English

Kantieri i stadiumit të Shkodrës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e fillimit të punimeve të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër:

Në radhë të parë falënderoj një zonjë që më dha një tranafil Shkodre dhe unë e vura këtu, që të përballoj gjithë këtë bukuri që kam përballë, gjithë këto goca e gra të bukura shkodrane.

Ndërkohë që e dëgjova mikun tim Armandon lidhur me të sharat që ka ngrënë në tribunën VIP këtu, se e tillë quhet kjo tribuna që kemi mbrapa dhe ndërkohë mund t’u them se jam gati të bëj garë me Presidentin e Federatës se kush ka ngrënë më shumë të shara, se presidenti i ka ngrënë në tribunën VIP të Shkodrës, unë i kam ngrënë nga të katër anët. Parafytyroi tani se ç’të shara po ha në këtë moment në Vlorë, kur shikojnë se stadiumi po bëhet në Shkodër.

Megjithatë, unë besoj se është vendi i duhur për të çuar një hap të rëndësishëm më tutje, në rrugën e rilindjes së sportit dhe për të çuar një hap më tutje, mbështetjen reale për skuadrën tonw kombëtare, për djemtë e jashtëzakonshëm që na bëjnë krenarë dhe për të cilët në të shkuarën politika apo qeveria është kujtuar vetëm kur i është dashur të shkojë tek tribuna VIP e të shohë ndeshjen apo të nesërmen, pas ndonjë fitoreje ka nxjerrë para nga buxheti për shpërblime, thjesht për t’u dukur se po merr pjesë në fitore. Ndërkohë që qeveria jonë është e vendosur të bëjë për sportin aq sa nuk është bërë në 20 vjet të marra sëbashku. Dhe kur vjen puna tek futbolli kemi një partner shumë të rëndësishëm e të fortë, që fatkeqësisht nuk e kemi në sportet e tjera, Federatën Shqiptare të Futbollit, me të cilën ai dolëm të ndërtojmë në një kohë rekord stadiumin e Elbasanit dhe të mos turpëroheshim të gjithë sëbashku, pasi, nëse nuk do të kishim realizuar atë investim, Kombëtarja do të ishte detyruar të luante jashtë shtetit. E ky do të ishte në fakt, fundi më i turpshëm i një historie të gjatë 20 vjeçare, ku infrastruktura e futbollit, ku stadiumet dhe ku edhe vetë shtëpia e Kombëtares u la të degradonte deri në pamundësinë për UEFA-n që të pranonte që Kombëtarja të luante në Shqipëri. Ne ia dolëm. I dhamë Elbasanit një stadium të standardeve ndërkombëtare.

Më kujtohet që bashkë me Presidentin e Federatës ishim ditën që u luajt ndeshja me Danimarkën dhe kemi dëgjuar fjalë shumë inkurajuese nga miqtë e UEFA-s, të cilët nga ana tjetër, na thanë diçka që ne e dimë, por që unë besoj se duhet ta dinë të gjithë ata që sot do thonë pse për stadiume kemi nevojë, ne s’kemi bukë. Në fakt, edhe eksperienca e Elbasanit e provoi që stadiumi, kur është i denjë dhe i ka standardet për të mikpritur jo vetëm skuadrat, jo vetëm tifozët, por edhe familjet dhe unë ëndërroj që në këtë stadium, shkodranët të vijnë me familjen, të vijnë vajza e djem, prindërit të vijnë me fëmijët, sepse unë kam bindje se e bukura është mjeti më efikas edhe kundër edhe dhunës, kundër edhe abuzimit me hapësirën publike, por, nga ana tjetër, stadiumet janë ekonomi. Ekonomie direkte dhe indirekte. Nëse për ekonominë direkte të stadiumit, ne nuk mund të pretendojmë që një investim kaq i madh do të shlyhet nga gjithë funksionet që do të ketë stadiumi, përveçse sporti. Ne jemi të bindur se ky stadium do t’i sjellë Shkodrës shumë më shumë, jo vetëm përmes asaj që vjen nga aktivitetet ndërkombëtare apo kombëtare që bëhen këtu, pra, përmes gjithë atyre vizitorëve që vijnë në qytet, që vizitojnë qytetin, që shpenzojnë në qytet dhe boll që të pyesni se sa të ardhura ka pasur nga dy ndeshje të Kombëtares, Elbasani si qytet, sa të ardhura panë pasur të gjithë ata që kryejnë shërbime në Elbasan, për të kuptuar se si vjen pas një investimi të tillë edhe një zhvillim ekonomik.

