga posti i drejtimit të Doganës është fakti i të bërit nënë dhe përkushtimit të fëmijës së saj.

Profil/Kush është Irena Beqiraj

Znj. Irena Beqiraj mban titullin “Charter Financial analyst” (CFA) (2003-2006), i cili është kredenciali profesional më i njohur dhe më i respektuar në botën ndërkombëtare të Financave, i njohur ndryshe si “ Standardi i artë në financë”. Ajo mban edhe titullin Kontabilist i Miratuar (2001). Znj Beqiraj është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1997, dega Financë

Ajo ka një eksperiencë të gjatë në fushën e konsulencës financiare. Që prej vitit 2009 ofron konsulencë në fushat e raportimit financiar, taksave, analizës së kostos, hartimit të planeve financiare të investimit dhe menaxhimit financiar.

Ajo ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Auditimit në Bankën Italiane të Zhvillimit gjatë viteve 2006-2008 dhe që prej vitit 2011 ajo është anëtare e Bordit të Drejtimit të Shoqërisë Administruese të fondit të pensioneve SICRED sh.a.

Znj Beqiraj ka punuar si pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin Luarasi. Në dhjetor të vitit 2014 ajo është emëruar zëvendësministre e Financave, përgjegjëse për sektorin fiskal.

KOMENTE