Nga ana tjetër, unë jam shumë i lumtur që ne arritëm të bindim një nga arkitektët më të njohur sot në skenën e arkitekturës bashkëkohore, arkitektin Peter Williams, i cili konsiderohet një nga arkitektët më inovativë në botën e sotme, një arkitekt australian që jeton në gjermani, për ta bindur që të drejtonte projektin. Pa as më të voglin dyshim, ky është edhe një projekt që do të sjellë për Shkodrën, një vepër me vlerë të rëndësishme arkitektonike për qytetin; Një vepër me vlerë arkitektonike në një stadium që është mu në mes të qytetit dhe që është i rrethuar nga banorët e qytetit; Një vepër arkitektonike që do të sjelle rritje të cilësisë, pa as më të voglin dyshim, të të gjithë kësaj zone dhe të gjithë qytetit, sepse kudo ku ndërtohet një vepër e tillë funksion si një kurë urbane për të gjithë territorin dhe edhe për qytetin. Përveçse, nëse shikoni historinë e shumë qyteteve, ndryshon qytetin. Ka shumë qytetet që kanë qenë në situata shumë të rënda dhe nëpërmjet një vepre të tillë, kuptohet dimensionet varen nga dimensionet e qytetit, kanë arritur të krijojnë kushtet për një kthesë. Ky në arkitekturën dhe urbanistikën e sotme quhet efekti Bilbao.

Bilbao ishte një qytet që kishte probleme shumë të mëdha, kishte një histori shumë të rëndë nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja ekonomike, kur Bashkia e Bilbaos, sëbashku me qeverinë spanjolle, vendosën të investojnë në një investim që u quajt komplet i çmendur, muzeun e famshëm të Bilbaos. Një investim i çmenduar se të gjithë thoshin ç’ne do bëjmë një muze kaq të madh e kaq luksoz, ndërkohë që kemi kaq shumë probleme dhe ndërkohë që njerëzit kanë kaq shumë halle. E pra, ai muze u bë kartëvizita e qytetit dhe ai muze u bë arsyeja pse Bilbao u bë jo vetëm e njohur, po pse Bilbao u bë një nga qytetet më të vizituara në Europë. Kuptohet, shembulli duhet marrë relativ, kur flasim për stadiumin e Shkodrës, por efekti Bilbao vlen qoftë për veprat e këtyre dimensioneve, qoftë për vepra të këtij dimensioni, qoftë dhe për ato sheshet e vogla që ne ndërtojmë në qytete të ndryshme, qoftë për një shesh që sëbashku me Paulinin ne po ndërtojmë në një vend që askush, përveç atyre që banojnë atje lart në Tamarë, nuk e di ku është. Ne jemi të bindur që duke krijuar atë që po krijojmë në Tamarë, ne do të çojmë atje shumë njerëz, shumë vizitorë. Koha do ta vërtetojë këtë gjë. Ata vizitorë do të rrisin ekonominë e gjithë atyre aty lart, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të jetuar, përveçse duke pasur më shumë njerëz që vijnë për të shijuar bukuritë e asaj zone dhe për të shijuar edhe çfarë produktesh ata mund t’u ofrojnë.

Së fundi dua t’ju them me bindje se stadiumi i Elbasanit, ky stadium i ri që sot kthehet praktikisht në stadiumin më të bukur të Shqipërisë dhe padyshim do të jetë një nga stadiumet më të bukur të të gjithë rajonit tonë, ashtu sikundër parku sportiv olimpik që ne sapo kemi filluar të ndërtojmë në Tiranë, ku do të strehohen të gjitha federatat e tjera, ato federata që janë shumë më të lodhura nga pikëpamja financiare sesa Federata Shqiptare e Futbollit dhe ku do të jetë një hapësirë e re e lojërave me dorë, janë investime që kanë një vlerë shumë të madhe, që shkon përtej asaj që marrim mbrapsht në kuptimin e parave.

Po ashtu edhe 44 terrene tw reja sportive për komunitetin, në shkolla, po ashtu dhe tre orë të edukimit fizik, të futura çdo javë, janë pjesë e një projekti tërësor për sportin, për sportin, jo vetëm për profesionistët, por për sportin për dashamirët e tij, për sportin, edhe për kulturën tonë të jetuarit, ku ka shumë pak sport ende, dhe për sportin si një instrument që na afron, që krijon hapësira bashkëjetese të jashtëzakonshme, si ato që arrijnë kulmin kur luan skuadra jonë kombëtare.

Të gjitha këto përbëjnë një paketë investimesh për sportin që nuk është bërë asnjëherë nw 20 vjet dhe do të vazhdojmë. Patjetër që ne pas stadiumet të Shkodrës, objektivin tjetër kemi stadiumin kombëtar. Patjetër që dhe atë do ta realizojmë. Por, çdo punë ka kohën e vet.

Kur e deklarova se do të rindërtojmë “Loro Boriçin” në Shkodër dhe aty do t’i mikëpresim komshinjtë për të bërë ndeshjen e kthimit, ishte e paimagjinueshme që pas një jave më çonin mesazhe nga Shkodra “Pse rrejte, ku e ke stadiumin”. Ndërkohë që për të ardhur këtu, në dittë e sotme është dashur një projekt, një projekt që ka kërkuar kohën e vet, një projekt serioz, i detajuar dhe me standarde europiane.

Është dashur, - dhe për këtë e falënderoj shumë presidentin për gatishmërinë, - që të dialogojmë, jo vetëm me konfederatën, por që dy here që grupi i arkitektëve të shkojë në Selinë e UEFA-s për të diskutuar projektin, sepse ne donim një stadium që të merrte certifikatën si stadium i UEFA-s dhe dy herw është shkuar për të negociuar projektin. Projekti ka ardhur në këtë formë, pas një pune të madhe dhe një dialogu të vazhdueshëm për të përmbushur edhe parametrat e UEFA-s, sepse ne variantin e tij të parë ishte dhe shumë më inovativ. Ndërkohë që mënyra se si do të plotësohet stadiumi me atë tribunën e ndarë që është dhe frymëzim i arkitektit të shquar nga vet Shkodra, nga Kalaja e Shkodrës dhe që është një frymëzim që vjen nga nevoja për ta parë këtë stadium, si pjesë të qytetit dhe për ta lënë oshtimën e tij të dalë dhe gjithë tensionon e qytetit, nga një ndeshje, të hyjë, - por po ashtu për të krijuar dhe mjedise të tjera gjatë pushimit të ndeshjes edhe për spektatorët, janë elementë inovativ që duhet t’i shohim kur të realizohen dhe ta shijojmë ndeshjen e parë kur ajo të zhvillohet dhe pastaj të fillojmë të bëjmë vërejtje.

Se më shkruante njeri nga Shkodra dhe më thoshte “ç’i ke këto si baraka shkolle profesionale”. Unë e di që shkodranët janë të parët, të pakrahasueshmit dhe të paarritshmit për t’i gjetur bisht çdo gjëje, por jam i bindur që do të jetë një gëzim i madh.

Tani, objektivi është që ta realizojmë në kohë. Koha është e shkurtër. Unë besoj që do t’ia dalim.

Federata ka përzgjedhur të bashkëpunojë përsëri me një kompani që është një kompani lider dhe që drejtohet nga një basketbollist i madh shqiptar që në sport ishte shumë i shpejt, që edhe në kryerjen e detyrave për të kapur objektivat është shumë i shpejtë, Ilir Trebickën. E falënderoj shumë edhe për faktin se duke qenë edhe vete njeri i sportit, pavarësisht se - tani po e them Ilir, - është xheloz se futbollit i kushtohet shumë me tepër vëmendje se basketbollit, por prapse prap i përkushtohet kantierit tërësisht vete, personalisht dhe jam i bindur që nuk do ta na lërë në baltë por do ta finalizojmë që t’i mirëpresim këtu komshinjtë për ndeshjen e madhe të kthimit.

Ju falënderoj shumë për prezencën. Jam i bindur që së bashku do të bëjmë një rrugë me ende më shumë surpriza të bukura, si kjo e sotmja për të gjithë sportdashësit shkodranë.

Jam i bindur që do të bëjmë shumë më shumë edhe për futbollin. E po ashtu jam i bindur në fund fare se si do të jenë të gjitha, Shkodra e meritonte këtë stadium, në nderim të emrit që mban stadiumi.

Këtu në stadium do të jetë edhe muzeu i Vllaznisë për të gjithë ata që sot rrinë në FB dhe thonë “Kush është ky Loro Boriçi”. Sepse nuk është bërë asgjë për të ruajtur memorien e jashtëzakonshme të një historie të futbollit që faktikisht siç e ka futbolli në tërësi origjinën në Angli, futbolli shqiptar e ka origjinën në Shkodër.

Por edhe për të pasur mundësin që çfarë nuk arriti shteti në shumë vite të bëjë, për të nderuar dhe respektuar ata që sot janë gjallë dhe aktivë nga yjet e Shkodrës, që nga Paulin Ndoja tek Ramazan Rragami që i takova sot. Rastësia ishte që Paulinin e kisha majtas, Xonin e kisha djathtas, por ju e dini që është e kundërta. Por për këtë duhet sporti, për këtë duhet stadiumi, që të majtë e të djathtë, së bashku të kuptojnë se jeta është shumë përtej dhe më e gjerë se sasa ajo që na ndan, kur flasim për politikën apo kur flasim se kë duam më shumë apo kë duam më pak, kë votojmë e kë nuk duam.

E në respekt të gjithë atyre që i kanë dhënë Vllaznisë emrin që ka, ne duhet t’i kthejmë Vllaznisë atë që meriton. Ky nuk është investimi i qeverisë shqiptare apo i federatës. Ne vëmë vetëm fondet. Ky është investimi i dhjetëra e dhjetëra viteve futboll, mund, sakrifica, ndeshje fitore, dhe suksese në arenën ndërkombëtar të të gjithë atyre që janë mbrapa flamurit të Vllaznisë.

Sot ne thjesht kthejmë këtë investim në formën e një stadiumi, ku siç thash do të ketë edhe shumë aktivitete të tjera. Unë më Gon CCelwn kaluam nga ana tjetwr radhën e parë dhe pamë disa n njerëz të apasionuar pas shahut që luanin shah në një kotec.

Hapësirat mbrapa do të kthehen në hapësira shumë dinjitoze edhe për ata që luajnë shah. Do të ketë palestra, do të ketë hapësira edhe për të rinjtë që duan të vijnë dhe të ushtrohen, pra do të ketë një qendër reale e përditshme dhe do të funksionojë gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm kur ka ndeshje.

Stadiumi i ri “Loro Borici” do të të jo më zemra që mbahet me 7 by-pass por do të jetë zemra e vjetër dhe e re e sportit shkodran.

KOMENTE